Legjendë nga Çamëria: Ia rrëmbyen vëllain, motra shndërrohet në zog

çamëria motra vëllai zog

Legjendë nga Çamëria

Në jug, matanë kufirit me Shqipërinë, ndodhet një krahinë e cila në lashtësi quhej Thesproti, ndërsa në mesjetë e deri vonë quhet Çamëri. Ajo laget nga perëndimi prej Detit Jon. Nga veriu rrethohet me malet e Konispolit, nga lindja mbrohet me malet e Sulit, dhe nga jugu mbyllet me Gjirin e Artës. Kjo krahinë ështe vendlindja ime.

Nga Fahri Dahri

Nënat dhe gjyshet tona, para se të flinim na tregonin përralla, histori të vjetra dhe legjenda, të cilat sido që të ishin, nga mënyra si na i tregonin kishin ëmbëlsi dhe ne, fëmijët ndjeheshim të sigurtë. Kënaqeshim shumë dhe me fantazi fëminore krijonim lloj-lloj përfytyrime deri sa na kllapisti gjumi.

Për fat të keq, për banorët e krahinës tonë, ishte paracaktuar një dënim i rëndë social, por pavarësisht kësaj, përsëri nënat tona edhe pse larg vatanit, nuk i ndërprenë përrallat, tregimet, historitë dhe legjendat derisa ne u madhuam. Më pas edhe brezi ynë, ato që na i kishin mësuar, filluam tua tregojmë fëmijëve, mbesave dhe nipërve tanë. Dhe këtë here unë po tregoj njërën prej tyre, legjendën “Mandu Zog”.

*

Dikur, në atë krahinë, kishte ndodhur një gjëmë, e cila vjen në ditët tona si një legjendë. Ishte muaji prill, pranvera erëngrohtë kishte mbrritur dhe dimri i acartë ishte larguar i pezmatuar; ngrohtësia e butë diellore krijoi mundësinë që pemët e mbushura plot me gjelbërim të mbuloheshin prej vellove të bardha të luleve, erërat sillnin aromën jodizuese të Detit Jon, herë aromën e luleve të pemëve të shumëllojshme, herë aromat e përziera të manushaqeve, trëndelinave, të psakave, të çajit të malit, të cilat krijonin një armosferë dehëse aromizuese, sa që tek njerëzit dhuronin gjallëri, optimizëm, pavdekësi.

Në ato pranverëra “gala”, siç thuhet për rastet festive tepër luksoze dhe të niveleve të larta social-kulturore, fëmijë, të rinj të moshave të ndryshme dilnin dhe loznin, shetisnin, vallzonin e këndonin plot shëndet e tejet të gëzuar e të lumtur në lëndinat buzë lumenjëve, në afërsi të pyjeve apo dhe rrëzë kodrave e maleve.

Në nji nga ato ditë pranvere, motra Mandu, e cila sapo kishte mbushur të gjashtëmbëdhjetat, trupgjatë, flokë të zeza pis (sterrë të zeza) bërë koca (gërsheta), sy bojë qielli, mori vëllanë e vogël Gjonin dhe si për herë  iu drejtuan lëndinës, afër fshatit. Atje u takua me të rejat e tjera dhe me plot energji loznin e këndonin, pa ndrojtje, pa frikë dhe pa andrralla. Vëllai i vogël Gjoni, donte dhe dy muaj të mbushte 6 vjeç. Ai ishte shumë energjik, i pandënjur, lëvizte me shpejtësi andej-këndej, lozte me moshatarët pak më tej nga ku ishte ulur motra me shoqet e saj. Mandu, e rrëmbyer pas bisedave dhe qendisjeve, nuk e vuri re mungesën e vëllait, deri sa erdhën fëmijët e tjerë dhe i treguan asaj, se dy burra me kuaj kishin rrëmbyer Gjonin dhe kishin ikur në thellësi të pyllit.

Vajzat dhe fëmijët e tjerë të tmerruar vrapuan drejt fshatit dhe shtëpive të tyre. Lajmi mori dhénë. Burrat dhe djemtë e rritur të fshatit rrëmbyen hunjtë, shkopijtë, sopata e sfurqe si dhe mblodhën gurë për lobetë dhe u nisën drejt pyllit në disa drejtime. Nëna e Gjonit, gjyshja dhe Mandua bërtisnin, çirreshin thërrisnin sa zërat e tyre shkonin në kupën e qiellit.

Gjëma tashmë kishte ndodhur, kaluan ditë e muaj, por Gjoni i vogël nuk gjindej.

Mandua qante dhe qante me dëshpërim çdo orë e çdo ditë. Dilte muzgjeve të çdo mbrëmjeje në pritje të kthimit të vëllait të vogël, të ëmbël, të dashur, të bukur, të shkathët, por pritjet nuk sillnin asnji lajm. Gjoni nuk po kthehej, ishte tretur kushedi se ku; motrën e kishte pllakosur meraku, ankthi, marazi, e kishte pushtuar malli i madh, vajtimet e saj nuk rreshtnin, aq sa një mbasmuzgu, Mandu nuk u kthye në shtëpi si zakonisht. Familjen e kapi trishtimi i dytë. Mandu kishte humbur në errësirën e natës, ajo nuk u kthye më. Lutjet dhe dëshirat e saj ishin plotësuar!

Familja nuk la vend pa e kërkuar Mandunë, shoqet e saj gjithashtu, por ajo nuk u pa më. Tri netë më pas, në muzgun e mbrëmjes nëpër strehët e shtëpive, banorët e fshatit dëgjuan nji zë tepër të veçantë, zë vajtimi i padëgjuar më parë. Të befasuar dhe të shqetësuar, banorët u afruan tek dritaret, tek protat e dyerve dhe po dëgjonin në errësirën e natës, zërin e vajit mortor, i cili megjithëse ishte tepër i fuqishëm, nuk kuptohej nga vinte, sepse ai zë dëgjohej kudo, jehona e zërit kumbonte gjithandej.

Të thirrurat, klithma dhe zëri i fuqishëm vajtues lëshonte tinguj tepër të trishtueshëm: “Gjooon”, “Gjooooon”, “Gjoooon” dhe herë-herë dëgjoheshin zhurmat e krahëve të “Zogut”, por “Zogu” nuk dukej, zëri i shpendit herë afrohej, herë largohej. Banorët ishin shumë të shqetësuar, nuk qartësoheshin dot me këtë fenomen të padëgjuar. Koha kalonte, çdo muzg mbrëmjesh në hapësirën e atij fshati oshëtinte thtirrja: Gjoooon, Gjooon, Gjooooon dhe mbas çdo oshëtime dëgjoheshin fëshfëritja e krahëve të shpendit. Kaluan muaj dhe shpendi me thirrjet e tij të trishta, filloi të dëgjohej edhe në fshatra të tjera.

Më së fundi banorët e kuptuan. Zëri vajtues, ishte klithma e motrës së humbur Mandu. Të gjithë u bindën, ai zë ishe i motrës Mandu që kërkonte vëllanë e humbur, Gjonin dhe se thirrjet e atij shpendi, shqipronin qartë: “Gjoooon”, “Gjooon”, “Gjooooon”. Përfundimisht motra Mandu ishte shndërruar në “Zog” dhe po kërkonte e trishtuar të gjente vëllan e vogël Gjonin.

Motra “Mandu Zog” u bë e pavdekshne, ajo vazhdon të jetë pa pushim në ndjekje të kërkimit të vëllait të saj Gjonit, në të gjitha muzgjet e mbrëmjeve, deri në afërsi të agimeve, pastaj ajo strehohej nuk di se ku dhe kthehej përsëri në muzgjet e tjera, me shpresën se dikush nga banorët e rajonit do t’i japë ndonji lajm për Gjonin, vëllain e saj, që aq shumë e donte, deri sa dhe jetën e saj për ‘të, në shpend e shndërroi dhe ndër shekuj vazhdon ta kërkoj në territorin e Çamërisë martire dhe pa i humbur aspak shpresat, ajo beson se do të vijë një ditë, apo një vit dhe ajo vëllanë do ta gjejë, do ta shuaj mallin e pashuar.

Zërin e saj nga klithmë në këngë do ta shndërrojë, ankthet, brengat dhe marazin në gëzim, lumturi dhe hare do ta kthejë. Jeta e tyre dhe dashuria, dhimshuria vllazërore do të rinisë aty ku u ndërpre, aty ku ja ndërprenë katilët, vrastarët, sigurisht më e kujdesshme, më vigjilente dhe me nji siguri më të madhe.

Deri në atë kohëgjetje-kërkimi, motra Mandu nëpërmjet vegimeve dhe ëndrrave të banorëve të zonës dhe me zërin e saj vajtues, ka porositur dhe porosit që, kur mbi kokat tona të ndjejmë zhurmen fëshfëritëse të krahëve të saj, duhet të përmbahemi, të mos flasim, të mos e shikojmë dhe as ta lëndojmë, përkundër të tregohet respekt për ‘të dhe as nuk duhet ta përflasim, por hidhërimin e saj ta nderojmë dhe ta respektojmë.

Ajo mesazhet e përjetshme i ka dërguar tek ne me zërin e saj, vajtimin e saj, prandaj askush të mos përpiqet ta shikojë, sepse qorr do të mbetet për jetë, askush të mos guxojë apo ta shpjerë ndërmend për ta lënduar apo vrarë, se në jetë të jetëve i paralizuar do të mbesë dhe vdekja e tij tmerr i vërtete do të jetë.

 “Mandua-Zog”, motra e vëllait Gjon, edhe sot vazhdon kërkimin duke vajtuar muzgjeve të hapësirës territoriale të Çamërisë martire.

Nuk e di nëse vërtet motra Mandu u shndërrua në shpend, por klithmën vajtuese të saj e kam dëgjuar deri në moshën 6 vjeç edhe unë, pastaj u largova nga vendlindja, por atë klithmë vajtimi vazhdoj ta sjell edhe sot në mendje.

  • ••

 Kështu arritëm në përfundim të legjendës çame: ”Mandu-Zog”.

Nga kjo legjendë mësojmë të rrisim respektin, dashurinë dhe dhimshurinë vllazërore, të përulemi me nderim për ndjenjat e dhimshurisë së pakufishme të motrave ndaj vëllezërve, të kujtojmë në vazhdimësi vendlindjen e “Motrës Mandu” dhe të vëllait të saj “Gjonit”, duke mbajtur gjallë amanetin e të parëve dhe të prindërve tanë.

Bergamo, 25 Janar 2017

ObserverKult

Lexo edhe:


PAMJE TË VITIT 1913: ÇAMËRIA E MBUSHUR ME SHQIPTARË

Lexo edhe:

BILALL XHAFERI: BALADË ÇAME

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!

ObserverKult

Lexo edhe:

RUDYARD KIPLING: NË MUNDSH…

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh. ..

Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Poezinë e plotë e gjeni KETu

ObserverKult