“Lemza”, u ndalua por, parrullat e shpëtuan Agim Krajkën

“Kompozitori i rinisë”, Agim Krajka la një trashëgimi të çmuar muzikore, që mund të mos kishte ekzistuar kurrë për shkak të rrethanave të kohës.

Ndonëse i rritur mes instrumenteve muzikore të të atit, Agim Krajka mund të mos i kishte hyrë kurrë muzikës, nëse nuk do të kishte këmbëngulur Skënder Gina, shefi i Kulturës në Komitetin Ekzekutiv asokohe.

Në vitet 1960, artisti dëshironte thjesht, të siguronte pak të holla për familjen.

“Vitet 1960 ishin vitet kur muzika e lehtë mori një hov të madh. Tirana kishte ndikim edhe nga muzika ruse. Atë kohë unë i bija fizarmonikës në një lulishte në Tiranë. Flitet për kohën, apo më mirë vitin 1961, kur në Shqipëri kishte hyrë një farë liberalizmi […] Atë kohë kisha halle të tjera dhe kurrë nuk mund të mendoja për shkollë. Ishte koha kur unë kisha 6 motra në shtëpi dhe mendoja se si të çoja një lekë në shtëpi dhe të ndihmoja familjen. Doja që motrat e mia t’i ndihmoja.

Nuk ja vura shumë veshin, por ai këmbënguli disa herë duke theksuar se isha djalë i talentuar dhe duhet të shkollohesha. I nxitur bëra një kërkesë kot pa menduar se çfarë do dilte. Kisha dëshirën vetëm që të vazhdoja punë dhe të çoja ndonjë lekë në shtëpi.

Dhe ja një mbrëmje, teksa luaja sërish në bar me fizarmonikë, më vjen një shok dhe më thotë se më kishte dalë emri në listë për të konkurruar […] Për çudinë time fitova për të konkurruar në Konservator, kështu quhej, dhe a e dini sa isha? Plot 22 vjeç kur u futa në shkollë,” – u shpreh ai në një intervistë të vitit 2020, për BotaSot.

Mënyra sesi luante në firzamonikë i pëlqeu shumë Vaçe Zelës, e cila, i kërkoi të kompozonte një këngë për të. Kështu erdhi “Lemza”, kaq e famshme.

“Debutimi im i parë në festival, ka qenë me këngëtaren e madhe, Vaçe Zela. Ajo më dëgjoi tek luaja në fizarmonikë dhe më shtyu të kompozoja një këngë për të. Kështu nisi udha ime. Pra, festivali i parë dhe kompozimi im i parë, ka qenë kënga “Lemza” dhe është kënduar nga e madhja, Vaçe Zela. E kupton ç’do të thotë që në daljen e parë si kompozitor, të të marrë këngën Vaçe Zela?!”

Rinia e pëlqeu shumë këngën, ndërsa organet shtetërore e ndaluan për disa muaj, por parrullat në mure “LEMZA”, bënë që kënga të transmetohej sërish.

“Rinia e pëlqeu shumë atë këngë dhe pse menduan, se e kisha kopjuar nga këngët e huaja. Të kapte tmerri, kur ndalonin një këngë. Të bënin të mendoje thellë. E ndaluan tre muaj dhe njerëzit nisën të shkruanin parulla nëpër mure, me emrin “Lemza”. Ka qenë një protestë rinore shumë e këndshme. Më pas, e lejuan të transmetohej dhe ishte një kënaqësi e madhe, për mua. Kjo këngë, më hapi shumë dritare. Filluan kërkesat, një shikim më ndryshe nga instancat e larta. Fillova të kompozoj sërish.”

Ishte pikërisht “Lemza”, ajo që frymëzoi edhe një sërë kompozimesh të tjera.

“Nuk doja të rrija me aq. “Lemza”, më dha shumë energji. Kështu, lindi, apo kompozova si këngë të dytë, këngën “Gjyshes”. Edhe kjo këngë u pëlqye, ndoshta jo sa e para, por pati jehonë. Tashmë, kisha fituar një siguri në vetvete. Kompozimi i tretë ka qenë “Djaloshi dhe shiu” dhe me radhë, në çdo vit.”

Festivali i 11-të i Këngës, duket se u përpoq të thyente disa korniza të kohës dhe është një prej festivaleve që ngjalli më shumë polemika. Në atë periudhë, Krajka kompozoi “Kafe Flora burra plot”, një këngë që e rrezikoi jo pak artistin.

“Mund të them se ky festival, ishte më i vështiri në jetën time si kompozitor, pasi krijuesi, në atë kohë, ishte gjithmonë në luftë me atë që do dhe me atë që mund të bëjë. Ishte një kënaqësi kur merrje çmim të parë, por do të prisje se çfarë do të thoshte një tjetër, se e kishte të drejtën mbas një jave të qortonte, se mos të bëhej ndonjë plenium etj.

Shumë shokë të mi ikën, u syrgjynosën nëpër burgje, u larguan nga muzika, i çuan në fshat me punë në bujqësi, disa i internuan. Rrëmujë… Fshesë… Ankth!.. Ç’po ndodh?.. Kush e kishte radhën?!”

Në intervistën për BotaSot, Mjeshtri i Madh u shpreh se përfaqësues të Punëve të Brendshme e kishin cilësuar këngën e tij të pamoralshme, por për fat të mirë, nuk morën masa kundër tij.

“Thashë, mos do haja ndonjë internim. Me një fjalë, kjo ka qenë kënaqësia e kompozitorëve shqiptarë. Pra, ndjeje fillimisht kënaqësinë e emrit, këngës së re, lëvdatave të njerëzve, por të hidhurat i kishe gjithnjë nga pas. Asgjë, nuk kishe të sigurt. Çdo gjë duhej të ishte brenda boshtit të partisë, ndryshe…”

Kompozimet e panumërta të Agim Krajkës, nuk i ka zbehur as koha, as prurjet e gjeneratave të reja… as trendet bashkohore të muzikës.

—————————

Lexo edhe:

KËTO JANË KËNGËT MË TË FAMSHME TË ‘KOMPOZITORIT TË RINISË’, AGIM KRAJKA

ObserverKult