Nga Leon Lekaj
Isha dënue me hakmarrje primitive dhe një ushtri e tanë ishte turrë drejt meje. Shpata të unta prej ndenjes së gjatë formonin rrathë të zjarrtë në ajrin e mesditës. Sa e randësishme ishte me u mshehë?
Vendimi qe i fatit: mundesha me i shpëtue vdekjes, vetëm në kjoftë se e gjithë ushtria do të tregonte mëshirë për mue. Por kalorësit gjithmonë kanë kenë njerëz të shquem dhe fisnikë, e për këtë arsye truni im i alarmuem rreshtonte argumente të buta, regëtinte shpresa të vagëta, me lutje drejt qiellit.
Reja e ndëshkuesve ishte tue mbërritë.
U ula në gjunjë për me pritë vdekjen. Me imitue përgjumjen në një çast të tillë, asht këshillë e vyeme, mbasi nuk ke me u ndie kurrë i qetë në botën tjetër, kur të shofësh se si drejt teje ngulet një shpatë e mprehtë apo një heshtë e gjatë.
Por ç’ andërr komunare kishin pa ata njerëz të hipur mbi kuaj, përderisa në çastin që shpata e tyne kish vu në shënjestër trupin tim, devijonte ajrin e nxehtë? Nuk deshta me besue që ajo shkretëtinë e bardhë, të më dhuronte çast mbas çasti, kalorës mbas kalorësi, ngushëllimin e kohës që copëzohej në mija tmerre dhe imazhe të tërthorta, ku puthitej dyluftimi i supozuar mes asaj që më priste dhe asaj që prisja. Ah! Ç’ gazmend i madh më kishte pushtue, kur shifja që reja e ndëshkuesve tretej në humbëtinën e bardhë, pa e kthye kryet mbrapa. Kishin mbetë edhe pak prej tyne, e tek unë ishte formue imazhi i një balance. Isha tue pritë që pjesa e pakët me iu bashkue të shumtës. Atëherë do ta mbushja atë vend me klithmat e gëzimit, do të zhgërryhesha në ranën përvëluese, me ngazëllimin e vetëm që të jep triumfi i jetës mbi vdekjen. Edhe katër… edhe tre… edhe dy…!
Por nuk ishte e thanë. Kalorësi i fundit nuk iu bashkue turmës që ecte e ecte nëpër ranë. Hapat e tij aspak të drobitun, u ndalën përballë. Pashë vezullimin e majës së shpatës, dhe në çast ndjeva diku poshtë krahnorit, një dhimbje që rritej. Kishte goditë në shenjë. Prej zemrës po më rridhte ngadalë një çurkë gjaku. Ndëshkuesi im çoi kryet nga reja e kalorësve që po tretej dhe shfryu në fjalën “burracakë”. Mandej hoqi përkrenaren. Një palë flokë të gjatë u derdhën mbi gjoksin e çuem dhe më parë se të jepja shpirt, aty, në ranën përvëluese të asaj shkretëtire të bardhë, ndjeva vështrimin ngulmues të dy syve të zinj, metamorfozën e tyne të befasishme dhe një emën, që mbeti diku në kufinin kohor mes trupit dhe shpirtit…
ObserverKult
Lexo edhe: