Mbramë shkriu edhe bora e fundit, e dashtun,
sot rrugica u përmbyt prej kujtimit tand.
Një tufë lejlekësh me sqepat e tyne
dirizhuen uverturën e pranverës
dhe magma e drithërimës
u derdh si e qeshuna jote
mbyllun në zemrën e kohës
që asnjëherë s’diti me hapë portat e veta.
Sot çili vjollca e parë, e dashtun,
po lutjet e mia kaherë
rrugtojnë rrathëve të synit tand
e shuhen nëpër ajër.
Çoji sytë kah qiella,
sa herë të kthejnë lejlekët –
tingujt e tyne të gzimit
mos i len me ra përtokë,
se nuk due me m’u thye dëshirat.
Fillin e dobët të mendimeve
ma kputë gjithmonë kujtimi për ty.
Nuk kam me i lidhë kurrë pikat e ujit
që ma fundosin krejt gëzimin e stinës.
Veç kam me u lutë:
O Zot,
kthejua pranverave shpirtin tand!
ObserverKult
lexo edhe:
ROMANI SHQIPTAR NË PËRGJITHËSI DHE “MURANA” E LEON LEKAJT NË VEÇANTI