Leon Lekaj: Ndjesa


Nga Leon Lekaj

Vite më parë, kur isha ende një emigrant i porsa ardhur, më bëri përshtypje një ngjarje krejt e zakontë, në dukje. Topi i një fëmijë, i cili po luante në lulishten e lagjes goditi një bashkëatdhetarin tim. Pashë se si fytyra e tij menjëherë mori një pamje të rreptë e qortuese. Sakaq, fëmija u afrua dhe duke e vështruar atë në sy, i tha: të kërkoj njëmijë herë të falur.
Pashë, se si në çast, fytyra e tjetrit u zbut, i dha topin në dorë, i shpupurisi flokët, me një gjest dashamirës dhe i tha: nuk ka gjë. Shko luaj me shokët!
Qe përdorur një fjalë magjike.
Falja!
I kthehem rrallë të shkuarës, jo vetëm sepse nuk ndjehem mirë në kufinjtë e saj, jo vetëm për ato çka unë personalisht dhe familja ime kaluam, por më shumë se kaq, për ndërgjegjen e një pjese të madhe të popullit tim, i cili qe bashkëpunëtor në krimet që kryen përbindëshat e territ.
Sipas mendimit tim, alfa e një rifillimi, e rindezjes së motorrëve të një shoqërie që kërkon të bëjë përpara, është ndjesa. Është ajo, e cila mund të zbusë shpirtrat njerëzorë deri në një masë të admirueshme Është ajo, e cila mund të vrasë egërsinë e një shoqërie, e cila duket se ka në ADN-në e saj brutalitetin. Është ajo, e cila të bën të kuptosh se paqja dhe dashuria mes nesh, mund të ishte një mision i mbërritshëm. Mund të ishte diçka e ëndërrueshme. Po si mund të kërkojë ndjesë një njeri i thjeshtë, ndërsa dëgjon eksponentë të partive të inkriminuara, të institucioneve në Shqipëri të thonë se “… ne nuk kemi faj. Ashtu ishte koha”? Apo kur dëgjon thënie të tipit “…im atë ishte në anën e duhur të historisë” nga politikanë, të cilët e kanë të përlyer të shkuarën, me bashkëpunimin e tyre në sistemin që kaluam?
Po cila kohë? A nuk e bëjnë kohën njerëzit? Çfarë duhet të themi? Që M ao Cedung,
Hi tleri, St alini, K im Il Sung, P ol P oti, Enver Hoxha, etj, vranë mbi njëqind milionë njerëz, pa ndihmën e kriminelëve që kishin rrotull tyre? Duhet të themi, se ministrat apo deputetët e tyre qenë në anën e drejtë të historisë?
Për fatin tonë të keq, falja nuk u shfaq, as nga ndonjë institucion, as nga ndonjë parti, as nga ndonjë shoqatë, e as nga ndonjë individ, duke lënë të kuptojë, se civilizimi ynë do të vonojë të duket në horizontin e largët shqiptar.
Po sa ndjesa të tjera i mungojnë civilizimt tonë?
A duhet shoqëria shqiptare që t’ju kërkojë falje nënave, motrave dhe grave tona? Sa herë që mediat transmetojnë vrasjen e një gruaje, trafikimin e një motre, dhunimin e një nëne, aq herë shoqëria jonë patriarkale duhet të ulë kokën me turp. Edhe sot, në kronikën e zezë, u arkivua vrasja e një gruaje. Institucionet tona, ministritë, qendrat e trajtimit të grave, shoqatat e ndryshme e deri tek individi, duhet të kërkojnë falje për gjithçka ka ndodhur dhe po ndodh sot me nënat, motrat dhe gratë tona. Ato duhet të bashkojnë rreth vetes, jo militantë, por njerëz me diapazon të gjerë, të cilët ta udhëheqin shoqërinë tonë drejt një mentaliteti evropian.
Po kush i kërkoi ndjesë fëmijëve tanë, të cilët morën rrugën për kërkimin e një jete më të mirë, duke braktisur shtëpitë e veta, lagjet, qytetet dhe në fund edhe atdheun tyre? Dëgjojmë shpesh vetëm statistika shtetërore, të cilat kanë të bëjnë me sukseset, por kush prej nesh, cili ministër, apo kryeministër, ka kërkuar falje, për këtë klimë armiqësore, të cilën politikanët tanë dhe vetë ne, me mos civilizimin tonë ju a krijuam atyre?
Po prindërve tanë të mirë, atyreve të urtëve, atyreve që shkrinë jetët në një stërmundim vitesh dhe befas u gjendën në kryqëzime të trishtueshme udhësh, duke kërkuar në indiferencën e kësaj shoqërie që po ndërtojmë, jo mëshirë, por pak dashuri, kush ju kërkoi falje? Ata, të cilët punuan një jetë të gjithë dhe një pjesë e madhe e tyre marrin pension mujor, më pak se ç’merr një ministër në ditë? Ata, të urtët, të cilëve pas pesëdhjetë viteve punë, duke rendur pas ëndrrave të disa delirantëve aventurierë, sot ju dridhet dora të pinë një kafe, me bashkëmoshatrët e tyre?
Cili prej institucioneve të shtetit ju kërkoi falje atyre për masakrimin ekonomik dhe atë trajtimit në përgjithësi? Bota e kulturuar, tek e cila aspirojmë të shkojmë, ka qendra të specializuara për moshat e treta, tek të cilat, ata, mund të vrasin sadopak vetminë, në shoqërinë e njëri-tjetrit. A ju ka kërkuar falje kush atyre njerëzve, të cilët në kushtet e reja janë të braktisurit e mëdhenj?
Ndjesa është një fjalë magjike. Vetëm kur shoqëria jonë do të fillojë ta përdorë atë, ne si popull mund të kemi shpresë se diçka do të ndryshojë.

Athinë, 05/08/2024

ObserverKult


Lexo edhe:

SYTË E TRISHTË TË SHOKUT TIM, TREGIM NGA LEON LEKAJ