Leon Lekaj: Sinqeriteti asht’ arma ma e fortë në duart e nji të ndershmi!

Leon Lekaj
Leon Lekaj

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Leon Lekaj.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Po ajo ide që kam për universin. Në opsionin tim e përkryemja asht brenda kuotave të pafundësisë.

Cila është frika juaj më e madhe?

Të mbetunit anonim.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Milan Kunderën. Asht shkrimtar që shkruen shumë, por flet pak. Edhe intervista e tij janë të rralla.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

At Gjergj Fishta, si kryetari i Kongresit të Manastirit. Shkëputi Shqipninë prej thonjve të lindjes dhe ia ktheu atë Evropës.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Gjindem jo rrallë në krahët e pasivitetit dhe ndjej që kjo gja më nervozon.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Ai që mishëron nënpunsin Uriah Heep tek “David Kooperfild” të Dickens-it.

Në cilat gjëra e teproni?

Në dashuni. Jap shumë dashuni me sy mbyllë (kur i hap, fillon gjumi me më marrë).

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

… për të ndërpre ligjëratën e dikujt që nuk din me u ndalë tue folë, kisha me kërkue një shkak banal për tu largue, pa pasë brerje ndërgjegjeje.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Nga fraza e shkurtër tek fjala, e deri tek heshtja.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Sinqeriteti asht arma ma e fortë në duart e nji të ndershmi, por në kto kohë, njerëzit nuk janë shumë zemërgjanë me “të armatosunit”.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Kur isha në Liceun Artistik të Tiranës, kam ndigjue mësuesen e solfezhit tue i thanë nanës sime “e kam asin e të gjithë nxanësve”. A mund të mos më vinte keq që ma ndërprenë andrrën për tu ba muzikant?

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Nji grua e bukur, e cila ka ditë me lexue edhe heshtjen time.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

E konsiderueshme, deri sa mbërrij me krijue…

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Mendoj se gama ime e perceptimit të s’ bukrës asht shum e kufizueme. Sikur të ishte pak ma e gjanë…!

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Një vals, Magic nihgts, kushtue netve të festivalit të letërsisë në Orllan, Prishtinë-FLO, të cilin e kam kompozue në kohën kur isha i ftuem si poet.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Ditën që u arrestue im atë.
Do t’ju citoj një poezi, për me i dhanë lexuesit me kuptue thelbin e ksaj përgjigjeje.

PIANOJA


(Për ditën kur morën pianon mbas arrestimit të tim eti)
Pianoja nuk klithi,
kur duer hamejsh e ngritën,
veç tingujt, si fjolla të tejdukshme,
pështjelluen ajrin,
të çuditun
prej marrëzisë njerëzore.

S’e kish fort të lehtë
të përshtatej me zbritjen
nën pikëllimin e syve që ndiqnin
ikjen e heshtun pa kthim.
Një tel diçka tha për padrejtësinë
me za të fortë.
Tendosi muskujt e zemrimit
në shenjë proteste
dhe u vetëflijue.
Vetëm atëherë pianoja klithi
me tingull si fillim i një rekuiemi.
Përvajshëm!
E më la kujtim një copë shkall’ të thyeme
që ta shifja çdo ditë
kur ajo t’ më mungonte.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Një sferë. Është hermetike. Nuk ka gojë dhe din me heshtë mrekullisht, sado dhimbje me pasë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Imazhi i fminisë, i vetmi i mbetun i virgjën.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Kur një popull nuk din me gjetë rrugën e vet dhe duhet ta marrin të tjerët për dore.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Në një ishull të ngjashëm me atë të Kruzos. Askush nuk të pyet dhe askush nuk të detyron me folë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Me lexue mirsinë e të tjerëve nëpërmjet syve. Ajo më gjuen me shpejtësinë e vetimës.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Mënyrën se si din me çmue një grue.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Atë që nji burrë shpesh e ka të vshtirë; mënyrën me të cilën mbërrin me mposht zhgënjimin.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Nji franko-algjerian, i cili përmbyti gjith’ arkivën time të leximit vetëm me njiqind faqet e romanit të tij “I Huaji”; Albert Kamy. Tronditja e librit të tij nuk më ka kalue akoma edhe sot, pas tridhetetre viteve.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Ata që japin shumë shoqnisë, por që modestia i mban brenda mureve të heshtjes.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Talentin që ban sa ma shumë njerëz të lumtun.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Si një milingonë. Kështu vdekja ime nuk do të trishtonte askënd.

Cila është motoja juaj?

Me hedhë tej gunën e anonimatit, të cilën çdo kush e mbart me vedi qysh prej lindjes.

ObserverKult


Lexo edhe:

ILIR SHAQIRI: PRISHTINA, QYTETI QË T’PUSHTON ME T’PARIN PËRQAFIM!