Leon Mirakaj me shkrim prekës dedikuar nënës: Asaj e mijëra shoqeve e bashkëvuajtësve të cilat kaluan mes vështirësive të pafundme…

Nga Leon Mirakaj

Këtë shkrim ia dedikoj mamas time, Valbona Çoku Mirakaj. Asaj e mijra shoqeve e bashkëvuajtësve si ajo të cilat, kaluan mes vështirësive të pafundme por me dinjitet, kalvarin e persekutimit komunist.

Mamas e dhjetëra Luba-ve, Natasha-ve e Lana-ve, vajza e zonja që si ime më, vuajtën absurdin e një regjimi kriminal e absurd.

Në foto, mamaja ime në moshën kur u internua si dhe aktorja e pjesës teatrale,” Luba”.

Vali, Vali!

Vajza e re zgjati kokën nga dritarja. Kishte veshur një fustan që sapo ja kishin qepur. Ishte gati për të shkuar në mbrëmjen e vallëzimit me shoqet.

Në rrugë poshtë saj, iu bë se pa një zog të madh të zi.

-Kush jeni? Unë jam Vali

“Luba, Lubaaaaa”!

Jam ulur në platen e teatrit “Kujtim Spahivogli”.

Regjisori, nisi të shpjegojë teknikën e kësaj drame që kish vënë në skenë. Drama titullohej , “Luba” me tekst të Ylljet Aliçkës.

Teknika e dramës, si mbas shpjegimit të tij i qe marrë “borxh” një invenzioni terapeutik të viteve ’70 në Amerikë. Pacientët, kryesisht njerëz që kishin kaluar trauma të forta, i adresonin tek psikoterapeuti e ai, nëpërmjet personave të specializuar, interpretonte para tyre dramën e tyre.

Kjo teknikë, me vonë ishte përvetësuar edhe nga shoqëri teatrore nëpër botë.

Një e tillë po vihej në skenë ndërsa isha në teater me time bij e motrën.

-Kush më kërkon?

-Ti je Vali!?

-Po.

“Mirë-zëri i zogut të zi, që tashmë prej nga dritarja ku vajza e shikonte kishte edhe një kapele në kokë, ishte bërë më i butë.

-Jam i plotfuqishmi i lagjes- duhet të paraqitesh në ora 12 në rajon.

U largua po aq shpejt sa qe dukur në dritare, pa pritur përgjigje.

Vajza pat ngelur e kapur me të dyja duart në parvaz. Nuk kishte kuptuar ende pse e çfarë po ndodhte. Ç’qe ajo thirrje. Madje e harroi në çast. Hodhi sytë nga rruga. Shoqja ende nuk po dukej. U fut brenda .

-Kjo teknikë e re qe kemi adoptuar- vijoi të shpjegonte regjisori, ka të bëjë pra me një terapi, një lloj katarsis që i propozohet publikut nëpërmjet rrëfimit e interpretimit tonë.

Do i lutesha, cilitdo prej jush, që të vinte në skenë, nese ka një histori të rëndësishme për të rrëfyer.

Ta bëjë!

Aktorët tanë do mundohen ta inskenojnë historinë tuaj në bazë të asaj që ju do rrëfeni.

Heshtje e thellë në sallë.

-Kush ishte? -i tha gjyshja ulur në një cep të divanit.

Lena!?

Jo, -tha vajza, ndërsa ishte para pasqyrës e po regullonte flokët.

– Jo, i plotfuqishmi i lagjes.

Dora i ngeli mbi flokë e as vetë nuk e kuptoi përse.

Ndjeu një kërcitje të fortë të divanit.

Heshtja vazhdoi disa sekonda.

Me bishtin e syrit, pash time motër e vajzën.

Edhe pse e realizova në çast, pjesa tashmë kishte filluar e gjithshka ishte pjesë e skenarit. Tundimi qe i fortë.

Desha të çohesha.

“Ja, ndoshta ka një person nga salla që do të flasë.

Pra ka diçka për të treguar”.

Nga salla u shkëput një vajzë e re.

Ndjeva një si shkrehje brenda vetes.

Por, edhe një të dytë përreth meje. Salla qe shtendosur.

Vajza e re u ngjit në skenë.

-Si quheni?

-Luba- u përgjigj ajo.

Oborri i rajonit ishte një rrëmujë e vërtet. Njerëz që vinin e shkonin.

Vajza me fustanin e ri qëndronte ulur në një stol aty.

Askush nuk i qe afruar më.

Kur hyri e u paraqit, polici i dezhurnit e pa gjatë nga koka te këmbët e i tha të priste.

Kishte dy orë aty.

Prindërit adoptiv banonin disa orë larg Tirane, se ajo nuk dinte ende nëse ishin lajmëruar nga familja ku aktualisht jetonte. Kushurinj të saj.

Në skenë Luba kish filluar të rrëfente historinë e saj.

Një ruso-ukrainase e martuar me një student shqiptar.

Kish ndjekur atë në kthim e së bashku jetonin diku në Shqipëri.

Kishin një vajzë.

Ai qe inxhinier i zoti e punonte në një minierë të rëndësishme pranë një qyteti të thellë povince.

Një polic, blu në të zezë, më shumë pinguin se zog i stërmadh i zi, kështu ju duk asaj, u afrua

-Ti je Vali Ç?

-Po, unë jam.

Jeni e internuar në Lushnje. Në degën e brendshme atje, do ju njoftojnë

Stoli ku qe ulur, iu bë prej letre.

Po pse?

Ku duhet të shkoj?

Pse atje?

Une jam nxënëse në vitin e tretë të gjimnazit. Në Lushnje !?

Polici u largua në një si vrimë të vogël të errët, mbrenda rajonit.

Luba rrëfeu historinë e saj.

Si ajo e i shoqi ishin dërrmuar pak nga pak prej gjithçkaje që i rrethonte.

E keqja, i kish brejtur ngadalë jetën e sapofilluar.

Smira, injoranca, dëshira për të parë dikë keq si vetja, kish ngjallur gjithë instiktet shtazarake të banorëve të qytezës. Projeksioni i së keqes tek ta, qe palosur mbi normalitetin që çifti e fëmija i tyre, po përpiqeshin të ndërtonin.

Regjimi që si gjithmonë kanalizonte e perfeksiononte këtë të keqe, qe gati si pjesë ekzekutive e kësaj menxyre që po i afrohej çiftit të ri.

Makina ishte një Zil i vjetër rus.

Vajza qe ulur në fund të tij.

Në spondin përballë, nje polic pinte një cigare i përhumbur në mendime.

Për herë të parë asaj dite ndjeu të ftohtë. Flokët, ato që i kish rregulluar aq bukur për mbrëmjen që priste te kalonte, i mërdhinin deri në rrënjë.

Mbas disa orësh ishte në Lushnje, në Degën e Punëve të Brendshme.

Polici kërceu nga makina poshtë e i hapi spondin.

U ul në tokë, por nuk e ndjeu atë nën vete. Ishte krejt e papeshë.

Skenat ndiqnin njëra-tjetrën. Banorët e puntorët e minierës , nën “udhëheqjen e sekretarit te partisë, po kryqëzonin me akuza nga me absurdet, inxhinierin.

Fati i tij tashmë qe një re e zezë pa shi.

E mbarsur me flakë rrufesh të pa ngjyrë e me bubullima, si lehje qensh.

Gjithçka e përcaktuar.

Në gostinë e qenve, secili kish copën e tij të shqyer.

Banorët, inxhinierin e pafat.

Të paaftë te kuptonin pse gjithçka në jetën e tyre qe mbrapsht, urrenin jetën normale të inxhinierit të ri.

Qe me kollaj të shkatërronin atë, se sa të shihnin ku qe faji i mosfunksionimit të asaj tyre.

Aftësia e regjisorit ishte përzgjedhja e aktorëve.

Të gjithë duhet të ishin studentë që sapo kishin mbaruar artin dramatik.

Do isha ndjerë komplet në siklet, nëse interpretimi do më vinte nga aktorë tashmë bajat e të mplakur.

E imagjinoja atë që do bënte sekretarin e partisë.

Një rol që kushdi sa herë e kish bërë vite më parë, duke e servirur si modelin e njeriut të ri.

Herë mbas here, ndërsa Luba rrëfente historinë e saj, ndjeja ngashërimin e s’ime bije.

Nuk doja të ktheja kokën.

Ishte radha e saj sot.

Ishte ajo që do donte të ishte në skenë e të rrefente historitë, sa e sa herë të dëgjuara nga gjyshja.

Ulur në tavolinë, qe kryetari i Degës së Punëve të Brendshme. Nje burrë i madh e i paflokë, me dy dhëmbë që i zgjateshin dhunshëm nën buzë.

-Ti je armike e popullit

17 vjeç?

E pastaj!?

Armike je. Armik është yt’at atje në Itali e armike jot’ëm .

Atë do ta shohim, nëse ke bërë a jo. Atë e di partia.

Ti do vesh në internim.

Ashtu eee!?

Ta kishte menduar yt’at e jot’ëm që veprojnë si armiq të egër kundër pushtetit popullor atje.

Ta kishin menduar ata që të lan vetëm. Duhet t’i thuash faleminderit partisë që po të lë një çati mbi kokë.

Po. Do vesh në një kapanon më të tjerë armiq si ti.

Luba tashmë ishte ulur në një karrige. Përballë hetuesi, që me sy çakalli i vështronte gjinjtë e kofshët.

Të njëjtin vështrim të uritur të banorëve zomby.

Po i kërkonte një leje të shihte në burg të shoqin. Qe e dërrmuar.

Nuk qe e re për të kjo gjë, por violenca qe e pa krahasueshme.

Gjithsesi vinte nga një vend i kampit socialist, ku burgjet e internimet ishin gjithmonë mbas derës.

Ndërsa kryetrai i Degës i komunikonte që qe e dënuar, me pesë vite internim në kampin e Savrës, në të majtë të saj, si një gjysëm hije, ndjeu prezencën e dikujt. Ktheu kokën.

Nje burrë i shëndetshëm me flokë të ngritura sipër si furçë e ashpër, gulçonte. Qafa ju duk e djersirë dhe sytë nën gjysëm errësirën e dhomës edhe më të kuq.

U çua në këmbë në të njëjtën kohë me vajzën e me një shikim të pa ngjyrë i tregoi derën.

Kryetari ndërkohë palosi me shumë kujdes disa fletë, i nënshkroi, i vulosi e në një dosje të lidhur bukur, i sistemoi.

Mori me kujdes në duar dosjen dhe e vuri në sirtarin anash tij.

Kishte kohë që nuk shihte me vajzën.

E hutuar ndoqi me sy dorën e burrit që djersinte në qafë e doli nga dera.

Luba lajmërohet nga rojet e burgut, pjestar të denjë të banorëve të qytetit, se burri i saj kish vdekur në burg.

Salla më dukej si e mpirë.

Ngashërimit të vajzës i qe shtuar edhe ai i s’ime motre.

Duartrokitje në sallë.

Shfaqja mbaroi e aktorët përkuleshin në shenjë falenderimi.

Ime bijë vazhdonte të fshinte lotët.

Mbas saj, një gjuhëtar i shquar, protagonist i “drejtshkrimit 72”, regulloi kapelen mbi kokë e po bëhej gati të dilte nga salla.

Jo shumë ditë më parë i kisha lexuar një intervistë me ditrambe për kohën e diktaturës e për vet diktatorin.

Mbi fustanin e mbrëmjes kishte hedhur krahëve një triko që në vrap e sipër, gjyshja kish mbërritur t’ia jepte.

I thanë të priste aty.

Do vinte nje karrocë me kuaj e cila çonte bukën ne fshat.

Do hipte te ajo e pastaj me të mbërritur, do paraqitej te kryetari i këshillit të fshatit.

Salla pothuaj qe boshatisur e spektatorët m’u dukën të ngacmuar nga pjesa. Falenderova autorin, të cilin e gjeta te dalja.

E përgëzova.

Si disa të tjerë, autorë e regjisorë, kishte kapur e zhvilluar këtë temë nga e kaluara jonë e tmershme nën diktaturë.

Një gjë për tu lëvduar kjo.

Ajo që nuk e veçonte nga të tjerët, qe zgjedhja e personazheve.

Qenë gjithmonë ish njerez të regjimit, palë me të, ose prodhim i tij, që me dramat e rënies se tyre, krijonin subjekte.

Drama e mijëra shqiptarëve të tjerë, ish kundërshtar të vjetër të regjimit, nuk kishin pothuaj fare qasje në penën e tyre. E kam menduar gjatë këtë gjë.

Ishte një vazhdim i persekutimit nga regjimi e prodhimet e tij kulturore a, diçka tjetër, më e thellë

Jam bindur së fundmi që nuk është vetëm një (retazh) i ish regjimit.

Zgjedhja e një gjenerali bunker, me grua polake, të Lubës ruse, a një të huaj tjetër, brenda këtyre skenarëve, ka diçka tipike shqiptare.

Pikërisht të atyre banorëve që smirëzoheshin a ngacmoheshin në një farë mënyre nga diçka jasht tyre.

Nga një e huaj.

I veti, i ngjashëm me to, nuk i ngacmonte.

I trembte .

Ishte pasqyra ku shiheshin në shëmtinë ku të gjithë kishim përfunduar nën regjim.

Ndaj, më kollaj i huaj.

Më kollaj një i këtyre 45 viteve prodhim. Ata “më mbas”, na kujtojnë lirinë e humbur, qytetarin e humbur, krimin e kryer.

Jo, më kollaj këta të këtyre 45 viteve. Nëse do duhet t’i justifikojmë a t’i sulmojmë në një të ardhme, dimë çfarë duhet t’u themi.

Ishin si ne.

Viktima të asaj që krijuam.

Jo krejt të pafajshëm.

Epilog:

Ajo qe bërë sa një grusht, ulur në karrocën e bukës që po nisej.

Babai, një ish luftëtar i rezistencës antikomuniste, ishte arratisur në Itali me gjithë të ëmën në një histori nga më rokambolesket.

Tipike për t’u treguar nga shkrimtar që do u pëlqente tema e narrativa me të papritura mbas çdo cepi.

E ndjente veten tashmë të braktisur nga gjithçka.

Më të pambrojtur se kurrë.

Ndërsa kuajt ecnin përtueshem në rrugën që e njihnin në memorje tashmë.

Bash në dalje te qytetit, në trotuarin përballë, kish ndaluar burri me qafën kuqe gjithë djersë që pa në dhomën e kryetarit të Degës së Brendshme.

Nën dorën e tij të zgjatur e gjithë qime te bardha, qe kapur një vogëlushe, diku te 5-6 vjeç.

Ai eci me vajzën përkrah karrocës për një copë të vogël rruge, pa e kthyer kokën fare.

Vetëm mbas disa metrash, aty kur rruga merrte për të dalë nga qyteti i vogël e ku në të djathë qe një pastiçeri, ktheu kokën nga karroca.

Dukej sikur shihte përtej saj .

Qe vetëm një moment.

Asaj sytë e tij iu dukën më të kuq e më të lëtyrt.

Me vajzën e vogël përdore, ai u fut në një rrugicë aty pranë. Ajo mendoj duhet të ishte shtëpia e tij.

Ishte 19 Gusht 1961.

Ajo ndjeu prap ftohtë.

Karroca gërrviste rrugën nën trokun e dy kuajve.

Një i kuq e një i zi

ObserverKult


leon mirakaj

Lexo edhe:

LEON MIRAKAJ: I DASHURUEM JAM ME TY…

Jam thjesht i dashuruem me ty
Askush s’kish për ta kuptu
pse.
As un tuj fol ndër vedi.
Kam krejt yjet kundër,
janë kundra meje e qiellit
asht lamsh,
e dashtun kjo botë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult