Leonard Cohen: Montreal 1964

A mundet dikush t’ia ndalë zërin kësaj katrahure?

Margaritarët po rriten në gjoksin e saj,
të lëmuar dhe të mprehtë,
derisa ajo po merr frymë,
e thonjtë e mi derisa po rriten, vajtojnë,
kam frikë se do bëhen kthetra.

Shtrati im po tymon si një vrimë!
Ne nuk do të ngjitemi më atje lart për të bërë dashuri, këtë e di edhe ti.

Rrugët mallëngjehen nga veprimet fisnike në trafik,
ndërsa çdo ngjyrë e kuqe më ngjan se do të bëhet flamur.

E policët me armët e tyre të ftohta po na shfaqen si n’filma aksion!

Pyes një njeri për kohën
zëri ngjan i ngjizur:

-Çfarë dallavere.
-Çfarë kurdisje e çuditshme,
-Vetëm Lufta Civile, mund t’i ndal të gjitha këto.

Shpifjet vazhdojnë performancën në jetët tona të përditshme.

Kanada është një kafshë që po ngordh!
Dhe unë nuk dua të jem i mbërthyer pas një kafshe që po ngordh.

Këto lloj gjëra duhet të thuhen,
edhe pse do të ma ndryshojnë jetën, mendoj,
edhe kur fqinji im i çmendur, bashkë me mua
thërret kundër dështimeve amerikane.

I druhem zërit prapa flamurit që e tërheq,
në qiellin e bardhë.

Poezitë e mia,
kam frikë se do të marrin fund në ndonjë strehë.

Fluturimi im zvarritet si pe i vjetër peshkimi,
dhe unë qëndroj në gjendje statike.

Nuk kam çka të mendoj tjetër,
përveçse të shërbej kundër kësaj logjike.

Përktheu: Adelina Çoçaj Ismaili