reklamë

Leonora Buçinca: Letër poetit që shkruan ndër yje

leonora

𝐋𝐞𝐭𝐞̈𝐫 𝐩𝐨𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐪𝐞̈ 𝐬𝐡𝐤𝐫𝐮𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞̈𝐫 𝐲𝐣𝐞

​I dashtuni mik, poet, atdhetar e Mjeshtër i fjalës t’naltë, Adem,

​Po t’shkruej prej kësaj ane t’mjegullt, ku dielli doket ma i ftohtë që kur ti ke mbyllë sytë.

Po t’shkruej në gegnishten e Drenicës tonë të bardhë, në këtë gjuhë rranjësh e gurësh që ti e lëmove si me kjenë ari, tue i dhanë shpirt shumë poezie e shumë kange.

​Dije, o Adem se kjo anë asht ba e vështirë pa ty. Letërsia nuk asht ma letërsi, asht ba nji fushë e shkretueme ku mungon nji za që din me i dhanë emën gjanave.

Unë e kam thye lapsin nji mijë herë, se m’duket kot me rreshtue fjalë kur ti nuk je ma këtu me i këndue me atë urtësinë tande t’parme e me m’tregue ku jam mirë e ku jam keq; ku jam e ku s’jam!

​Por due me t’thanë nji gja: Askush s’t’ka harrue. Emni yt asht ende nji kushtrim ndër miq. Berati, Emini, Afrimi, Isufi, Izeti, Pali, Hekurani, Majlinda, Evah, Vahidi, Samiu e shumë tjetër…njajt, si unë…..me zemrën plot mungesë e dhimt’.

Berati e Izeti t’a kanë publikue nga nji libër këto muajt e fundit. Dhe Shkëlzeni të Hejza po të përkujton shpesh me nji nga perlat qi na ke lanun pas!

Donika, Donikë! Po ban tërmet sahere po e lyp vendi e kuvendi emnin tand. Shokët tanë nuk të kanë harrur asnjiher’- kanë bánun punë të shkëlqyer, ashtu siç të pelqe ty, ashtu sikur ti e meriton. Më Grigorin besoj që tashmë je taku….deri nji javë para se me ikun llafin tand e kemi pasun.

M’beso, kur po mblidhemi, këtu, në murin e këtij ditari, heshtja jote asht ma e naltë se fjalët tona. Ti je ende këtu, nëpër faqet e librave që na le si trashëgimi, nëpër nji atdhedashni qi nuk vdes, e nëpër kujtimin e nji miqësie qi s’ka pasë nevojë për shumë fjalë me u marrë vesh.

​Mos mendo se jemi t’ndamë. Çdo herë që era fryn mbi malet tona e sjell nji varg të vjetër, ne e dimë se je ti që po na kujton se poezia nuk asht e vdekun, por asht ba frymë.

​Po t’shkruej me shpresën e madhe se nji ditë, kur të vijë koha jeme, kemi me u ulë përsëri bashkë. Pa dhimbje, pa vdekje, veç me nji fletë t’bardhë përpara e me atë dashni t’madhe për gjuhën tonë qi na bani vllazën.

​Deri atëherë, mbetsh në dritën e amshueshme, Mjeshtër. Je gjallë në çdo germë që kemi nda.

​Me mall e me besë t’përjetshme,

Mikja e lexuesja jote besnike!

𝐋𝐞𝐨𝐧𝐨𝐫𝐚 𝐁𝐮𝐜̧𝐢𝐧𝐜𝐚

#𝐎𝐛𝐬𝐞𝐫𝐯𝐞𝐫𝐊𝐮𝐥𝐭