
Posta e Kosovës ka lëshuar të enjten në qarkullim postar emisionin e pullave postare me titull “Arti figurativ”, në nderim të artistit Agim Salihu.
Motivet e pullave postare bartin imazhet e veprave të Agim Salihut, të cilat karakterizojnë një stil të veçantë grafist të bazuar në burimet e frymëzimit, të cilat shpesh herë janë të tërhequra nga udhëtimet në mjediset e përditshme.
Për krijimtarinë artistike, Agim Salihu është shpërblyer me çmime të shumta në bienale ndërkombëtare, ndërsa është vlerësuar si profesor dhe grafist nga institucionet prestigjioze të arteve të bukura të SHBA-së, prandaj jo rastësisht ka arritur që veprat e tij të jenë pjesë e koleksioneve të çmuara në Japoni, Kroaci, Itali, Portugali, Kinë.
“Pjesë e këtij emisioni të pullave postare do të jetë edhe Zarfi i Ditës së Parë, ndërkaq në qarkullim postar do të jetë deri në konsumimin e plotë. Posta e Kosovës vazhdon të promovojë vlerat artistike të vendit në botë, duke ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë emision të veçantë filatelik”, thuhet në njoftim.
ObserverKult
Lexo edhe:






