Lëshohet në qarkullim pulla postare kushtuar kantautores e gazetares, Violeta Rexhepagiqi

Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Personalitete – Violeta Rexhepagiqi”.

Kjo për nderim të gazetares dhe kantautores avangarde të rok skenës kosovare të viteve ’80-ta. Kështu ka njoftuar Posta e Kosovës përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Violeta Rexhepagiq u lind në Prishtinë, në shkurt të vitit 1965. Karrierën muzikore e filloi në fëmijëri, si interpretuese e rreth 40 këngëve për fëmijë. Ndërkaq, në vitet e ’80-ta solli një stil unik dhe avangardë në rok skenën kosovare.

Ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së ish-Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”, njëherë me grupin “Vivien” dhe njëherë si soliste.

Përpos si interpretuese, Violeta ishte autore dhe gazetare e disa emisioneve në Televizionin e Prishtinës. Me mbylljen e TVP-së, Violeta angazhohet nga Skynews si raportuese nga zonat e luftës. Pas luftës në Kosovë, e vazhdoi veprimtarinë në lëminë e gazetarisë në RTK, deri më ndarjen e hershme nga jeta në vitin 2020.

Posta e Kosovës më tej njoftoi se përmes Filatelisë së saj edhe në të ardhmen do të nderojë personalitete të shquara, me të cilat do të afirmojë vendin tonë në gjithë botën.

ObserverKult


Lexo edhe:

NË NJË VJETORIN E VDEKJES, ALBAN NIMANI I KUSHTON KËNGË VIOLETA REXHEPAGIQIT

Kjo është kënga “Vjollcat” e këngëtares Violeta Rexhepagiqi, e ripërpunuar dhe kënduar nga Alban Nimani.
“Ky asht’ nji dedikim për një diamant që e ka pas’ Kosova, e cila vdiq para nji viti”, thekson artisti Nimani.
Ai bënë të ditur se kjo megjithatë është demo e realizuar në shtëpi, gjatë izolimit viti e kaluar.

 Me këtë ripërpunim & video modeste të realizuar nga: Alban Nimani, Lum Çitaku, Armend Smajli, Tristan Halilaj, Dardan Ibrahimi, që shfaqet në një vjetorin e vdekjes së artistes, përkujtojmë dhe shprehim mirënjohje për kontributin e Violetës në skenën kulturore dhe alternative!”, thuhet në shënimin përcjellës të këngës në Youtube.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult