Nga Bardhyl Zaimi
Edhe sivjet dhjetori më rrëqeth ëmbël me topthat e kristaltë të fantazisë. Lëkura ime nga viti në vit bëhet më e ndjeshme dhe ndjej çdo vibrim në ajër. E ndjej një flatër zogu se si e rreh ajrin përrallor dhe pikëllimin e pemëve që dënesin të vetmuara. Çdo mëngjes i hapi dritaret e ëndërrta të shtëpisë prej bore ku guduliset fëmijëria. Një qiell pa yje nuk është një qiell, por një fantazi e shuar që përhapet si një mendim i errët i të rriturve.
I dashur Babadimër,
Kur t’i zbret nga majat e kristalta të ishullit prej dëbore dëshirat shndërrohen në zogj të mërdhirë që kërkojnë thërrime për të mbijetuar. Në qetësinë tënde shoh paqen e natyrës, lojërat e pafundme të saj që vijnë ngarkuar mbi drerët këmbëshpejtë. Sa larg më bartin drerët e tu ngjyrë toke që shkelin përmallshëm mbi kristalet e borës. Çdo kristal shndërrohet në flutur të bardhë që luhatet në ajrin e qashtër të fëmijërisë. Gjithçka duket se flet me një gjuhë të përkryer tingujsh të përtejmë të paprekur nga vrazhdësia njerëzore.
I dashur Babadimër,
Të rriturit nuk kanë kohë, ata janë të zënë dhe nuk të honepsin. Iu dukesh trashaluq, një babaxhan që zhgaravitet në borë për të argëtuar fëmijët. Vetëm nganjëherë të hudhin një buzëqeshje të zbehtë nga deti i ngrirë i fatntazisë së tyre. Ata nuk besojnë, janë të ngurtë në dëshirat e tyre. Por, unë e di se ti mbledh kristalet më të largëta të dëshirave dhe na i sjell në ishullin tonë prej dëbore. Gjithë ato yje të shndritshëm ke në thesin tënd të magjishëm.
Unë e ndjej te im bir shikimin kërkues që pranë paq në pamjen tënde botëformuese. Ai të kërkon diku mbi tastier, në botën e pafundme të arratisë teknologjike. Edhe sivjet nuk e di nëse do të takojë, por ia ndjej në ajër pulsin e dëshirës dhe shkëlqimin e pritjes që i shfaqet në bebzat e syrit.
I dashur Babadimër,
Mes shumë punëve tjera të një rrituri sivjet e kisha patjetër të të shkruaj. Bota jonë gjithnjë po bëhet më e vrazhdë, më e padurueshme dhe konkrete deri në çmenduri. Kemi nevojë për pak magji, për pak kristale të largëta për ta lumturuar fëmijën e përhershëm brenda nesh! / ObserverKult