Nga Entela Kasi
E dashur Elvana,
Të qeshim fort mike, aq sa të mundemi, madje përtej fuqisë të durimit, sepse e qeshura shpërthyese është e bukur! Ata kanë një mosdurim ndaj syve plot dritë e plot jetë!
Ti e di, ata janë po ata, të njëjtë, për t’u mëshiruar sepse jetojnë me kujtesën e krimit. Janë si Makbethi, s’mund të jenë ndryshe! Mjeranë e gjakprishur , janë.
Le t’i përfytyrojmë siç janë! Të çnjerëzuar! Në qenien e tyre ka kujtesë krimesh! Janë antinjerëz! Antinjeriu , mikja ime ka pamjen, formën dhe përmbajtjen e tyre!
Ti e di, të gjithë ato personazhe të letërsisë së shkëlqyer, që historia i ka shënjuar si vrasës, janë për keqardhje!
Në kujtesën e botës dhe të kohës, shkrimtarët mbeten të mërguarit e mëdhenj. Në ekzil, Ovidi, Eskili, por edhe Dante Alighieri.
Letërsia ka fuqi të jashtëzakonshme. Kryeveprat e artit po ashtu.
Regjimet autoritare, kanë një mosdurim ndaj shkrimtarëve , këtë e kemi të dëshmuar nga historia e letërsisë dhe nga kujtesa e botës.
Këtu, në këtë vend ku jam, të gjithë shkaktarët e dramave më vjen t’i qaj për pamundësinë e tyre për të qenë njerëz. E kam fjalën për ata që kryen krime në emër të popullit, ndaj popullit!
Isha në Jerusalem, për letërsinë, kujtesën, vizionin. Miqtë tanë më pyesnin për ty , për Agronin. Ka qenë data 19 Nëntor kur ne flisnim për ju të dy, për librat , përkthimet, studimet, punët e artit.
PEN International, në Londër ka nisur një e-mail dhe një thirrje për të shkuar letra për shkrimtarët në botë të cilët janë të burgosurit e kohëve moderne, por edhe për shkrimtarët të cilëve u rrezikohet jeta për shkak të punës dhe veprës së tyre.
As në ëndërr nuk do të kisha dashur të besoj, se në këtë periudhë fundviti, do të ishit ju, miqtë e mi, Agroni, ti, fëmijët tuaj ( yjet e bukur , mrekullia krijuar prej dashurisë tuaj), të rrezikuar për jetën. Tashmë kjo është e vërtetë! Kjo është e vërteta e Shqipërisë të shekullit që jetojmë, e këtij kaosi moral të shoqërisë politike e cila ju dënoi me ikje!
Më kujtohet Salaman Rushdie, nga vitet 80. Po rilexoj jetëshkrimin e tij ‘ Joseph Anton’. Më kujtohet sot Orhan Pamuk. Më kujtohet gjithçka në këtë kohën kur ju jeni sot të mërguarit e mëdhenj në kohën që besohej se ishte koha e lirisë.
Në fillim të gjithë kësaj të shkrova: të qeshim fort mikja ime, sepse fuqia shpërthyese e jetës mbase i ndihmon ata, antinjerëzit të dinë të jenë humanë.
Të kujtohet kur në shkolla në kohën e diktaturës, në lëndën e biologjisë na thuhej se njeriu e ka prejardhjen nga një lloj majmuni? Mbaj mend që kur na u dha si mësim diçka e tillë , shkova tek im gjysh . Ai mbështillte duhan me një gazetë të asaj kohe. Ishte dimër. Me duart që i dridheshin jo nga pleqëria por nga prangat me të cilat e kishin shternguar gjatë, dikur… më pyeti, pse isha ashtu me sytë ngulur në fytyrën e tij.
E pyeta nëse paradhësit tanë ishin ai lloj majmuni që na kishin dhënë si mësim në orën e biologjisë. Im gjysh qeshi fort, pastaj tha: Nuk është ashtu! Mos mëso gabim! Pastaj më kërkoi librin e biologjisë, grisi fletët, e mbështolli duhanin, bëri të tjera cigare.
Im gjysh është tash një re e bardhë mbi kokën time. Në mendimet e mia jeni ju ,familja e bukur krijuar nga dashuria. Jeni plot dinjitet dhe kujtesë , plot dritë!
Ne besoj se do të takohemi në Londër, në fillim vjeshte të vitit 2020, në Kongresin e PEN International. Agroni do të ketë fjalën dhe vendin atje si shkrimtar. Ti do të jesh ashtu siç të njoh unë! Shoqja, e dashura, mikja, gruaja më e fortë dhe më e bukur njëkohësisht, me të qeshurën tënde shpërthyese do kesh ndriçuar dhe sfiduar çdo gjë të pa-dritë!
Ju përqafoj fort të dyve,
Përqafime jetës së mrekullueshme krijuar nga dashuria dhe fati, fëmijëve tuaj si drita!
Entela
Tiranë
12/12/2019
Dimër