Nga: Kim Mehmeti
E dashur,
Po rilexoj këto ditë bisedën tonë, në librin që sapo ka dalë nga Logos A, “Një dialog i pambaruar”, e tashmë po e kuptoj më së miri pse ke zgjedhur këtë titull. M’u shfaq në kujtesë portreti i Anton Pashkut, që, teksa dridhte cigaren, më thoshte se nuk ka fund, ka vetëm kthime.
Unë nuk e di si mbyllen bisedat: kur e thua fjalinë e fundit, apo kur e përshkruan fundin tënd!
Sidoqoftë, edhe kjo bisedë e jona ngërthen në vetvete atë që e kanë gjithë dialogët me përmasa publike, pra, atë që mbart biseda mes dy vetave, e që ka për qëllim ta ‘dëgjojnë’ gjithë të tjerët, bisedë ku pyetjet duan të zbulojnë sa më shumë nga ajo që nuk thuhet, ndërkaq përgjigjet mundohen të mbulojnë atë që nuk duhet, por që ka rrezik ta shohin të tjerët. Apo ku pyetjet kanë për qëllim të të shpërfaqin të atillë siç je, e përgjigjet mundohen të të tregojnë ashtu siç do doje të dukeshe përpara të tjerëve.
E tani kur libri është botuar, kur bisedën tonë mund ta lexojnë gjithë kureshtarët, nuk kam pse të mos e pranoj se nuk jam as ai që të tjerët mendojnë për mua, as ai të cilin e shpalosin pyetjet tuaja, e aq më pak ai që dua ta shpërfaqem nëpërmjet përgjigjeve: unë jam të gjitha nga pak dhe më së shumti ai që doja të jem!
Në rini doja të dukem më shumë seç jam, andaj bisedat me gazetarët i shfrytëzoja për të shpalosur “urtësinë” e “plakut” të mençur në mua. E sot, kur jetoj vitet e pleqërisë, në përgjigjet e mia dua të ketë sa më shumë freski dhe lozonjari rinore.
Pra, dikur doja të dukesha si riosh i plakur, e sot dua të më shohin si plakush të ri! Po, pra, dikur nuk e dija sa çfarë humbjeje është të plakesh në rini dhe sa e turpshme është të fëmijërohesh në pleqëri. Siç nuk e dija se ka një pasuri që u takon të zgjedhurve të kësaj bote: ajo që as shitet e as blihet – respekti dhe dashuria e njerëzve që nuk ta kanë borxh atë. Pasuri përrallore, sepse ka përmasat e së papriturës dhe të së pamerituarës!
Dhe jo vetëm kjo bisedë mes ne dyve, por edhe shumë të tjera, duan ta arrijnë të pamundurën: ta tregojnë udhën që çon te vendbanimi i njerëzve të realizuar e të lumtur. E unë u lodha duke kërkuar vendbanimin ku njerëzit vdesin të kënaqur me atë që kanë jetuar, por askund nuk e gjeta atë! Por, në mos më shumë, e kuptova se njerëzit e lumtur nuk banojnë në planetin tokë!
Siç e kuptova se jetoj mes njerëzve që nuk e dinë se sa më shumë u lëpihesh të tjerëve, aq më shumë e jargavit portretin tënd, se sa më shumë të robëron interesi personal, aq më i pandjeshëm bëhesh ndaj të tjerëve, e me çka nis kalbja e çdo gjëje njerëzore në ty, me çka pra nisë të kundërmosh erë të keqe, të cilën mundohesh ta mbulosh me pafrymë të shtrenjtë!
Sa i përket këtij dialogu mes nesh, mbase do duhej ta kishim thënë se bisedën nuk e ndërpremë as gjatë pandemisë. Se ne e dinim që sa i përket virusit COVID-19, në fillim çdo gjë ishte epidemi, pastaj u bë pandemi dhe tani puna e tij është bërë strategji. Edhe atë strategji që ua mundëson të fortëve të na rreshtojnë, të na largojnë nga njëri-tjetri dhe të mos dallojmë mes veti nëpërmjet fytyrave që kemi, por nëpërmjet maskave, me të cilat kemi mbuluar hundë e gojë.
Dhe s’di si na shpëtoi pa folur për këtë pandemi, me të cilën aq shumë na kanë trembur, sa harruam se virus më vdekjeprurës është frika nga vdekja. Apo se nuk na vlen gjë “shpëtimi” nga pandemia nëse nesër do vdesim nga uria dhe, nëse vjen puna deri aty që biznese të vetëm fitimprurëse të jenë ato të shëndetësisë, me në krye spitalet private.
Pra, do mundeshim të flisnim për atë se individi, e jo mjeku e shteti, është pronar i vetëm i shëndetit të tij, do mund të shtronin pyetjen pse u dashka të ndalohen dasmat, pse u dashka t’u ikim çasteve gazmore, pse u dashka të mbyllen kufijtë mes ‘Shqipërive’ tona e të jetojmë të ndarë nga të dashurit tanë, nëse nuk mund t’i iket vdekjes? Do kishim mundur, pra, të flisnim për të vërtetën se edhe në kohë pandemie e lufte, si edhe në kohë të shëndetshme dhe paqeje, jeta ka pas të njëjtat rregulla: nga njeri krah i portës së saj ka dalë i vdekuri me tabut, e nga tjetri ka hyrë nusja me duvak!
Por, sidoqoftë, libri doli dhe të shpresojmë se edhe të tjerët do ta zbulojnë atë që e dimë ne të dy: se pyetjet e tua janë dora që donë të më shpalosë, e përgjigjet jorgani që më mbulon! Se pyetjet e tua e ngërthejnë në vetvete atë që donë ta dish për mua, e përgjigjet janë përgjërim që të mos e thuash gjithë atë që ke zbuluar. Më në fund, siç ka disa pjesë të trupit që njeriu nuk ua zbulon të gjithëve, ka edhe një copë shpirti që don ta merr me vete në varr.
*Letra i drejtohet studiueses Alda Bardhyli