Letër nji të burgosuni, që kurrë s’e kam takue

prej letrave të Gabrielës...


Prej letrave të Gabrielës…

Prej letrave të Gabrielës…

Nga Gabriela Mujaj


Fort i dashtun Enrik, i burgosuni i Tokës!

I dashtun Enrik, po të quej me nji emën qi sigurisht nuk asht i yti. Po e baj kyt gja, që në kët letër ta gjejnë veten edhe shokët e tu, Marku, Pjetri, Edi, Fatjoni, Nesti, Denisi, Arbri e kushdo tjetër.

Më ndjej, pernjimend më ndjej, tue kenë se e di sa peshë ka emni për nji të burgosun. Ditën që t’i hodhën prangat, ti u bane thjesht nji numër, asgja ma shumë. Kur të ndjesh se të kanë marrë identitetin (kujto edhe qi jashtë ka plot asi qi thirren në emën, por janë thjesht nji gojë ma shumë në buxhetin e qeverisë), avitu te dritarja, prit kur të mbrrijnë nji rreze Dielli, e përsërit pa pushue emnin tand.

Mbaj mend, askush dhe asgja nuk muj me e shlye kenien tande unike mbi kyt dhe. Në çdo rrethanë, kudo që të jesh, çkado qi t’kesh ba, kujto qi ti nuk je as gabimi yt, as mëkati yt, as e keqja jote, as zilia, mëria, zemërimi, përversiteti që ti ke mbrenda teje.

Këto janë të këqijat që kanë hy në ty nëpërmjet sa e sa portave të hapuna rrethanore, nga e tan historia e jetës tande, prejardhja, koha, ekonomia, shkollimi e sa e sa të tjera. Gjindja ka me ndryshue veç at’ ditë kur ka me ja mbrri me e nda mkatin prej mkatnorit ( mandej, le të mos flasim për rastin kur ti mund të jesh dënue edhe pafaj, kjo padrejtësi nuk ka shpagim). Zoti e urren mkatin, Enrik, por s’e urren mkatnorin.

Në mujsh me e naltësue shpirtin tand ndër lutje e thirrje të afshta ndaj Zotit, natën kur në burg edhe vetë nata i druhet territ, në mujsh me e çue mendjen tande përtej hekurave, e me e lshue si dallandyshe, ka me u kthye prapë te ti, por e pasun me mendime të bukura. E pra, veç e bukura na pshton.

I dashtun Enrik, kam meditue shpesh mbi imagjinaten. Mendoj qi asht dhurata ma e madhe qi Krijuesi na e ka ba. Veç falë saj muj me shkue ku due vetë, me kë due, si të due. A e din? Asnji udhëtim, e madje as ky i fundit që bana, nuk më ka ndihmue me mbrri atje ku më çon imagjinata.

Mbylli sytë, e ndjeje lumninë e mbrendshme, Enrik! Levizja, udhëtimi i njëmendtë ndodh në mendjen tonë, në brendinë tonë. Pra, due me të thanë qi ndonjiherë më ka ndodh me shkue në nji shtet të huej veç me trup.

Tjetërkund ka kenë mendja eme. Ndigjo, me ket qi po të shkruej, nuk dëshiroj me të thanë që asht ma mirë në burg sesa jashtë, mos e thashtë Zoti me u kallzue kaq hipokrite. Due veç me të thanë, që në shkretinën e jetës tande ku je degdis, të lus me u mundue ne gjet oaze. Siç thotë bota moderne sot: “në të pastë mbet veç nji limon, bane limonatë”!

E di, asht stina e Verës, e ti mendon se si njerzit shkojnë në plazh, bajnë pushime e çmallen me gjindjen, ndërsa ti je i mbyllun mes katër muresh. E dhimbshme, thellësisht e dhimbshme! Ashtu siç kje e dhimbshme mbytja e Jonidës, vajzës së vogël në Jug, siç kje e dhimbshme vdekja e çiftit shqiptar në New York, siç kje e dhimbshme …pra, edhe burgu i jashtëm nuk asht siç duket, por e di që as kjo s’ta ngushëllon zemnen.
Fatmirsisht, nuk ka roje që muj me i ndalue andrrat me hy në qeli.

Pra, të uroj andrra të bardha tan natën e g’jatë! Në paç dikand në zemër, nji dashni e kam fjalën, sido qi të ketë shkue puna me të, edhe nëse ta ka kthye shpinen, rueje në zemen. Ma beso, dashnia asht e vetmja frymë që ta mban shpirtin gjallë, kur jeta jote e ka humb kuptimin. Zemna ka nevojë për nji emën qi hedh valle mbi buzët e tij, për dikand për të cillin me ju lut Zotit me ma të përflaktën dashuni. Le të ketë shkue me kand tjetër, ani! Kurrkush s’muj me e marr prej mbrendisë tande. Kjo asht magjia e dashunisë e cila e veçon at prej tana pronave të tjera.

“Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
shëgjetat e akullit”,


thotë nji poezi e poetit tem të preferuem, Martin Camaj!

Me kët letër due qi ta dish se nuk asht e vërtetë se askush nuk të kujton, tue kenë se unë vetë, edhe pse tashma ikun prej dheut tem, të sjell ndërmend, e të kujtoj në lutje, (ky takim kaq me randësi, që njerzit nuk ja dijnë vlerën).

Tash po e mbyll kët letër shpirti, tue të urue paqen e lakmueshme aq fort, g’zimin e vërtetë të zemnes tande, i cilli vjen veç prej dashnisë (e dashnia shkon përtej takimit trup me trup). Po të uroj kushte të njerzishme, respekt ndaj dinjitetit tand (gjana qi mungojnë aq shumë në atdheun tonë, si në “burgjet e mbrendshme” ashtu edhe në “burgjet jashtme”).

Në fund, due me të kujtue diçka tue ja kujtue edhe vetvedit, e qi duhet me na ngushëllue: fakti qi kurrgja nuk asht e përjetshme, gjithka mbaron!
Kur m’kap mërzi, kujtoj qi ky shekull i zi ku jetojmë, shkon sa hap e mbyll sytë. Durim, miku em, kij durim dhe pije me trimni shpiritit kelkun tand të idhun. Dhe gjaja ma me randësi: rueje shpirtin, të vetmen pasaportë për në Qiell! Pasunoje shpirtin tand, i vetmi që nuk njeh hekura as burg. Dhe nji porosi të fundit, përpiqu, për sa të jetë e mundshme, me pa sa ma g’jatë e shumë, Qiellin. Çoje zemnen atje! AI i Lumi, vjen me çlirue të burgosunit! Ti rri çuem, rri gati me vaj e kandil, e prite!

T’falem me shndet, miku em, Enrik!
Të fala dhe tjerëve, nji m’nji, e paçi ngushëllim!
Shpirti em, ju çon lutje të përunjta!

Gabrielë!

Vjenë, Gusht, 17.08.2022

ObserverKult

Lexo edhe:

GABRIELA MUJAJ: AI TASH S’ASHT MA!