Nga: Sefer Pasha
E dashur Elona!
Shënimi yt më ka mahnitur. Ti je vajza e mikut tim të shtrenjtë Gjelosh Ukcama. Këtë e dinë të gjallët dhe të vdekurit e Ministrisë së Brendshme. Gjeloshin e transferuan nga Garda në Shishtavec pasi djali i dajës së tij vrau një komisar të Gardës. Unë në Shishtavec të Kukësit e mora në mbrojtje. Në Shishtavec ka ardhur dhe Prenda me të dy vajzat për ca ditë.
Gjeloshi nuk e harroi miqësinë me mua dhe kur ndodhën ndryshimet pas vitit 1992 me ndërhyrjen e tij [Gjeloshi ishte në kuadrin e Ministrisë] mua me ndihmën e Halit Gjeçit më emëruan si Zëvendës kryetar të Degës së Sigurimit të Objekteve në Gardën e Republikës. Kisha në ruajtje selinë e Presidencës ku ishte Sali Berisha. Dhe pas disa kohësh përsëri më hoqën. U ktheva sërish në Gardë pasi shërbeva në Tropojë.
Përmendja e emrit të Gjeloshit për foton që ka dalë me Enver Hoxhën është një detaj, i shkruar pa të keq e pa asnjë farë qëllimi për përfitim. Unë moj Elona nuk e shkel ligjin. Në shkrimin e botuar nuk them se kam “një foto të Gjeloshit me Enverin”. Jo. Unë fare thjesht them se miku im “ka bërë me ndihmën e Sulo Gradecit një foto me Enverin”.
Ku qëndron këtu intriga? Nuk kam botuar ndonjë foto për reklamë apo për ta fyer mikun tim. Në ato mote Garda ishte me një mijë vetë. Sot në Tiranë nuk është mëkat që të kesh një foto me Enver Hoxhën. Ka tjetër psikologji. E gjithë Garda ka qenë roje. Ashtu është edhe sot. Në demokraci unë shërbeva në Gardë 9 vjet. Tre vjetët e parë qysh nga gushti i vitit 1968 kam shërbyer roje tek vila 31.
Recitoja Kadarenë dhe Agollin kur garda ndërtonte me punë vullnetare një lagje që është në Tiranën e Re. Komisar kishim të madhin Skënder Alika, që tani është 96 vjeç. Me sytë e mi e kam parë Enver Hoxhën qindra herë. E kam ruajtur dhe nuk e kam për turp. Kam bërë detyrën. Por kam ruajtur dhe Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Sa herë që kaloj në rrugën “Irfan Tomini” i hedh sytë nga kati i pestë i pallatit, ku ju keni banuar dhe mua më duket sikur nga dritarja më thërret Gjeloshi: “Ngjitu lart komisar se po të pres me Lushin që të pimë nga një gotë raki. Aty gjenim dhe djalin e Lushit që ishte poet dhe recitonte Eseninin.
Zonja Elona! Unë kam në proces një libër për mikun tim Gjeloshin, ku është e gjithë jeta e tij interesante qysh nga gjyshërit në Lekbibaj, edhe pse jam nga Mallakastra. Do të ftoj në promovim. Do ta shtoj dhe këtë aksident. Mos u mërzit. Fotoja ekziston.
Porosita një studio private për të gërmuar në memorien e fejsbukut. Por do ta këtë dhe ndonjë miku jonë. Ajo foto nuk të turpëron, moj zonjë. Përkundrazi! Kur kaloj nga Blloku ata që nuk na deshën thonë:“Po kalon Sefer Pasha, vëllai i Gjelosh Ukcamës”. Si të jenë hiena këta qyrrama e hafije shkruajnë gardhiqeve me makthe si dikur letra anonime. Pse unë kam shkruar se Kadri Hazbiu nuk ka qenë agjent i zbulimeve të huaja? Po kjo është e vërtetë. As Feçorr Shehu nuk ka qenë.
Dhe së fundi po përpiqem që të bëj dhe pak humor nga ai që ma tregonte Gjeloshi. Tek vila e Enver Hoxhës po bisedonte Gjeloshi me djalin e Enver Hoxhës, Sokolin. Doli Enver Hoxha. Sokoli i tha Enver Hoxhës: O babi! Sa djalë i mirë ky Gjoleka! Gjeloshi e kishte shoqëruar Sokolin jashtë shtetit.
Enver Hoxha e pyet të birin? Nga është ky Gjoleka? Nga Lekbibajt e Tropojës u përgjgj Sokoli. Po ku ka emër Gjoleka në Lekbibaj, more Koli i thotë Enver Hoxha? Më fal babi, i tha Sokoli. E ngatërrova. E quajnë Gjelosh Ukcama.
Ti Elona tani je zonjë e madhe. Por ta dish mirë se jeta e Gjeloshit dhe e imja nuk kanë lidhje me atë foto. Bile Gjeloshin e internuan. E ka larë me lot Shishtavecin. Ne mbetëm të dy të papunë. Na flakën në rrugë sikur të ishim qenër. Nuk kishin lekë për kafe dhe rrinim tek bordurat e Sheshit “Skënderbej”.
Nuk dinim ku të shkonim. Deshëm të bënim trafikun e armëve e aventura të tjera. Po nuk dinim nga lidhej gomari. Kur i kujtoj vë duart në kokë. Në libër po i qëndis. Kjo punë e fotos është një marrëzi. Të gjithë ata që kanë qenë pranë Enver Hoxhës i gjen në foto, në filma e në dokumentarë. Ka dokumente. E ç’rëndësi ka një foto? Miku im ka qëndruar tek Enver Hoxha plot tetë vjet. Bashkë kemi shkuar kur doli nga burgu Sulo Gradeci. Pse ta fsheh, e kemi festuar.
Elona! Në Lekbibaj ka një thënie: “Kur vras veten nuk kam kujt t’ia lyp gjakun”. E ç’më duhej mua ai fakt me atë të mallkuar foto! Nuk kam përgjigje.
Shkrimin për ty Elona e shkruajta me dhimbje sikur murova një ëndërr. Coftë vdekja kur prajnë helmet! Gjithsesi edhe këto pak rreshta janë pjesë e një kronike biografike për mikun tim Gjelosh Ukcama./Gazeta DITA
———————————–
Lexo edhe:
KËTO GJËRA “SEKRETE” PËR ENVER HOXHËN PAK KUSH I DINË, ÇKA BËNTE PARA SE TË VINTE NË PUSHTET
ObserverKult