Letër vetes tem t’re

E dashur Jane,
Tash nuk e kupton se jeta jote ka me qenë nji rreth i madh e i gjanë i cili ka me kalu përmes shumë periudhave të errëta kur s’ke me pa të ardhme për veten tande, s’ke me dijtë kush je, s’ke me besu që dikush dikur ka me të dashtë.
Tash për tash dëshiron me qenë djalë, mundësisht djalë indigjen amerikan që jeton në shkretëtirë dhe e kalon jetën në heshtje, padukshëm, duke vjedh prej saj. Ke me u keqtrajtu seksualisht në moshën shtatë vjeçe, sikur nana jote kur ka qenë fëmijë. E ajo nanë ka me i dhanë fund jetës së saj kur ti je dymbëdhjetë vjeçe, atëherë trimëria e guximi i viteve të mëhershme ka me të rrëshqit prej dore. Ke mu besu se duhesh me qenë e përsosun – që do të thotë e hollë, e bukur dhe tërheqëse e asnjiherë e mllefosun, pra “çikë e mirë” – nëse do me të dashtë dikush.
Kjo mënyrë e të jetuemit, duke mos i qëndru besnike vetvetes ka me t’ çu udhës së varësive të ndryshme të cilat kanë me ta marr nji pjesë të madhe të jetës dhe energjisë. Prindërit e tu janë kryesisht të preokupum me veten prandaj ke me u rritë tue mos e dijtë se çka asht dashnia. Por pas nji pune të madhe e të vështirë ke me kuptu që prindërit e kanë ba ma të mirën, për aq sa kanë dijtë.
Ke me u mësu me i kujtu ata me dhembshuri dhe ke me u ba e pavarun. Kisha pas dëshirë me ta sqaru tash që tana ato ndodhi të dhimbshme që po ta bajnë jetën kaq të vështirë janë po ato që përfundimisht kanë me t’ ba të fortë e fisnike. Forca jote ma e madhe asht se s’ke me u dorëzu, s’ke me u ba cinike por ke me u ba aktiviste. Në rrugë e sipër e sheh që kjo punë ka me i dhanë jetës tande kuptim të pabesueshëm. Kjo ka me qenë qiraja jote për tanë jetën.
Ti je prej atyne njerëzve që lulëzojnë vonë, prandaj duhesh me pas durim, por aftësia me qenë e sinqert me veten, dëshira për me gjetë kuptimin në gjithçka dhe mësimet prej gabimeve kanë me ta mundësu lulëzimin në jetë. Nji grue me guxim, imagjinatë dhe qëndrueshmëri.
Teksa po e lexoj këtë letër tash jam pothuajse shtatëdhjetë e tetë vjeçe. E di që të duket e pamundun por kurrë ma e lumtun se sa tash s’kam qenë. Krejt ja paskan vlejt, të mirat dhe të këqijat. Pra mos u dorëzo, jam shumë krenare me ty, sepse asnjëherë s’ke me pranu ma pak sesa që ti beson se mundesh me arrit!

Përktheu: Vlora Konushevci

ObserverKult