Letërsia e ka mallkim t’ju avitet dhembjeve

Petrit Ruka

Me poetin dhe kineastin e njohur Petrit Ruka

Bashkëbisedoi Mark Simoni


65 vjetorin e jetës tënde vjen me një libër të ri poetik “Shami të zeza qiellore”, një botim që ka pritur 16 vjet që nga libri yt i fundit. Vonesë e gjatë, një titull disi i përzishëm dhe pyetja e parë që të lind vetvetiu është a kanë ndonjë lidhje këto dy gjëra bashkë?

Petrit Ruka: Së pari faleminderit i dashur Mark që kini gjetur një përvjetor timin për këtë bisedë në gazetën tuaj të nderuar. Sepse e kuptoj që është një akt dashurie për letërsinë dhe krijuesin, që në kohëra të tilla gjithmonë e më të akullta ndaj artit në Shqipëri përbën një gjest nderimi. Sa për pyetjen në lidhje me librin tim të ri, vështirë të gjesh një përgjigje të saktë. Ndoshta edhe kanë. Fjala “ndoshta” është një fjalë madhështore kur të pyesin për poezinë. Nuk di në se 16 vjet për të sjellë një libër të mirë është një kohë e gjatë apo jo. Por në letërsi ajo që ndodh është Koha në të gjitha kuptimet. Kalendarin e një libri, kur ngjizet, kur piqet, kur vendos të dalë në dritë shpesh nuk e ka në dorë autori. Libri ka jetën e tij të pavarur, sado e çuditshme dhe paradoksale të duket kjo gjë. E sa për titullin edhe ai mbase ka lidhje me moshën, pra sërish me kohën. Me sa duket një krijues sa më shumë maturohet, aq më shumë anon nga dhembjet në letërsi. Ndryshe nga jeta, të cilën e duam plot gëzime, letërsia e ka mallkim t’ju avitet dhembjeve që sidomos për poezinë, janë një thesar i tërë.

E kini botuar librin e parë 22 vjeç dhe ja, ka kaluar një jetë e tërë me letërsi. Çfarë ka qenë për ty poezia? E ka vlejtur një dashuri kaq e gjatë për të?

Petrit Ruka: Mendoj se ka qenë një nga gëzimet më të mëdha të jetës sime, për të mos thënë më i madhi i saj. Tani nuk e mendoj dot sesi mund të ishte jeta ime pa të, pa praninë dhe shijen e saj. Është një lloj kripe pa të cilën jeta ime do të ishte si një bukë e përditshme bajate. Po kjo është një gjë tejet e vështirë të kuturisëm për ta shtjelluar për një intervistë të shkurtër në gazetë. Apo jo?

A mund t’i thoni lexuesit tonë rrethanat e para të marrëdhënies suaj me letërsinë, a ka rol thelbësor në poezi fëmijëria dhe më tej zhvillimet e veçanta dhe interesante të raporteve tuaja me librat dhe botimet.

Petrit Ruka: Po! Unë jam nga ata që me bindje mendoj se fëmijëria është thelbi i poezisë së një poeti. Jam nga ata që besoj se tërë jetën një poet, do apo nuk do, e di apo jo, operon me kodet artistike të fëmijërisë, madje edhe kur thinjet. Besoj se kodet estetike të njeriut mbarojnë pothuajse aty nga mosha 8-9 vjeç. Më vonë vetëm sa mëson “dredhitë” artistike për t’i shprehur, por ti gjithë jetën je rob i atyre shenjave. E sa për botimet, gjithmonë kam përjetuar të njëjtën gjë; pas gëzimit të shkurtër, vjen një pikëllim i madh, i fshehtë pendese. Pse nuk e mbajta dhe ca librin në duar. Grindesh me veten. Një qerthull i madh dyshimi të rri mbi kokë. Nuk besoj se ka krijues të kënaqur me veten, nuk ka poet që nuk dyshon tek krijimet e tij. Lasgushi i mençur ka një varg të mrekullueshëm për këtë thelb jete të krijuesit. “Gjithë dyshim jetë pas jete.” Sepse pas çdo botimi, libri, fillon një jetë tjetër. Çdo libër i mirë është kështu një jetë dhe me këtë koncept lasgushian, i bie që poeti ka disa jetëra artistike.

Me Lasgushin na çove tek letërsia e viteve ’30. Mendon se letërsia e e kësaj periudhe ka qenë me një vezullim të veçantë, dhe se ajo akoma nuk është ndriçuar aq mirë nga studiuesit dhe kritika. A keni diçka të na thoni për letërsinë e kësaj periudhe?

Petrit Ruka: Po, ka qenë. Dhe mendoj se ka kaq shumë për të thënë mbi të e për të. Madje do thosha se kritika (ku dreqin është ajo?) as që ka tentuar ta zbulojë siç e meriton. Po ja, le të marrim një shembull, Ali Asllanin, një poet ende të pazbuluar siç e meriton për publikun e gjerë, shkollarët, studentët. Nuk e kam fjalën për një grusht krijuesish që e adhurojnë dhe që e njohin mirë. Duket sikur mbi të ka një mallkim të tejzgjatur për ta lënë nën pluhurin e harresës. Është një poet magjik, mbase një nga poetët me elegantë që ka nxjerrë gjuha shqipe. E me që ishim tek gjuha, nuk di ndonjë poet tjetër si ai, që ta ketë kthyer ligjërimin e thjeshtë popullor me kaq finesë në një lartësi kaq të epërme poetike. Duket sikur ai i ka nxjerrë shkumë të bardhë gjuhës shqipe, asaj më të thjeshtës duke i dhenë një sharm magjepsës. Borxhi ndaj tij është kaq i madh, sa që unë nuk di se si ta stërholloj,që të mos e emërtoj ashtu siç është një turpërim kulturor kombëtar.

A ka shenja dhe gjeste optimiste në letërsinë tonë të sotme, për të thënë që ne kemi një letërsi të mirë?

Petrit Ruka: Po, unë hyj tek ata që kam optimizëm. Besoj se letërsia shqipe pas vieteve ’90 ka prurje dhe rritje të mrekullueshme. Gjendja duket dramatike për shkaqe krejt jashtë letrare. Këto 30 vite drama jonë është ajo e mosnjohjes së vlerave që kanë ardhur. Në këta kaos të madh, në këtë mjegull pa një të çarë luhet drama e mosnjohjes, e vëmendjes së vlerësimit. Nuk ka mbetur në këmbë asnjë dritare për ta parë letërsinë e mirë, asnjë mjet për ta gjetur, promovuar. Në këtë mishmash botimesh, tërë rrugët për të gjetur letërsinë e mirë janë rrugë qorre. Nuk shoh në këmbë asnjë institucion vlerësimesh serioze, asnjë mjet, rrugë, hierarki gjykimi, Ndërkohë jam i bindur se në tërë këtë gjurulldi biblike, ka vlera, ka libra të mirë që janë shpallur nga mosnjohja të vdekur klinikë dhe kushedi në se do ta kenë fatin të ringjallen.

Çfarë mendoni se do ta bënte të lexueshme jashtë letërsinë tonë?

Petrit Ruka:Nuk di të flas me siguri për prozën, por sa për poezinë, jam i bindur se me një përzgjedhje të mirë, drejt botës mund të shkonin antologji poetike të denja të rrinë krah për krah me poezinë më të mirë botërore. Dhe jo vetëm antologji, por edhe poetë të veçantë me pjesën e tyre më të mirë të krijimtarisë. Nuk di të flas për rrugën që duhet për ta bërë këtë kapërcim, por jam i sigurt se është kështu dhe herët a vonë kjo do të ndodh. Ne kemi së paku një duzinë me poetë të denjë për çdo gjuhë të botës. Sot, në kushtet e një bote kaq të hapur dhe të njohjes gjithmonë e më të gjerë të poezisë botërore, unë trimërohem ta them këtë pa asnjë mëdyshje, pa asnjë drojë dhe frikë se mund të quhem një mendjemadh tipik ballkanik. Poezia shqipe ka ardhur koha ta bëj këtë hap jetik.

Diçka nga letërsia juaj dhe planet e tua për të ardhmen letrare.

Petrit Ruka: Nuk kam plane të qarta. Dëshiroj të botojë një libër poetik vetëm me baladat më të mira shqiptare, pas të cilave kam vite që jam i dashuruar. E di që është një aventurë e bukur dhe një ndjellje e frikshme t’i trajtosh, me guximin e marrë se mund t’ia dalësh t’u shtoj ndonjë vezullim të ri. Por është një sfidë e mrekullueshme edhe sikur vetëm të dështosh me secilën prej tyre. Por përtej kësaj ëndrre kaq tunduese, di që do të shkruaj poezi sepse thjesht më duhet të shkruaj që të ndjehem mirë dhe se nuk di ndonjë mënyrë tjetër për të ndarë dashuri me njerëzit që dua dhe me gjithçka tjetër të këtij vendi ku u rrita dhe kalova siç e thamë në krye të herës plot 65 vjet…/mapo