Studimi ‘Letërsia nga burgu’ i autorit Bajram Kosumi bëri bashkë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë autorë nga Kosova dhe Shqipëria. Studiuesit dhe shkrimtarët e cilësojnë të rëndësishme që historianët e letërsisë shqipe t’i japin rëndësinë e duhur dhe të konfirmojnë vlerat letrare të këtyre botimeve.
“Unë kam shkruar në burg, ‘Fjalorin e barbarëve’. Letërsia e shkruar në burgje ëshët e afërm në tematikën që trajton, qoftë poezia e Visar Zhitit apo ajo e Merxhan Avdyli, njëri në burgun e Spaçit, tjetri në burgjet e Serbisë. Por dallojnë shumë nga poezisë së krijuar nga e Ali Podrimjes në Prishtinë apo Dritëro Agollit në Tiranë. Prandaj unë insistoj, që në kuadër të letërsisë shqiptare apo të shek XX një nënkapitull t’i kushtohet letërsisë nga burgu, që të njihet si shfaqje letrare më vete”, shprehet studiuesi Bajram Kosumi.
Gjoka e cilëson të rëndësishëm këtë botim jo vetëm për vlerat, por edhe sepse lexuesi mund të njihet me shkrimtarët disidentë në Kosovë pas vitit 1981 edhe në Shqipëri pas vitit 1945.
“Ka të gjitha përvojat se si është mundësuar të shkruhet kjo letërsi, kryesisht lirika edhe epistolari. Është përfshirë Adem Demacci, Kasëm Trebeshina, Visar Zhiti, janë përfshirë autorë që janë dënuar pas ’81 në Kosovë edhe mbas ’45 në Shqipëri. Ne duhet të shkojmë tek momenti që ta pranojmë si letërsi këtë, për të krijuar mozaikun e letrave shqipe”, thotë studiuesi Behar Gjoka.
Apeli i studiuesve është që veprat e Adem Demaçit, Kasëm Trebeshinës, Visar Zhitit, Ismail Syla etj., por dhe vepra të tjera, duhet të përfshihen në botimet shkollore.
“Edhe në Shqipëri institucionet arsimore kanë për detyrë të përcjellin dije kanonike. Është misioni i tyre të angazhohen në hapjen e kurrikulave arsimore ndaj këtij fenomeni, Në këtë kuptim libri është përmendore e fjalës së lirë, që kanë ngritur këta krijues në burgjet e Serbisë dhe Shqipërisë”, shprehet studiuesja Lili Sula./shqiptarja.com