Ekspozita “Letërsia franceze në shqip” është çelur në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Figura të njohura të historisë edhe kulturës së vendit, si Mit’hat Frashëri apo Papa Kristo Negovani kanë bërë përpjekjet e para që para shpalljes së pavarësisë së vendit për përkthimin e letërsisë franceze në shqip.
“Kjo ekspozitë, me rreth 220 libra, sjell një rrugëtim të hershëm duke nisur nga përkthimi i parë i Alphonde de Lamartin, “Gyjon Telli”, përkthyer nga Lumo Skendo dhe botuar nga “Mbrothësia” në Sofje më 1898, përkthimi i tregimit “Kryqi i Margaritartë” i Gabrielle de Mademoiselle” përkthyer Papa Kristo Harallambi [Negovani], botuar në Korçë më 1910 për të vijuar me autorët më të shquar në letërsisë franceze si: Moliere, Alfred de Musset, Adolf d’ Ennery, Guy de Maupassant, Alfred de Vigny, La Fonten, Honore de Balzak, Viktor Hygo, Stendal, Emil Zol etj”, thotë drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.
Zgjedhjet ideologjike shpeshherë nuk kanë funksionuar
Nga 2000 tituj, në pavijonet e kësaj ekspozite janë 220 prej tyre, të personaliteteve që kanë dhënë kontribut në kulturën shqiptare, për elaborimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, si: Sotir Caci, Halit Selfo, Vedat Kokona, Enver Fico, Bujar Doko, Petro Zheji, Klio Evangjeli, Misto Treska, për të vijuar më tej me Donika Omari, Edmond Tupja, Saverina Pasho, Mirela Kumbaro, Diana Çuli, Nasi Lera, Edit Dibra etj. Ndërsa, për përkthimet e letërsisë shqipe në frëngjisht përpjekjet e bëra nga vendi ynë, nuk kanë rezultuar të duhurat.
“Ka qenë në kohë të komunizmit, një strukturë, por zgjedhjet ideologjike shpeshherë nuk kanë funksionuar. Kadare nuk u përkthye këtu dhe shkoi atje. Por e Kadarenë e zgjodhën francezët nga përkthimi i Jusif Vrionit që arriti të çajë në botë. Pa u njohur është e vështirë të çash, sa i përket përkthimit”, vijon Misha.
Çdo botues përkthente ç’të donte
Kjo traditë e krijuar para çlirimit nga personalitete të njohura në fillim të viteve ’90 mori tjetër rrjedh.
“Është më komplekse sot. Pavarësisht problemeve që kishte regjimi komunist në fushën e përkthimit ka pas një seriozitet të madh. Personalitetet punonin si përkthyes me kohë të plotë. Në vitet ‘90 pati kaos. Çdo botues përkthente ç’të donte, merrte studentë dhe çonte vepra te lexuesi që ka lënë shije të keqe, Gradualisht ka ndryshuar. Këtu s’ka asnjë oponencë për përkthimin, që të tregojnë se si përzgjedhjet një vepër për të sjell në shqip. Këtë e bën vet botuesi, që ka edhe konflikt interesi. Gradualisht nga ana e botuesve jemi në një proces të mirë maturimi”.
Ekspozita e çelur në kuadër të Muajit të Frankofonisë do të qëndrojë e hapur deri më 31 mars 2021./shqiptarja.com