Ka dalë nga shtypi libri më i ri i Bajram Kosumit Letërsia nga burgu/kapitull më vete në letërsinë shqipe (botim i përpunuar), në botim të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Në libër trajtohet letërsia shqipe e krijuar në burg gjatë periudhës 1945-1999.
Libri ka 350 faqe, ndahet në tetë kapituj, të cilëve ju paraprinë një parathënie dhe përmbyllen me përfundimet. Në libër trajtohen veprat letrare të shumë poetëve e të shkrimtarëve që krijuan në burgje, citohen shumë autorë kanonikë në fushë të letërsisë dhe bëhen krahasime me letërsi të ngjashme europiane e më gjerë.
Botimi është bërë me një përgatitje të mirë teknike, me aparaturë akademike, ka bibliografinë, dokumente origjinale dhe indeksin e emrave.
Poetë dhe shkrimtarë shqiptarë që shkruan në burgje, tekstet e të cilëve, më shumë ose më pak, janë analizuar në këtë libër: Adem Demaçi, Atë Zef Pllumi, Arshi Pipa, Visar Zhiti, Kasëm Trebeshina, Merxhan Avdyli, Ismail Syla, Trifon Xhagjika, Jorgo Bllaci, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela, Mehmet Myftiu, Hydajet Hyseni, Pjetër Arbnori, Murteza Xajë Nura, Pano Taçi, Zyhdi Morava, Rexhep Elmazi, Maks Velo, Drita Çomo, Alush Canaj, Frederik Reshpja, Zeqir Gërvalla, Vezir Ukaj, Sylë Mujaj, Besim Zymberi, Rasim Selmani, Berat Luzha, Fazli Greiçevci, Daut Gumeni, Fatos Lubonja, Gani Sylaj, Muhamet Rogova, Emin Kabashi, Kurt Kola, Kolë M. Berisha, Martin Çuni, Enver Topalli, Rrahim Sadiku, Fehmi Berisha, Jahja Lluka, Zhaneta Ogranja etj.
Studiuesi i letërsisë, Behar Gjoka, kështu e vlerëson librin:
“Hullia e çelur me kohë prej studiuesit Bajram Kosumi, jo vetëm me tërheqjen e vëmendjes ndaj kësaj letërsie, pra ndaj faktologjisë letrare, të lënë anash për shumë kohë, vështruar në distancë kohore, pa mëdyshje shënon njërin nga kontributet e vlerta të autorit në lëmin e botimit dhe të studimeve letrare.”
Libri së shpejti del në shitje në libraritë e Prishtinës.