(fragment nga një letër e pabotuar e Lasgush Poradecit)
As një detyrë qoftë ajo sado e vështirë, sado kundërshtonjëse s’mund të na ndalojë – s’DUHET të na ndalojë në qëllimin t’onë. Mos harro, se qëllimi jonë, – (ne, të cilët pat qënë shkruar të jemi fatosët mistikë në tempullin e IDESË, të IDESË që shpirtëzon… përmban… dhe rilind jetën e gjithësisë), – është: DESTINI jonë. DESTINI jonë na URDHËRON, me një urdhër IMPERIOS, t’i çfaqim botës idenë t’onë. T’i-a çfaqim, dyke i-a IMPOZUAR me dy mënyra të njëshme. Ata, që janë para-lindur ose pàs-edukuar për kuptimin e idesë s’onë, e kanë pranuar impozimin vetvetiu, pá e ndjerë si një element të TË RI të vetëvetes; po atyre, të cilët, – të greminë-udhëhequr (jo të udhë-hequr!) gjithënjë as prej paralindjes ose pasedukimit, po vetëm prej GJYSMALAKËRISË së qënjes së tyre së mos-qënur, d.m.th. prej mëndjes së tyre të cekët, prej zemrës së tyre së cekët, prej vullnetit të tyre të cekët, prej trupit të tyre të cekët, mendje, zemër, vullnet dhe trup ku VEGJETON (jo JETON) një shpirt PA DASHURI për idenë, PA DASHURI për jetën, PA DASHURI PËR DASHURINË VETË…, – atyre, ne do t’i-a u IMPOZOJMË idenë… IMPOZIMËRISHT, do t’i-a u ngulim në shpirt me fuqinë mposhtëse të saj, do t’i RILINDIM me gjeniun rilindës të DRITËS SË MADHE ku po përvëlohemi.
Gjeniu jonë, është gjeniu i racës shqipëtare. Raca shqipëtare, për ne, është gja ku që na këndon nër dej, dyke na falur IMPULSIN E VEPËRIMIT. Impulsi i vepërimit t’onë është REALIZIMI I IDESË s’onë. IDEJA JONË, është MUNDIMI dhe PËRPJEKJA jonë e palodhur, e pa dëshpëruar, e padëshpëruarshme…për të bërë VETËVETEN dhe për të bërë TË TJERËT dita-me-ditën MË TË MIRË… MË TË PASTËR… MË TË NDRITUR… QËLLIMI FUNDOR (FINAL) I IDESË S’ONË, ËSHTË DRITA E PËRJETËSISË!
Për këtë DRITË GAZMORE, na duhet – e di ç’na duhet??? Studentërija, d .m.th. STUDIMËRIJA e përjetëshme! Ja, kjo është UDHA – Udha e ZOTIT – së CILËS duhet t’i bjemë PAS! Në KËTË udhë DO MË KESH, SHOK TË SHPIRTIT! “Janë të pakë ata që na kuptojnë” thua në poshtallkën t’ënde të 14 Janarit??? Ha!!, i dashuri im!! Të pakët qofshin, ose të shumë, ne do t’i-u rrëfejmë IDENË t’onë, UDHËN t’onë, të gjithëve!! Ata, që do na kuptojnë “para-lindursisht” ose “pas-edukimërisht”, janë T’ANËT!!; ata që s’do na kuptojnë “gjysmalakërisht” ose “vegjetimërisht” janë T’ANËT!!: t’anët, Ha!!. IMPOZIMËRISHT!!
Sepse ZOTI, kur s’”dashuron” – IMPOZON. Dhe kur impozon ZOTI, domethënë se ZOTËRON ZOTËRIJA. Dhe zotërija, domethënë: ZOTËSIJA!!
*Marrë nga faqja në Facebook e bijës së Lasgushit, Marie Lasgush Poradeci
ObserverKult
Lexo edhe:
LETRA E LASGUSH PORADECIT PËR KRISTO KONON: PO TË BËJ TË NJOHUR ME KEQARDHJE…