Nga Entela Resuli
Zbulimi i dorëshkrimeve të njerëzve të shquar është një thesar i vërtetë për studiuesit. Sidomos kur autorët e këtyre dorëshkrimeve nuk janë më në jetë dhe pasardhësit përpiqen të deshifrojnë botën e tyre të trazuar nëpërmjet metaforave, ideve të hedhura nxitimthi, një vargu të mbetur pezull apo një poezie të pambaruar, një aforizme etj.
Dritëroi u nda nga jeta katër vite më parë, ndërsa Moikomi iku vitin e kaluar. Fakt është që të dy ishin personalitete krijuese me individualitet të spikatur. Të dy kanë shkruar për njëri-tjetrin, Moikomi më shumë, por edhe Dritëroi, sikurse dëshmojnë këto katër faqe me shkrimin e Dritëroit.
Është me interesant t’i referohemi vitit kur janë hedhur në letër këto shënime të Dritëroit për Moikomin. Ishte viti 2006. Moikomi kishte ngelur i papunë, pasi PD me të rimarrë pushtetin, një nga aktet e para politike të saj ishte shkarkimi i Moikomit si Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Moikomi e ka sqaruar disa herë në intervista dhe shkrime motivin e largimit të tij nga puna si drejtor: Sepse kur u emërua drejtor Moikomi iu fut punës për të rikthyer në stendat e Muzeut periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila ishte fshirë nga demokratët në periudhën e parë të qeverisjes së tyre.
Po Moikomi ishte një punëtor i madh. Shkruante dhe botonte pambarimisht duke lazmuar në krijimtarinë e tij trazimet vetiake dhe shoqërore.
Këto trazime ka vërejtur Dritëro Agolli, kur është ulur dhe ka shkruar këto katër faqe. Ai analizon krijimtarinë e Moikomit si për të thënë se ajo krijimtari është shumë e shumë më jetëgjatë se pushtetet e përkohshme politike. Dritëroi ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për këtë. Këto shënime që kemi në dorë mund të ishin kuintesenca e një studimi më të zgjeruar e më të thelluar për krijimtarinë e Moikomit. Ndaj dhe Dritëroi i mbyll shënimet e tij me këto fjalë:
“Po vjen koha që të vlerësohet lart poezia e Moikom Zeqos, si një poezi e një identiteti të veçantë.”
Dritëro Agolli
Shënime nga libri i fundit i M. Zeqos
1
-Të duket sikur largohesh nga të gjallët – nga ata merr pak esencë.
-Të vdekurit janë mësuesit më të mëdhenj se të gjallët.
-Ringjall qytetërimet e rrëzuara për t’ia afruar qytetërimeve të reja.
-Duket sikur vrapon për të gjetur metaforën në rrënojat e antikitetit,
detit dhe gjërave, apo kozmosit.
-Këto ide shpesh përplasen dhe nxjerrin paradoksin.
-Proces poetik me hope, jo me hapa.
2
-Frikë, – jo frikë, por qëndrestar ndaj globalizimit janë metaforat me burime antikiteti: arkeologjia, historia, letërsia, piktura, muzika, natyra. Barrikadë në mbrojtje të identitetit nacional.
– Kohezion historik – kundër figuracionit reklamë: Koka – Kola, DASH, Birra Tirana.
-Njeriu dhe bota, njerëzimi dhe kozmosi, toka dhe uji me zjarrin.
-Qetësia dhe apokalipsi.
– Unitet i krijimtarisë: proza, estetika, publicistika, poezia.
3
-Sintaksi poetik modern…vargjet nuk lidhen me njëri-tjetrin me lidhëset gramatikore: dhe, se, që, pas, etj, as me ndajfoljet: prandaj, kur, ndofta. Nuk kanë vargjet stacione si në trenat, por aeroporte si në avionet. Edhe poezia popullore nuk ka lidhëse:
O kjo anë e lumit
Ka bilbila shumë,
pritmë, o bandill pritmë
Sa të rritem unë!
-Figuracioni nuk shkon në linjë të drejtë, por me zik-zake: bie dhe ngrihet. Logjika + absurd = paradoks.
4.
-Po vjen koha që të vlerësohet lart poezia e Moikom Zeqos, si një poezi e një identiteti të veçantë.
Dritëro Agolli
16 Nëntor 2006
(gazetadita.al)