Shkrimtari Agron Tufa tashmë ndodhet në Zvicër, atje ku ka kërkuar azil politik. Por vetë Tufa e ka shpjeguar arsyen përmes letrës së dorëheqjes së tij nga drejtimi i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri.
Shkrimtari shkruan se jeta e tij dhe e familjarëve është kërcënuar shpesh nga ‘qentë e liruar nga zinxhirët e vjetër në diktaturën e re”.
Dy herët e fundit, brenda muajit nëntor, qentë e liruar nga zinxhirët e diktaturës së vjetër në diktaturën e re iu afruan shumë familjes sime. Kush do më mbronte mua dhe fëmijët e mi? Unë pata kohën e mjaftueshme për të kuptuar kush janë ata dhe çfarë janë në gjendje të bërë. Mjafton e kaluara e tyre. Qëndrimi im i mëtejshëm në punën time, në atdheun tim dhe të fëmijëve të mi, në të drejtën time do të ishte i palogjikshëm, përderisa do të kishte, siç jam i bindur , një çmim tragjik kurrë më të kthyeshëm. Dhe kjo nuk do të gjente më kurrë as përgjigje njerëzore dhe as hyjnore. Misioni im do të vazhdojë në kushte jo më pak të efektshme se ato që pata kënaqësinë dhe krenarinë të kem brenda ISKK. Jam i sigurt se kolegët e mi janë po aq të aftë (në mos më të aftë) ta shtyjnë përpara misionin e zbardhjes së Krimeve të Komunizmit, ashtu siç kanë tashmë përvojën, qartësinë dhe përkushtimin nën drejtimin dhe sugjerimet tuaja”, thuhet ndër të tjera në letrën e dorëheqjes.