“Letra nga burgu & ese tjera”, libër i ri nga Halil Matoshi

Shtëpia Botuese Littera ka sjellë për lexuesit librin më të ri të Halil Matoshit, “Letra nga burgu & ese tjera”, një “kallëzim” ky, krejt personal për luftën, burgun dhe lirinë.

Ky libër përmbledh një korpus esesh dhe letrash nga burgu, ku ndërthuren përvoja personale me reflektime të thella filozofike, politike dhe etike mbi fashizmin, dhunën, censurën, lirinë, kujtesën kolektive dhe përgjegjësinë njerëzore. Përmes një gjuhe të drejtpërdrejtë dhe shpesh tronditëse, autori shpalos përjetimet e tij në kushtet e represionit, duke i shndërruar ato në dëshmi morale dhe historike.

Libri përfshin gjithashtu ese mbi rolin e librit dhe të shkrimit si akte rezistence, mbi censurën dhe heshtjen e imponuar, si dhe portrete reflektuese të figurave, ngjarjeve dhe traumave që kanë shënjuar historinë tonë të afërt.

Letra nga burgu & ese tjera është një libër që fton në mendim të thellë mbi lirinë, dinjitetin dhe përgjegjësinë njerëzore, një dëshmi e fuqishme për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

Brezi i Lirisë
Parathënie nga Dritan Dragusha

Po sikur ta humbim shansin dhe mos ta fitojmë lirinë?! Po sikur me këto sjellje nonsharlante do ta njollosim deri në përdhunim lirinë?

Po sikur ta humbasim lirinë në liri?! Po sikur t’m’i djegin librat; kush jam unë pastaj? Kush do të jemi të gjithë ne? Nëse nuk kemi çka për të treguar sot

kush do të jemi nesër? Pra, ajo që e karakterizon diskursin ligjërimor të Halilit, është liria që përbrenda bartë ndjenjën e frikës. Frikën, sepse Halili ja njehë brishtësinë permanente që e ka liria. Ai e di se ajo fitohet me shumë mund, e humbet lehtë. Liria e ka peshën e një pendle të dallëndyshes, prandaj është shumë e rënd për tu bartë mbi supe. Për këtë ai mendon se shoqëria duhet edukuar vazhdimisht me lirinë.

Rrëfimi për vuajtjet, për vrasjet, masakrat dhunën, burgjet që i kanë ndodh njeriut të Kosovës në fund të shekullit XX (e që copëza të atyre kohëve i gjeni edhe në këtë botim), Halili nuk i bënë për revansh. As për me maijsë mllefin narcizoid nacionalist. E bënë, sepse siç e thekson edhe vet, dëshiron që nëpërmes rrëfimit me nxitë tek njerëzit atë katarzën aristoteliane. Me i bë njerëzit me mëndu seriozisht për dëmet që ia kanë shkaktuar njëri-tjetrit. Prandaj, e gjithë lufta mendore e tij

është që me i bë njerëzit me menduar për veprimet e tyre. Me dyshu në atë çka mendojnë dhe atë që veprojnë, por asnjëherë mos me dyshu se e mira ma e lartë për njeriun, kudo qoftë e qysh do qoftë ai, është liria. Njeriu i lirë edhe ushqimin që e ha e tretë më mirë edhe mendimet i bluan më shumë para se t’i hedhë në veprim. Andaj, Halili çdoherë i kundërvihet atyre që bluajnë trash. Atyre që marrin për

sipër ta rregullojnë botë, por jo vetën e tyre. Me ta ai ka qenë dhe është çdoherë i pakompromis.

Ai nuk debaton me ta, sepse ata nuk e njohin debatin, sepse nuk e durojnë lirinë e tjetrit. Ai debaton me idetë. Me Lirinë. Me i shty kufijtë e njohjes mbi të. Duke ia njoftë mungesën lirisë, ai nuk e lë atë në ndërgjegjen e askujt.

Pra, siç vërejmë, për Halilin kushti për me jetu në një paqe të qëndrueshme me njëri-tjetrin është ndërgjegjësim për lirinë. Për lirinë e Tjetrit, sepse për Halilin Tjetri nuk ngjason me ferrin, por me mundësinë e ndërtimit të një ambienti njerëzor, social dhe politik. Tjetri si kuptimsim i lirisë, jo si cenim i saj.

Prandaj, nëse e vëzhgojmë me kujdes të gjithë veprimtarinë intelektuale të Halilit, gati gjysëm shekulli, është përpjekje e pa rreshtun për të mësuar për dhe mbi lirinë. Ky është, jo vetëm shqetësim poetik e filozofik i tij, por edhe shqetësim njerëzor. Dhe marrë në tërësi, pavarësisht burgjeve, vrasjeve, dhunës, izolimit, dëbimit; Halili dhe brezi i tij nuk i përkasin brezit të humbur.

Në fakt ata janë brezi i demokracisë, pra, brezi i lirisë.

Edhe ky libër që keni në duar i përket kësaj fryme.

Thanë për librin:

“E Vërteta ecë dhe fluturon. Shpeshherë. E Vërteta ngecëdhe rrëzohet. Edhe më shpesh. 
E Vërteta nganjëherë varroset shtatë pashë në dhe. E Vërteta pastaj zbulohet dhe ringjallet. 
E Vërteta edhe robërohet. Ajo edhe burgoset. Pastaj çlirohet. 
E Vërteta është zë dhe fytyrë e të syrgjynosurve në Atdheun e tyre. Pastaj, e Vërteta bëhet liri e tyre. Këtë të Vërtetë ata e çmojnë dhe e tallin. Njëkohësisht. 
E Vërteta jeton me individin që është krejt një popull. Pastaj, ajo rron me një Popull të tërë që shfaqet tek secili individ. 
E Vërteta fitohet shumë vështirë. Dhe e Vërteta humbet fare lehtë. 
Për të Vërtetën ia vlen të vdiset. Për te, për të Vërtetën, më së shumti ia vlen të jetohet.
Të gjitha këto na i kallëzon Halil Matoshi në librin e tij “Letra nga burgu”.
Të gjitha këto të Vërteta ky i ka përjetuar vet. Me një popull të tanë.” /Blerim Shala, autor

***

“E e njoh për katër dekada Halil Matoshin po dhe shkrimin e tij.
Ai krijon imazhe në secilë fjali. Pamje që vetveprojnë si fotografi mbi kujtesën tonë.
Halili me pamjet e tij epiko – dramatike (si pamja kur baba i tij buzëqesh gjatë arrestimit të djalit), dhe groteske, (sikur rasti kur polici serb ia vjedh tazin me lapsa), vjen me librin e tij “Letra nga burgu”, imazhe të  cilat më  kalojnë  para syve si kaledioskop, duke qenë  se e njoh autorin, babain e tij, familjen, miqtë, ëndrrat, librat, pikturat e tij;  
Janë fjalët hije – dritë, me të cilat autori krijon fotografitë e tij më të bukura, drithëritëse. Fotografitë e lirisë.”/Hazir Reka, Mjeshtër i fotografisë

***

Letra nga burgu” sjell dëshmi autentike dhe të guximshme jo vetëm për përjetimet nga koha e luftës, burgut dhe lirisë, por edhe një analizë të thellë filozofike, sociologjike dhe historike mbi natyrën e pushtetit, të rezistencës dhe të artit si çlirim. Si kronist, si njeri i letrave dhe artist, Halil Matoshi lufton kundër harresës dhe inercisë që rrezikon çdo shoqëri në çdo kohë; i sfidon banalitetet e politikës dhe shoqërisë, veçanërisht në epokën e pas-të-vërtetës; i ballafaqon mitet dhe manipulimet me një qartësi të ftohtë mbi rrethanat që e kanë rrethuar dhe e rrethojnë, në kërkimin e përhershëm për të bukurën – të vërtetën.”/Agron Shala, autor

halil matoshi

BIOGRAFIA E AUTORIT

Halil Matoshi (1961 Gmicë e Kamenicës) është poet, eseist, tregimtar, gazetar dhe publicist. Merret edhe me pikturë dhe studime filozofike e letrare.
Ka diplomu në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka një master në gazetari.
Ka punu gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i shumë revistave dhe gazetave kosovare.
Katër herë i arrestuar nga regjimi serbian, gjatë Lëvizjës së rezistencës së Kosovës (1990-1999);
Matoshi ishte i marrë peng gjatë luftës për Kosovën (1999) dhe është mbajtur për një vit në kampet serbe të përqendrimit në Lipjan, (Kosovë) dhe Požarevac (Serbi).
Është autor i 10 librave letrar, publicistik e eseistik.
Libri poetik “The Lil’s poem” ka marrë Çmimin Kombëtar për Poezi “Ali Podrimja”, 2023.
Poezi të tij janë përkthye në gjermanisht, spanjisht, sllovenisht, serbisht e kroatisht, turqisht, rumanisht, greqisht, anglisht.

ObserverKult