Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dëshmitë e rralla të znj. Teuta Merlika me origjinë nga fisi I njohur nga qyteti i Krujës, babai i së cilës, Reshiti, ishte një nga 17 të dënuarit me vdekje në Gjyqin Special të zhvilluar në marsin e vitit 1945-së që u ekzekutua më datën 14 prill të atij viti në Kodrën e Priftit, diku në periferi të Tiranës, ku dhe u gjetën eshtrat me varrin e përbashkët në javën e parë të prillit të vitit 2004, pas një pune këmbëngulëse të një grupi gazetarësh dhe punonjësish të “Gazeta Shqiptare” dhe News24, me në krye z. Carlo Bolino dhe ing. Nestor Kote, një nga familjarët e 17 të pushkatuarëve. Kush ishte Reshit Merlika, çfarë lidhjesh kishte ai me kryeministrin Mustafa Kruja Merlika, pse e pranoi ai postin e federalit fashist, pse nuk u largua nga Shqipëria dhe çfarë thuhet në letrën që ai ia dërgoi bashkëshortes së tij më 12 prill 1945-së, vetëm dy ditë para pushkatimit?
Në ditët e para të prillit të vitit 2004, një grup gazetarësh dhe punonjësish të “Gazeta Shqiptare” dhe Televizionit News24, me ndihmën e inxhinierit, Nestor Kote, (nipi i njërit prej të pushkatuarëve), bënë të mundur gjetjen e vënd-varrimit dhe nxjerrjen e eshtrave të 17 të dënuarëve me vdekje në Gjyqin Special të zhvilluar në marsin e vitit 1945, të cilët u ekzekutuan më 14 prill të atij viti. Pas zbulimit të varrit të përbashkët në Kodrën e Priftit të 17 të viktimave, gjë e cila u trasmetua live nga televizioni News24 dhe u pasqyrua edhe në kronikat e edicioneve të lajmeve pothuaj në të gjitha kanalet televizive të asaj kohe, në adresë të redaksisë së “Gazeta Shqiptare” dhe News24, erdhën shumë mesazhe falenderimi nga familjet e të afërmit e tyre që jetonin në Shqipëri, apo dhe jashtë vëndit. Po kështu perveç telefonatave të shumta dhe mesazheve nëpërmjet postës elektronike, disa nga familjarët e atyre 17 të ekzekutuarëve, erdhën vetë në redaksinë tone, apo na pritën në shtëpitë e tyre për të shprehur konsideratat e falenderimet e tyre për grupin e gazetarëve që u impenjua dhe ndihmoi në zbulimin e atij varri masiv. Sic ishte profesor Luan Omari me të vëllanë e tij, Fatosin me të cilët zhvilluam një intervistë të gjatë për News24 dhe “Gazeta Shqiptare”. Pas zotit Terencio d”Alena, kolonelit 53-vjeçar me banim në Romë, gjyshi i të cilit, Terenenc Toçit, ishte njeri prej atyre 17 fatëkeqëve që u pushkatuan tek Kodra e Priftit, në redaksinë tonë asokohe u paraqit edhe zonja Teuta Merlika, e cila gjithashtu jetonte e punonte me familjen e saj në qytetin e Foxhias në Itali. E cila sapo na takoi, u shpreh: “Sapo mësova lajmin për zbulimin e varrit masiv në Kodrën e Priftit, ku prehet dhe babai im, Reshit Merlika, nuk më mbante më vëndi atje, prandaj plotësova dokumentat dhe erdha këtu për t’jua falenderuar për atë punë fisnike që keni ndërrmarë”.
Bashkë me falenderimet e rastit, znj. Teuta Merlika na solli edhe disa foto të babait të saj, Reshit Merlikës, si dhe letrën origjinale që ai ia dërgonte nga burgu bashkëshortes së tij dhe gjithashtu nënës së Teutës, Adiles, vetëm dy ditë para ekzekutimit, më 12 prill të vitit 1945. Po kush ishte Reshit Merlika, ku ishte diplomuar dhe çfarë lidhje kishte ai me Mustafa Merlikën, gjuhëtarin e politikanin e famshëm që pranoi postin e kryeministrit të Shqipërisë në një nga periudhat më të vështira të saj, atë të pushtimit fashist?! Çfarë funksionesh kishte pasur Reshit Merlika gjatë kohës së pushtimit në vitet 1939-‘44 dhe përse ai nuk ishte larguar nga Shqipëria, ashtu si shumë eksponentë të tjerë që gjatë Luftës kishin qenë në krahun kundërshtar të komunistëve? Ç’farë thuhet në letrën që Reshit Merlika i dërgoi nga burgu bashkëshortes së tij, Adile Kovaçit, vetëm dy ditë para ekzekutimit? Si e mësuan familjarët e Merlikës, vëndin e ekzekutimit në Kodrën e Priftit dhe si arritën ata që ta hapnin varrin për të marrë një shenjë nga rrobat e trupit? Cili ishte fati i familjes së Reshit Merlikës dhe pjestarëve të tjerë të atij fisi të njohur krutan gjatë periudhës së regjimit komunistë të Enver Hoxhës? Lidhur me këto e plot ngjarje, fakte dhe histori të tjera, na njohu zonja Tetuta Merlika, në një intervistë që i morrëm me atë rast, të cilën po e botojmë të plotë në këtë shkrim.
Zonja Teuta, a mund të na thoni me pak fjalë se kush ka qenë babai juaj, Reshit Merlika?
Babai im, Reshit Merlika u lind në vitin 1913 në qytetin e Krujës prej nga është dhe origjina e familjes sonë. Babai ka pasur edhe tre vëllezër, të tjerë: Aliu, Sejdi dhe Faiku. Nëna e babait, d.m.th. gjyshja jonë, quhej Zoje dhe ajo gjithashtu ishte bijë nga qyteti i Krujës. Pas mbarimit të shkollës shtatëvjeçare në qytetin e Krujës, babai fitoi të drejtën e studimit për të ndjekur mësimet në shkollën Tregtare të Vlorës të cilën e përfundoi me rezultate shumë të mira në vitin 1931.
Çfarë lidhje gjaku kishte babai juaj, me Mustafa Merlikën, ish-kryeministrin e Shqipërisë në periudhën e pushtimit fashist të vëndit?
Me Mustafa Merlikën, babai ishte kushëri i parë, d.m.th. ata të dy i kishin baballarët vëllezër. Për Mustafa Merlikën është folur gjithnjë vetëm keq, por duhet të kemi parasysh se ai ka qenë një patriot i madh që nga koha e ngritjes së flamurit në Vlorë në 1912-ën, ku ka firmosur bashkë me Ismail Qemalin e delegatët e tjerë, aktin e Pavarsisë. Gjatë kohës së Monarkisë së Zogut, Mustafai qëndroi jashtë Shqipërisë si antizogist dhe ai u kthye në atdhe në vitin 1939. Duke menduar se vëndi ynë do të fitonte pavarsinë duke përfituar nga lufta e shteteve të mëdha si Italia, Gjermania dhe Japonia, Mustafai pranoi postin e Kryeministrit të Shqipërisë, në një nga periudhat më të vështira që po kalonte vëndi ynë. Këto ide të tij, përveç miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt, Mustafai mundohej t’ua nguliste në mëndje edhe burrave të fisit Merlika. Kështu në këtë kontekekst, babai im, Reshiti, në periudhën e pushtimit fashist të vëndit, pranoi të vishej si federal, duke shërbyer në atë detyrë jo më shumë se gjashtë muaj në qytetet e Krujës dhe të Durrësit.
Pra, Mustafai e nxiti babanë tuaj të vishej federal?
Nisur nga e kaluara e tij patriotike, shkollimi dhe autoriteti i jashtëzakonshëm, Mustafai kishte një influencë të madhe në të gjithë burrat e fisit Merlika. Kur ai mori postin e kryeministrit të Shqipërisë nën pushtimin italian, ju lut babait që të vishej si federal, duke i thënë: “Po nuk e bëmë ne këtë gjë, nuk mund t’ju themi dot të tjerëve”.
Po pas kapitullimit të Italisë, me çfarë u mor babai juaj?
“Me sa di unë nga ato që më ka pas treguar nëna ime, Adile (Kovaçi) babai ka pas punuar si shofer me një automjet “Tatrra”.
Si dhe kur u arrestua babai juaj, Reshiti?
Babai u arrestua në fillimin e vitit 1945 nga forcat partizane të ndjekjes në katundin Mafsheq, afër Qafë-Shtamës në malësinë e Krujës, të cilat komandoheshin nga Rexh Deliu.
Në fundin e vitit 1944 kur fitorja e partizanëve të Enver Hoxhës ishte punë ditësh, përse nuk u largua babai juaj nga Shqipëria ashtu si shumë të tjerë, ose më saktë si Mustafa Kruja?
Babai nuk donte të largohej nga Shqipëria, sepse ai e ndjente veten krejt të pastër dhe nuk kishte bërë asgjë që ta vriste ndërgjegjia. Ndonëse ai i kishte të gjitha mundësitë që të ikte nga Shqipëria, nuk u largua por qëndroi krejt i qetë në shtëpinë e tij në Krujë. Po kështu desha të sqaroj, se edhe Mustafa Merlika nuk është larguar nga Shqipëria për t’i shpëtuar ndjekjes së komunistëve. Vjeshta e vitit 1944, e gjeti Mustafanë në Vienë të Austrisë, ku ai kishte shkuar për të kuruar djalin e tij, që më pas i vdiq në një nga spitalet e atij qyteti. Kjo gjë vërtetohet edhe me faktin se Mustafai po të kishte pasur si qëllim largimin nga Shqipëria prej frikës së komunistëve, ai nuk do të linte këtu të gjithë pjestarët e tij të familjes, me grua e fëmijë.
Kur e mësoi familja juaj pushkatimin e babait, Reshitit?
Dy ditë para se ata të 17 të ekzekutoheshin tek Kodra e Priftit, babai i dërgoi një letër nënës, ku i shkruante që të mos bëhej merak dhe të kujdesej për ne fëmijët, pasi vëllezërit e tij, Aliu, Sejdi dhe Faiku, do t’i bëheshin vëllezër edhe asaj. Nga sa ishte shkruar aty, nuk ishte e vështirë të kuptohej se ai po i linte amanetet e fundit para pushkatimit. Kështu që nëna e babës, Zoja, u interesua me anën e miqve të familjes sonë dhe mësoi se më datën 14 prill 1944, ata do të ekzekutoheshin në periferi të Tiranës, në Kodrën e Priftit. Me sa më ka pas treguar nëna, atë ditë që ata të 17-të u dërguan për t’u pushkatuar, ka qenë ditë Bajrami. Kështu atë ditë, gjyshja Zoja mori vëllanë tim të madh, Gimin dhe dolën në Pazar për të blerë ndonjë gjë për festë (pasi ne jemi bektashian) dhe për të mësuar ndonjë gjë për babën, sipas fjalëve që u kishin thënë. Krejt rastësisht, teksa ata të dy ishin duke kaluar në një nga rrugët afër qendrës së Tiranës, panë makinat me ushtarë e me disa njerëz të lidhur që po kalonin aty afër tyre dhe u bënë kurioz për të parë se kush ishin ata. Në ato momente që makinat kaluan fare pranë tyre, babai, Reshti që ishte afër spondës, i pa ata dhe u çua në këmbë duke u thënë: “Pse rrini rrugëve e nuk shkoni në shtëpi për të festuar Bajramin”?!
Çfarë bënë ata pas fjalëve të Reshitit?
Zoja e nisi Gimin tek një miku i familjes sonë dhe vetë u nis për në drejtim të Kodrës së Priftit. Ajo arriti që ta shihte të gjithë skenën e pushkatimit nga një vënd jo shumë larg ku ishte fshehur që të mos e shikonin ushtarët. Ajo qëndroi aty e fshehur deri në orët e vona të natës dhe kur u larguan ushtarët shkoi menjëherë aty tek vëndi e hapi gropën që nuk ishte shumë e thellë. Ajo mundi që ta dallonte babanë tonë dhe njëkohësisht djalin e saj, nëpërmjet rrobave që ia kishte çuar vetë disa ditë më parë tek burgu i vjetër. Pasi i këputi një copë xhaketë dhe këmishë të përgjakur, ajo i futi aty në shishe të vogël ku më parë kishte shkruar në një copë letër emrin e tij. Pasi u sigurua për vëndin e varrimit, gjyshja Zoje u kthye në shtëpi. Ato dy rroba të babait, gjyshja Zoje i ruajti si gjënë më të shtrenjtë të jetës dhe kur ndërroi jetë, ia dhanë me vete.
Pas asaj dite, a shkoi më Zoja në atë vënd?
Edhe pas asaj dite ajo shkonte vazhdimisht në atë vënd dhe vinte nga një tufë me lule.
Sa vjeç keni qenë ju në atë kohë që u ekzekutua babai?
Unë kam qenë katër vjeç, vëllai i madh, Gimi, ishte shtatë vjeç, ndërsa vëllai i vogël, Genci, nuk e kishte mbushur vitin.
Pas pushkatimit të babait, ku u rritët ju?
Pas pushkatimit të babait, gjyshja Zoje, i tha nënës sonë, Adiles, që të kthehej tek prindërit e saj, pasi do të kishte shumë të vështirë për ta përballuar jetën dhe rritjen e tre fëmijëve të vegjël, për shkak të mbiemërit Merlika. Por nëna jonë nuk pranoi, duke thënë se do të rrinte në atë shtëpi, sa të ishte gjallë. Kështu ajo qëndroi tek Merlikat dhe na rriti ne tre fëmijëve me njëqind halle. Nëna jonë Adilja ka qenë një grua heroike dhe ajo na ka rritur ne, duke punuar në punët më të rënda të ndërtimit. Ne na lanë pa shkollë dhe “lufta e klasave” e pesha e mbiemërit Merlika, na ndoqi pas gjithë jetën, deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991″.
Përveç babait tuaj, nga fisi Merlika a ka pasur të tjerë viktima të terrorit komunisit?
Komunistët u sollën në mënyrën më barbare me fisin Merlika, duke pushkatuar dhjetë burra prej tyre, e duke burgosur e internuar me dhjetra të tjerë. Kështu përveç babait tonë, ata kanë pushkatur edhe: Sul Merlikën, Sef Merlikën, Mer Merlikën, Man Merlikën, Haxhi Merlikën etj., historitë e të cilëve, i ka ditur shumë mirë vëllai im, Gimi, i cili ka ndërruar jetë para pak viteve.
Pas viteve ’90-të, a keni kërkuar për gjetjen e eshtrave të babait tuaj?
“Në vitin 1993, dy vëllezërit e mi, Gimi me Gencin shkuan në Kodrën e Priftit ku kishin filluar kërkimet, por ajo punë mbeti në mes.
Si e mësuat lajmin e gjetjes së eshtrave të 17 të ekzekutuarëve në Kodrën e Priftit?
Lajmin për gjetjen e eshtrave, mua ma tha vajza ime në telefon, pasi unë isha në Itali, në qytetin e Foxhias ku jetoj e punoj prej disa vjetësh. Sapo e mësova atë lajm nuk më mbante më vëndi dhe pasi plotësova dokumentet, erdha këtu në Tiranë për t’ju falenderuar edhe ju si redaksi për atë punë tepër fisnike që keni bërë. Mua më duhet të largohem përsëri në Itali, por do ju lutem që të më telefononi kur të bëhet ceremonia e rivarrimit, pasi do të vij menjëherë në Tiranë. Shpresoj që të na jepet edhe ne mundësia për të vënë një tufë lule mbi varrin e babait./Memorie.al