Letra rrëqethëse e mësueses nga Ukraina: Ju lutem, ndaleni këtë gjë…

Foto ilustrim

Ditari i një mësueseje ukrainase i publikuar nga “The Times”. Julia Lagoda, mësuese në qytetin Kherson, që ra në duart e forcave ruse javën e kaluar, u largua nga shtëpia me familjen e saj, por dëshiron kthimin në jetën normale. Ajo rrëfen me detaje, çfarë po ndodh në atdheun e saj, si dhe sesi u larguan nga shtëpia.

Nga Julia Lagoda

“Ditën që Rusia pushtoi Khersonin, u zgjova në orën 7:30 të mëngjesit, por para kësaj ndjeva se diçka do të ishte shumë keq, ishte intuita ime. Njerëzit ishin të stresuar, nervozë, duke folur për situatën në Rusi, por sinqerisht, nuk e menduam pushtimin.

Shtëpia jonë është afër urës Antonovskiy, mbi lumin Dnieper, në Kherson. Trupat ruse filluan të luftojnë rreth kësaj zone. Rrethuan qytetin dhe e pushtuan. Kryebashkiaku dhe zyrtarët, nuk kapitulluan dhe vazhduan të kryejnë detyrat administrative brenda mundësive. Pastaj, 2 marsi: “Buuum” – përsëri luftimet.

Kishim frikë. Vajza ime, Taya, që bën dhjetë vjeçe muajin tjetër, po qante. I thashë: “Lutu, lutu, lutu për Ukrainën, për njerëzit.” Ajo ishte e bindur. I thashë: “Taya, vazhdo dhe vish rrobat” dhe më dëgjoi. E kuptoi që ne duhet të lëviznim shumë shpejt.

Vrapuam drejt strehës pranë një shkolle, por kaluan shtatë deri në dhjetë minuta, kur dëgjuam një zhurmë shumë, shumë, shumë të fortë bombardimi. Më pas, në një strehë tjetër me ndërtim më të mirë. Tani jemi në shtëpinë e njerkës time, sepse është më e sigurt në këtë pjesë të Khersonit – unë, bashkëshorti Andrei, Taya dhe njerka ime.

Falë rrjeteve sociale – Viber, WhatsApp, Telegram, Instagram – ne krijuam grupe ku njerëzit shkëmbejnë informacione, video, fotografi. Aty ku jemi kemi ujë dhe energji elektrike. Dyqanet janë të hapura, por ka mungesë të madhe produktesh, si dhe ilaçesh. Radhë të gjata gjithashtu, veçanërisht për bulmet dhe mish.

Ka pika kontrolli: është shumë e rrezikshme. Ka video makinash që lëvizin diku, duke u larguar nga qyteti dhe rusët as që pyesin “Kush je, ku po shkon?” – vetëm të shtëna.

Ne dalim për të hedhur mbeturinat, por shumë shpejt, sepse ka kaq shumë ushtarë rusë përreth qytetit – megjithëse, shumica janë në qendër.

Unë jam shumë aktive, më pëlqen sporti: vrapimi, noti. Jo tani. Para kësaj situate, e doja jetën, më pëlqente të mësoja fëmijët, gjithçka ishte e mirë dhe e gëzueshme. Vajza ime i bie pianos – edhe unë luaj. Por, pianoja është në shtëpinë tonë, jo këtu.

Pasi zgjohem, marr telefonin dhe lexoj lajmet: pamje të pabesueshme – njerëz të vdekur, ndërtesa të shkatërruara. Është shekulli i 21-të, por në çdo fotografi është si apokalips. Kam qarë shumë më parë, por tani ndihem si zombie. Jam e mpirë, sepse çdo ditë vrasin njerëzit tanë, bombardojnë qytetet tona.

Morëm gjërat më të rëndësishme: dokumentet zyrtare dhe pasaportën, kartën e identitetit, paratë, ujë, pak ushqim. Rrobat – mora një këmishë, një palë pantallona, ​​tri palë të brendshme, një kapuç, një këmishë dhe kaq. Krehër, furçë dhëmbësh.

Për vajzën, nuk morëm asnjë lodër që donte ajo. Është faji im. Ajo ka një ari të vogël prej pellushi. Mora disa lapsa për të ngjyrosur, por asaj i pëlqejnë stilolapsat me majë, që njerka nuk i ka. Laptop, ushqyes, telefona. Dhe një gjë shumë e rëndësishme: macja jonë e përkëdhelur: si mund ta linim atë? E ka emrin Sausiska – “sallam”. Ajo u përshtat, por ishte e tmerruar kur lëvizte.

Një qendër e madhe tregtare u sulmua dhe pati një zjarr të madh dhe disa pjesë të qendrës tregtare u shkatërruan. Tani janë të zeza, të djegura. Kështu janë shumë ndërtesa, larg nga këtu. Dëgjojmë bomba – ndonjëherë, në mëngjes e mbrëmje.

Qytetarët tanë organizuan një protestë kundër pushtimit. Dje erdhën makinat e policisë dhe arrestuan njerëzit tanë. Ne e duam fitoren e Ukrainës në këtë luftë të tmerrshme, por jemi të ngopur. Njerëzit duan të jetojnë jetën e tyre private, atë që kanë jetuar më parë.

Për Evropën, tani është më urgjente që të sigurohet se, Putini, nuk mund të shkojë më tej. Nëse e gllabëron Ukrainën, ai mund të përparojë… Bota duhet ta kuptojë: ndalojeni tani, ndryshe do të jetë një katastrofë për mbarë botën. Lufta e Tretë Botërore.”

*Julia Lagoda, 34, është një mësuese e anglishtes dhe frëngjishtes në qytetin ukrainas Kherson, një qytet port i rëndësishëm strategjik në Detin e Zi, që ra në duart e forcave ruse javën e kaluar./konica.al


Lexo edhe:

DËSHMIA SHOKUESE NGA UKRAINA: “GRUAJA NDËRROI JETË- VAJZËN KUR E MORA NË DUAR NISI TË QANTE…”

ObserverKult