Letrat e Marko Boçarit pritet të shiten në ankand

Nëse ka një figurë aq të madhe nga arvanitasit e Greqisë dhe një njeri që u njoh për bëmat në tokën helene, duke shenjuar revolucionin e vitit 1821 – një arvanitas, që nuk e mohoi kurrë origjinën, ai ka qenë Marko Boçari.

Një koleksion i veçantë i librave, dorëshkrimeve, dokumenteve dhe gdhendjeve të rralla përfshin ankandin e shtëpisë së ankandeve VERGOS, që do të zhvillohet të mërkurën, më 9 qershor, në orën 5:30 të pasdites, në hotelin “Athens Plaza”.

Ky është ankandi i parë i kësaj shtëpie për vitin 2021, me mundësinë e pranisë publike, i cili do të shfaqet drejtpërdrejt në të njëjtën kohë përmes faqes në internet www.vergosauctions.com.

Në Ankandin e Librave, Dorëshkrimeve, Dokumenteve dhe Gdhendjeve të Rralla – Spikat pjesa e 17 e dokumenteve të familjes së Marko Boçarit.

Në kuadrin e 200-vjetorit të revolucionit grek të 1821-it, kjo shtëpi ankandi ofron mundësinë e marrjes së dokumenteve të rëndësishme në lidhje me ngjarjen historike, të tilla si një seksion me 17 letra dhe dokumente të tjerë të Marko Boçarit dhe anëtarëve të familjes së tij.

Siç dihet, për të mbrojtur familjen e tij nga zemërimi i turqve, heroi legjendar e dërgoi atë në Ankona të Italisë, për siguri.

Materiali arkivor që do të dalë në ankand, përfshin letra që iu dërguan familjes së mërguar nga Greqia, përfshirë 2 nga vetë Marko Boçarit dhe 9 të vëllait të tij, Kosta, i cili pas vdekjes së heroit mori mbrojtjen e familjes.

Për më shumë informacion mbi mënyrat alternative për të marrë pjesë në ankand dhe procesin e ekzaminimit të artikujve, sipas të dhënave të reja të përcaktuara nga shteti, palët e interesuara mund të vizitojnë faqen e internetit www.vergoauctions.com.

Babai i Markos, Kiço Boçari, lindi në vitin 1753 dhe u vra në qytetin Artë, me 1813, nga Gogo Bakolla.. Në vitet e revolucionit grek Marko trimi dhe Bakolla u gjendën ballë për ballë njëri-tjetrit. Në kohën kur të gjithë prisnin një hakmarrje të Boçarit për vrasjen e babait të vet, ai i dha dorën Bakollës dhe e puthi në interes të revolucionit. Kiço Boçari u martua tri herë dhe lindi 18 fëmijë, nga të cilët 5 vdiqën të vegjël. Nga martesa e parë me Hrisula Papazoti Jotin, Kiço Boçari pati 5 femije, Janin, të mrekullueshmen Lena, Marien, Anastasin dhe Markon.

Marko Boçari ishte, përveç të tjerave edhe një burrë shumë i pashëm. Mirësia e shpirtit të tij ishte e vizatuar në tiparet e tij aq shprehëse. Kaq e vërtetë ishte kjo sa një frazë e shkruar në ato kohëra thoshte “Ishte qingj me shpirt luani. Shumë shqiptarë që e njihnin, gjithmonë thoshnin se po të ishte mysliman ata do të besonin se vetë profeti Ali ishte kthyer të jetonte në toke). Portreti i tij i viteve të rinisë, i vizatuar nga piktori Zaluzi, është dëshmia e kohës.

Marko Boçari nuk ishte vetëm një burrë trim e i pashëm, por edhe një ushtarak i shkëlqyer, i njohur për guximin e tij.

U shqua në të gjitha luftimet që u zhvilluan në Greqinë Perëndimore dhe, sidomos, përreth Mesolongjit, jo vetëm si qytetar i atij vendi, por edhe duke trashëguar në gjakun e tij urrejtjen që patën ndaj otomaneve paraardhësit e tij skënderbejane. Kjo aftësi e bëri atë që në moshën 32-vjeçare të caktohej si kryekomandant i forcave luftuese të Greqisë Kontinentale Perëndimore. Ky emërim që nuk kishte sesi të mos zgjonte zili dhe grindje mes kapedaneve të shquar të atyre trevave.

Markoja për t’i qetësuar grisi para syve të oficerëve të tij diplomën dhe urdhrin e emërimit si kryekomandant dhe tha zëlartë: “Kush është trim e rifiton këtë diplomë nesër në betejë!”/konica.al

LEXO EDHE: Poema në gjuhën shqipe e shkruar më 1889 nga një arvanitas i Greqisë