Statuja monumentale e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastëriot Skënderbeut, e menduar për në Lezhë vazhdon që të jetë peng i mërive politike. Skulptori Adrian Pepa rrëfen itinerarin dhe pengesat, ndërsa statuja gjendet prej 2 vitesh në Mënik të Tiranës.
E kush do ta kishte menduar, se një ditë peng i mërive politike do të bëhej edhe një statujë monumentale e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastëriot Skënderbeut.
“Ka qenë një punë që kërkonte shumë angazhim. Fillimisht duhet të bëhej shumë shpejt. Ndërsa, sot prej dy vitesh gjendet akoma në fonderi”, rrëfen skulptori Adrian Pepa.
Gjithçka zë fill në 2018-n, ku për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut Bashkia e Lezhës organizon një konkurs, nga ku shpall fitues skulptorin Ardian Pepa.
“Fillimisht realizimi ka qenë shumë e vështirë, pasi ne jemi mësuar me skulpturën e Odhise Ëalit, por unë jam bazuar në disa grafika ekzistuese dhe disa shkrime të historianëve edhe studiuesve të ndryshëm, pasi në qendër është periudha kur Skënderbeu mblodhi principatat”, thotë artisti.
E pas realizimit të statujës, që në 2 mars të 2019-s do të vendosej në sheshin “Gjergj Kastërioti” për 575-vjetorin e Besëlidhjes, festa mori tjetër rrjedhë, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit do të shembte shkallët e para, mbi të cilat do të vendosej bazamenti dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës do ta justifikonte, se shtatorja ndodhej brenda zonifikimit arkeologjik zona A.
“Gjithë pengesat nisën për shkak të lejes, moskoordinim i bashkisë së Lezhës me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Fillimisht nuk u bë asnjë lloj gërmimi, ndërsa më pas u përcaktua që nga zona A do të vendosej në zonën C. Edhe një vit pasi u ndërruan kryetarët në momentin që u mendua se çështja u zgjidh, për shkak të pandemisë puna u pezullua sërisht”, vijon të tregoj skulptori.
Edhe kështu në heshtje do të kalonte edhe një vit, për të mbërritur në 2020-n, ndërsa statuja për shkak të mërive politike edhe të pandemisë vazhdon ende të jetë në fonderinë ku është derdhur në bronz në Mënik të Tiranës, edhe pse instituti ka aprovuar lejen për në zonën C.
“Në fillim u mendua se janë gjetur lekët, por nuk është bërë asgjë. Gjithë kostoja e realizimit të veprës ka qenë 70 mln lekë. Deri tani është marrë paguar një shumë e vogël. Ndërsa, unë si artist kam punuar pa ndalur tek ana monetare, por duke pas në vëmendje se si të dalë vepra më e mirë”, thotë Pepa.
Veprat e skulptorit Adrian Pepa, prej 20 vitesh gjenden në disa parqe kombëtare edhe ndërkombëtare./ shqiptarja