Shtëpia Botuese “Armagedoni” ka nxjerr nga shtypi veprën e re të publicistit Agron Shala – Dekalogu (nga Moisiu deri te Kieślowski).
Kjo vepër studimore merret me analizën e një prej veprave më unike të kinematografisë botërore, Dekalogun e regjisorit polak, Krzysztof Kieślowski, duke i bërë po ashtu analizë Dhjetë Urdhrave sipas juadizmit, krishterimit dhe islamit, e duke i ndërthur këto me realitetin shqiptar.
Publicisti dhe studiuesi Daut Dauti, që ka shkruar parathënien e kësaj vepre, ndër të tjera ka thënë: “Kur shikohet “Dekalogu” i Kieślowskit dhe kur lexohet libri i Shalës, kuptohet thënia se ‘thjeshtësia është madhështi’”.
Për këtë vepër janë dhënë edhe këto mendime:
“Rrallëherë ndodh qe lexuesi, pasi ta ketë lexuar librin, të marrë informacion, të gjejë thellësi mendimi, shqyrtim profesional dhe njerëzor të një krijimtarie filmike sikurse i merr dhe i gjen në librin e Agron Shalës. Njëjtë si Kieślowski që i linte të hapura veprat e tij, Shala nuk pretendon të mbyllë asgjë por, duke shqyrtuar në dimensionin artistik, politik, fetar e njerëzor, hap mundësi të reja interpretimi për dekalogun e ditëve tona”.
Zymber Kelmendi, skenarist, profesori skenarit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës
“Ky libër është interpretim për dramën serike Dekalogu të regjisorit Krzysztof Kieślowski, i ndërthurur me një egzegjezë të lirë autoriale të veprave të kulturave të lashta, ku nuk mungojnë as analiza psikologjike e etike që lidhen me karakteret dhe veprimet e protagonistëve të dramës, por edhe me jetën dhe besimin e shqiptarëve sot. Një libër i shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, që me çdo fjali të shtyn ta lexosh më tutje. Konsideroj se ky libër përbën një kontribut të pasur shkencor në opusin e kritikës së veprave artistike”.
Kristë Shtufi, filozof, profesor në Fakultetin e Filozofisë të Universitet të Prishtinës.
“Një libër që zbërthen relacionet e njeriut me fenë dhe Zotin, që bazohet në një vepër filmike, por që përçohet te ne nëpërmjet urdhrave biblike. Autori në mënyrë të mprehtë dhe me delikatesë e ndërlidh temën e besimit në Zot, ekzistencën e religjioneve te shqiptarët, duke bërë ndarjen mes fesë dhe identitetit kombëtar. Shkurt, ky është një libër i shkruar me kujdes, me një gjuhë të pastër dhe krejtësisht intelektuale, e që do të duhej të lexohej nga secili”.
Fadil Sahiti, profesor në RIT Kosovo (A.U.K) (ish-profesor në institucionet prestigjioze arsimore të Britanisë, si Birkbeck, London School of Economics dhe University College London)
“… përmes mikrobotës së Kieślowskit, “Dekalogu” i Agron Shalës na dëshmon se mund të ringjallet metamorfoza progresive e mendjes tonë…”
Orhan Kerkezi, profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Redaktor i librit është Berat Armagedoni, lektore Kimete Kasumi, ndërsa tri kopertinat i ka punuar mjeshtri i dizajnit, Faton Hasimja. Libri së shpejti do të jetë në shitje në Librarinë “Dukagjini”./telegrafi