Libri i dyfishtë

Lulëzim Haziri: “Testament prej mëndafshi” (poezi)

Nga Ahmet Selmani

a) Ndjesia e krijimit

Libri poetik me titull “Testament prej mëndafshi” i Lulëzim Hazirit shfaqet përpara lexuesit si një mozaik i gjerë në kuptimin heterogjen të kësaj fjale, sepse mëton të jetë gjithëpërfshirës në qenësinë e vet strukturore e artistike. Në radhë të parë mund të themi se është një libër i ndjesisë krijuese, për faktin se kemi të bëjmë me një ballafaqim dhe determinim poetik të vetë aktit të krijimit, me psikologjinë dhe gnoseologjinë e tij, të cilat pleksen vetvetiu si një ontologji më vete. Pra aty bëhet përkufizimi i poezisë si një zhanër i veçantë, vendoset në kontekstin e vrojtimit të brendshëm e të jashtëm, shndërrohet në një variant palimpsestik brenda vargjeve, artikulohet si një shqiptim kryekëput individual etj. E gjithë kjo do të thotë se në rastin konkret na bie në sy identifikimi poetik i autorit si subjekt dhe i krijimit si art. Mjafton të lexojmë poezinë ”Era e shkrimit ia vjedh qiellit çarçafët prej teli” për të parë se si vizualja dhe  shpirtërorja e plotësojnë njëra-tjetrën duke krijuar similitudën e veçantë poetike, e cila natyrshëm na shpie nga toka në qiell, ose nga pjesa tipografike (shkrimi) deri në qiell (çarçafët prej teli), si një cak i nëkuptueshëm hyjnor. Nëpërmjet këtij figuracioni të pazakontë autori arrin ta determinojë “erën e shkrimit” si një përjetim dhe ballafaqim shpirtëror. Ndonëse mund të duket krejt si një koncept vizual, në thelb është tejet psikologjik, sepse ndjesia personale është shumë e më e thellë dhe më shkundulluese. Në fakt ky është akti i krijimit poetik, sprova autoriale që na shpie nëpër zonat reale dhe imagjinative, aty ku ai e zbulon edhe vetë poezinë si një formë të kryer ose si një definim vetanak:

Është nxitja dhe vrapi
Për të mbledhur
Hije zogjsh
Në fluturim

Në këtë mënyrë L. Haziri na fut në botën e tij krijuese duke na i nxjerrë përpara parametrat e supozuar poetikë, përmasat e shtrirjes së preokupimeve të tij, brenda të cilëve ngjizet ndjenja dhe mendimi i tij, shqetësimi dhe vizioni artistik.

b) Gnoseologjia e dashurisë

Në rrafshin e ndërtimit poetik të Lulëzim Hazirit, pa dyshim dashuria është çështja më e veçantë që trajtohet dhe që mëton të ngrihet në një filozofi më vete, e cila si e tillë mbase është vetëdeterminuese dhe programatike. Në të vërtetë, ajo është një formulë e theksuar gnoseologjike (njih e dashuro), e cila shtrihet  dhe zbërthehet nëpërmjet një shkallëzimi apo kombinimi poetik (të duash pa njohur, të njohësh duke dashur, të duash duke parë, të duash duke njohur, të shohësh me dashuri etj.). E gjithë kjo formë e diskursit urdhëror është apeluese dhe ndërgjegjësuese, është orientim përcaktues nga ontologjia e dashurisë, nga identifikimi me botën e thellë të saj. Kështu kjo mënyrë shndërrohet në një thirrje të drejtpërdrejtë dhe konkrete (njih e duaj). Thjesht, sipas kësaj logjike çështja bëhet edhe më intriguese dhe ftilluese, sepse në radhë të parë është një gnoseologji metaforike për qenien njerëzore. Në këtë mënyrë autori depërton në thelbin e qenies së dashurisë, duke e konkretizuar atë me ndjesi të veçanta (ajo s’ka gjumë, ajo fle, e zgjoj dashurinë në mua kur të dua, duaj si oqeani hënën e verdhë), të cilat shpalosen në formë hipotetike, si dëshirë, si mundësi apo si ndodhi. Në fakt këto janë imazhe shpirtërore të cilat shpërthejnë vetvetiu nga qenia e autorit dhe bëhen vizione poetike.

c) Zbërthimi poetik

Në mozaikun poetik të Lulëzim Hazirit vërehen shumë gjëra të vogla që i përkasin kohës dhe hapësirës, qofshin ato qenie të gjalla, qofshin edhe gjëra pa shpirt. Kjo më tepër është si pasojë e reflektimit të vetmisë ose të ballafaqimit me dukjen e tyre. Në këtë kuptim e gjejmë natën, terrin, hënën, bulkthin, xixëllonjën etj. Këto janë përjetime apo përballje spontane, ku e dukshmja bashkohet me kujtesën, konkretja bashkohet me imagjinatën duke plotësuar njëra-tjetrën brenda një tërësie dhe duke krijuar një vizion të caktuar poetik. Mund të vërehet qartë se autori përdor një diskurs habitor (ardhka marsi), si një paradoks që na shpie në vonesën dhe çrregullimin jetësor e ekzistencial, në shkakun dhe pasojat e tij. Nëpërmjet kësaj zbulon gjendjen shpirtërore, ndjesinë atipike me këtë muaj që personifikon stinën e pranverës, por që në të vërtetë ende po e bart peshën e dimrit. Thjesht autori identifikohet me këto rrethana si subjekt përjetues ose si perceptues poetik, duke theksuar ose shpalosur gjithmonë bilancin shpirtëror kundruall tyre. Kështu e zbërthen marrëdhënien e tij me kohën dhe hapësirën e caktuar, me realitetin ekzistencial që është i pashmangshëm. Mbase e njëjta gjë ndodh edhe në raport me qeniet njerëzore të cilat i zbërthen nëpërmjet intuitës krijuese, duke determinuar fatin e tyre. E tillë është poezia “Amaneti i nënës”, ku një thënie të saj, të cilën e ka ngulitur thellë në kujtesë, e transformon ose e ngre natyrshëm në shkallën e një testamenti poetik:

Mos m’i digjini petkat
Shtini nën dhe
E la nëna me gojë
Dhe iku përtej
Deshti edhe në atë botë
Ta vazhdojë këtë jetë…

Në këtë mënyrë Lulëzim Haziri e plotëson mozaikun e poezisë së tij, duke na futur nëpër zona të thjeshta dhe të ndërlikuara njëkohësisht, të errëta dhe të ndritshme, të kapshme dhe të pakapshme, por gjithmonë aty ku gjërat na i zbërthen nëpërmjet një diskursi të mprehtë lirik, nga pozicioni i thellësisë, i një gjykuesi të hollë e sqimatar, përplot elegancë e sharm poetik. Me këtë shije të hollë e prek realitetin jetësor dhe njerëzor, duke identifikuar çdo gjë nëpërmjet unit të vet, si një krijues sui generis në rrafshin e zbërthimit dhe perceptimit të shpirtit njerëzor. Prandaj poezia e tij është derë e hapur dhe e mbyllur njëkohësisht, zë që grish vetvetiu, që të mishëron me lehtësi dhe të jep mundësi të lakmueshme komunikuese.

ç) Retrospektiva poetike

Në suaza të librit “Testament prej mëndafshi”, Lulëzim Haziri na e risjell edhe librin e parë të tij “Kënga lind në vetmi” si një palimpsest tipografik dhe poetik. Kjo retrospektivë njëkohësisht është edhe perspektivë poetike, për shkak se mund të perceptohet edhe si nostalgji, por edhe si bilanc krijues, edhe si fillim, por edhe si vazhdim. Duke pasur mëvetësinë e vet, ky libër krijon një lloj varësie, sepse ndërfutet brenda një libri tjetër, ose bëhet vazhdimësi apo plotësim i tij. Aty përcaktohet koha dhe hapësira konkrete, ku ka lindur një dashuri e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite. Sikundër mund të shihet, dashuria dhe Prishtina janë dy nostalgji të autorit të cilat udhëtojnë si metafora të përjetshme duke u pikëtakuar sërish të freskëta. Në të vërtetë, pikërisht këto gjëra të dikurshme që janë mishëruar në vargjet e librit “Kënga lind në vetmi”, tani nëpërmjet një forme intertekstuale rishfaqen dhe bëhen “Testament prej mëndafshi”, duke e përmbushur mozaikun poetik të këtij libri. Kështu mund të thuhet se ky libër merr përmasa të gjera perceptuese e semantike, duke krijuar një afërsi më të madhe dhe një komunikativitet të plotë me lexuesin në kohë dhe hapësirë, si tekst dhe si nëntekst me shumësi interpretuese e konceptuese, me të gjitha përjetimet dhe shqetësimet krijuese të autorit. Në këtë kuptim libri “Testament prej mëndafshi” është edhe mburojë e një libri tjetër, ose është një libër i dyfishtë, libër i vjetër dhe i ri, libër i rikompozuar me një poetikë inteligjente. Prandaj edhe sprova e leximit të tij është një përjetim i veçantë artistik./ ObserverKult