Para një audience të zgjedhur, fundjavën e kaluar, të premten në Romë dhe të shtunën në Lecce të Italisë u promovua libri me poezi ‘La tua robinja’ i autores Donika Dabishevci.
Përmbledhja poetike në dy gjuhë, shqip dhe italisht: «Kam me ardhë si deka / La tua robinja» është botuar nga Edizioni Ensemble në kuadër të kolanës Alter poesia në Romë. Poezitë janë përzgjedhur dhe përkthyer nga Gëzim Hajdari, i cili ka shkruar edhe parathënien e librit.
Prezantimin e librit të poetes kosovare në Romë e bënë studiuesi e poeti Gëzim Hajdari si dhe kritiku e studiuesi prof. Fabrizio Milucci, ndërsa në Lecce për librin folën Maria Cucurachi dhe Ermelinda Bircaj.
Ndërsa në parathënien e cila shoqëron librin ‘La tua robinja’, shkruar nga Hajdari ndër tjerash thuhet :
“Janë vargje erotikë të panjohur gjer dje për poezinë femërore shqiptare. Gjatë diktaturës të Enver Hoxhës, në Shqipëri, trajtimi i temave ekzistencialë dhe metafizikë ishin të ndaluara. Fjalët: “prekje”, “puthje”, “eros”, “me u dashuru”, “thanatos”, “gjak i natës së parë”, “epsh”, “marrëzi” ishin të papajtueshme për moralin dhe censurën komuniste. Moto e të ashtuquajturit “realizëm socialist” ishte: «Poeti duhet të jetë syri, veshi dhe zëri i klasës proletare». Dashurohej në emër të Partisë, erosi dhe kënaqësia dashurore ishin shprehje që i përkisnin moralit dhe estetikës borgjeze të shoqërisë reaksionare e të shthurur Perëndimore.
Nga vite ’90 e këtej, poezia femërore shqiptare ka nisur të zbulojë gjithë ndrojtje emocionet e trupit dhe të shpirtit, si dhe ndjenjat dhe kënaqësinë femërore nëpërmjet dashurisë, si rrugëtim njohje dhe vërtetësi jete, si paqe e brendshme dhe liri. Dashuria përfshin tërë virtytet e botës shpirtërore, dhe e udhëheq individin drejt realizimit të tij, drejt përjetësisë. Eros do të thotë bukuri e trupit dhe e shpirtit, lartësim mistik, përndritje.”
“…Ajo ç’ka dallon vargjet e Donika Dabishevcit është aspekti sensual dhe fizik i dashurisë, di të komunikojë me trupin dhe femëroren e saj. Poetja kosovare zotëron një fuqi krijuese të madhe. Gjuha e saj poetike, mbështjellë me një shije orientale, është e fuqishme dhe tërheqëse pa rënë në shprehje të rëndomta të erotizmit të përdalë, dhe synon bukurinë si pikëmbërritje. ”
Kohë më parë edhe revista ndërkombëtare italiane online “L’Ombra delle Parole” si dhe ‘Patrialetteratura.com’ botuan cikle të zgjedhura të poezive të poetes nga Prishtina, të shkëputur nga po ky libër.
Donika Dabishevci (1980) u lind në Prishtinë. Fakultetin dhe Masterin në Letërsi Shqipe i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 doktoroi në Universitet të Tiranës, po ashtu në Departament të Letërsisë me temën “Proza poetike në letërsinë shqipe”.
Ka botuar këto libra: ‘Krizantema të plasura’ (1996) “Imazhe të brishta” (2004), “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015) dhe “Kam me ardhë si deka” (2015).