“Libri është një dritare dhe asnjëherë më shumë se sot, kemi nevojë për ajër. Ndoshta, tani nuk kemi mundësi të ikim larg, por falë librave mund të udhëtojmë kudo që dëshirojmë”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Margariti bën me dije se Ministria e Kulturës e ka pagëzuar prillin si “Muajin e Librit”, duke e sjellë si alternativë udhëtimi, gjatë këtyre ditëve që na duhet të qëndrojmë në shtëpi.
“Ju ftoj të na ndiqni në rrjete sociale për të zbuluar rekomandime nga njerëzit e letrave, libra të digjitalizuar, përralla për më të vegjlit e plot kureshti të tjera lidhur me letërsinë. Ju mbetet vetëm të zgjidhni kopertinën, si biletë për udhëtimin e radhës”, shprehet Margariti.
Arti dhe kultura, ndoshta janë ilaçet e vetme për të luftuar nga “fortesat” tona familjare koronavirusin dhe për t’i qetësuar e për t’u dhënë shpresë shpirtrave tanë të trazuar në këto kohë të errëta që po kalon njerëzimi.
Janë të shumta rekomandimet që Ministria e Kulturës jep për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të vetizoluar në emër të jetës dhe detyrimit nga autoritetet për distancim social, për të mbushur orët në familjet e tyre.
“Virtualisht mes trashëgimisë” dhe “Muzeu virtual” ftojnë cilindo të interesuar të lundrojnë që nga turet virtuale në qendrat e trashëgimisë kulturore dhe muzetë e vendit tonë, deri edhe tek monumentet e trashëgimisë kulturore botërore, si piramidat e Egjiptit. Rifreskimi i njohurive apo njohja me elementë të trashëgimisë sonë materiale, si veshjet apo stolitë, përmes vizitave virtuale në galeri, muze, për të parë opera, filma, apo të hyrë në bibliotekat më të pasura botërore, të hapura online për këdo./atsh