
Më 30 korrik të 1909 lindi në Bari, artistja arbëreshe me famë botërore, Licia Albanese.
Në vitin 1934, ajo debutoi në Teatrin “Alla Scala”, në Milano, si zëvendësuese në operan Madame Butterfly të Xhakomo Puçinit (Giacomo Puccini). Shumë shpejt arriti një sukses të madh në të gjithë botën, veçanërisht për shfaqjet e saj në Carmen, L’amico Fritz dhe Madama Butterfly në Itali, Francë dhe Angli.
Licia Albanese bëri debutimin e saj në “The Metropolitan Museum of Art” në Nju-Jork më 9 shkurt 1940. Një rol që do ta luante më shumë se 300 herë përgjatë gjithë karrierës së saj. Në kohën e debutimit të saj në teatrin Metropolitan, ajo ishte ende vetëm 26 vjeçe, me një shtat të vogël, por me një zotërim të sigurt të skenës dhe një mjeshtëri të metodës italiane të nuancave tekstuale. Ajo u shqua për aftësinë teknike të të kënduarit dhe talentin e saj në aktrim, duke paraqitur një përgatitje të lartë për skenën lirike.
Licia Albanese u shfaq në një sërë operash, por më së shumti ishte e lidhur me ato të kompozitorëve italianë Xhakomo Puçini (Giacomo Puccini) dhe Xhuzepe Verdi (Giuseppe Verdi). Rolet e saj më të njohura përfshinin geishën e dënuar Cio-Cio-San në “Madama Butterfly” të Puçinit, Mimi një figurë delikate pariziene në “La Boheme” po të Puçinit dhe kurtizanen e sëmurë Violeta në “La Traviata” të Verdit.
Albanese këndoi përkrah shumë tenorëve të mëdhenj të kohës së saj, duke përfshirë Franco Correlli, Beniamino Gigli, Tito Schipa, Jussi Bjorling dhe Giacinto Prandelli dhe ishte e preferuara e dirigjentit të njohur Arturo Toscanini.
Në vitin 1974 Albanese themeloi “Licia Albanese-Puccini Foundation”, për të mbështetur artistët dhe këngëtarët e rinj. Në karrierën e saj të gjatë, Lucia Albanese ka marrë disa nga nderimet më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku më 5 tetor 1995, Presidenti Bill Klinton (Bill Clinton) i akordoi asaj Medaljen Kombëtare të Arteve, ndërsa pesë vjet më vonë, në vitin 2000 kryebashkiaku Rudolf Xhuliani (Rudolph Giuliani) i dha asaj medaljen Handel, nderimi më i lartë dhënë nga qyteti i Nju-Jorkut, për kontributin e saj në jetën kulturore të qytetit. Ajo ndërroi jetë më 5 gusht të vitit 2014, në moshën 105-vjeçare./atsh
ObserverKult
Lexo edhe:
Nolan rikthen Homerin në modë, filmi “Odisea” rrit me 1.400% shitjet e librave të letërsisë antike






