Ligji për Akademinë e Shkencave, Petro Koçi dorëhiqet si nënkryetar në Komisionin e Edukimit: I fyer dhe i zhgënjyer edhe nga kolegët e PS-së

petro koçi

Deputeti socialist Petro Koçi dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Komisionit të Edukimit. Lajmin e njoftoi vet Koçi në një postim në “Facebook”.

Ai gjithashtu shprehet i zhgënjyer edhe nga qëndrimi i disa deputetëve të mazhorancës gjatë kalimit të ligjit për Akademinë e Shkencave në Komision.

“Sigurisht që po, kam dhënë dorëheqjen. Në datën 11 Korrik në mbledhjen e Komisionit u shqyrtua projektligji i iniciuar prej meje dhe zotit Beqiraj. Një projekt që gëzonte mbështetjen e shumicës së komunitetit akademik.

Në përfundim të mbledhjes unë deklarova dorëheqjen për dy arsye. E para sepse projektligji nuk u hodh në votim me manovrën e largimit të deputetëve të opozitës dhe reduktimit të prezencës deri në mungesë kuorumi.

Së dyti sepse disa kolegë të mazhorancës mbajtën qëndrime me ekuivok duke e mundësuar taktikën e opozitës për të rrëzuar kuorumin.

E konsiderova fyerje si sjelljen e opozitës ashtu edhe atë të kolegëve të mi. Unë nuk pres vota pro nga opozita, sepse as nuk dua të ndihen të kompromentuar. Por moslejimin e votimit nuk e pranoj. Kjo është kundër rregullores dhe normalitetit. Marrja e pushkëve politike kundër Gjinushit nuk mund të cenojë procedurën parlamentare. Prandaj deklarova dorëheqjen.

Mendoj se ndodhi të tilla nuk mund të kalojnë pa pasoja. Dhe tërheqja ime nuk ka lidhje me fatin e një projektligji por me fatin e procedurës dhe rregullit parlamentar. Ne pozicionin e anëtarit të thjeshtë nëpër komisione do kem sërish të njëjtin angazhim parimor. Edhe nëse për këtë dorëheqje nuk e vret njeri derrin në atë komision, për mua ka rëndësi qetësia e ndërgjegjes time politike. Faleminderit!”, shprehet Petro Koçi./panorama

ObserverKult

Lexo edhe:

HAPET EKSPOZITA “RROFSH SA MALET”