“Like”-t në rrjetet sociale nuk shpëtojnë jetë

Nga Annamaria Testa

A keni dëgjuar ndonjëherë për “efektin e spektatorit”? Nëse përgjigjja është jo, atëherë duhet që ta lexoni patjetër këtë artikull. E kam seriozisht. Në vitin 1964, dhe dy psikologë socialë, Xhon Darlej i Universitetit të Nju Jorkut dhe Bib Latan i Universitetit të Kolumbias, u tronditën shumë nga një lajm i tmerrshëm i kronikës së zezë:Kethrin Gjenovese, e njohur si ndryshe si Kiti, ishte përdhunuar dhe me pas qëlluar për vdekje me thikë në rrethinat e zonës së Kuinsit në Nju Jork.

Gjenoveze kishte në pronësi një bar në atë zonë, dhe si gjithmonë kthehej shumë vonë në shtëpi. Pasi e parkoi makinën e saj 30 metra larg shtëpisë, ajo u sulmua nga një burrë 29-vjeçar pa asnjë precedent penal nga Manhatani, që u arrestua nga policia disa ditë më vonë teksa po kryente një vjedhje.

Autori do të rrëfente para agjentëve të policisë vrasjen e 2 grave të tjera, si dhe krime të tjera. Ai gjithashtu deklaroi se preferonte të sulmonte pikërisht gratë, pasi kjo “është më e lehtë”. Sulmi ndaj Kiti Gjenovezes ndodhi në dy faza, dhe zgjati rreth gjysmë ore në total:në fillim dikush i bërtiti agresorit “Lëre rehat gruan!”.

I frikësuar vrasësi u largua me vrap. Por më pas ai u rikthye për ta vrarë viktimën e tij. Gjenoveze përpiqet të mbrohet dhe kërkon ndihmë, por e vetmja telefonatë që bëri një fqinj i saj në polici nuk u mor seriozisht. E megjithatë pak njerëz pyetën veten atë natë, mbi atë që po ndodhte në realitet:nuk janë gjë tjetër veçse disa britma të çuditshme që dëgjohen natës!?

Lindja e numrit të emergjencës

Pas asaj ngjarjeje, policia amerikane do të vendoste numrin unik 911 për telefonatat e emergjencës. Menjëherë pas ngjarjes, “The New York Times” shkroi një artikull me titull “38 njerëz e pranë vrasjen, por askush nuk njoftoi policinë”.

Artikulli nuk ishte i saktë dhe siç do të mësohet më vonë, e kishte ekzagjeruar me numrin e dëshmitarëve.  Gjithsesi, ai nxori në pah një problem real, dhe nxiti një debat të gjerë publik mbi “apatinë dhe dehumanimin e njerëzve në zonat urbane”.

Darlej dhe Latan, vendosën që të shqyrtojnë më thellë dinamikat psikosociale që qëndrojnë në themel të këtij fenomeni. Ata kryen një seri eksperimentesh laboratorike. Rezultatet prezantuan një nga efektet më të qëndrueshme në mesin e atyre të analizuara nga psikologjia sociale.

Ai është “efekti i spektatorit”, ose apatia e kalimtarit, e përshkruar për herë të parë në një artikull të botuar në “Journal of Personality and Social Psychology” në vitin 1968.

“Efekti i spektatorit” konsiston tek ky fakt:sa më i madh është numri i individëve të pranishëm në një vendngjarje, aq më i madh është numri i individëve të pranishëm që kanë më pak të ngjarë të ndërhyjnë për të ndihmuar një person në vështirësi.

Me fjalë të tjera: një person në vështirësi ka probabilitet të marrë një ndihmë që është në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e njerëzve, që mund të ndihmojnë duke qenë atje. Në fakt, përballë një situate emergjence, njerëzit e shohin veten në një gjendje të dykuptimtë.

Kjo u raportua nga dy psikologë të njohur, Milgram dhe Holander në një artikull në “The Nation” në vitin 1964, në kundërpërgjigje të një artikulli në “The New York Times”. Nga njëra anë, shkruajnë Milgram dhe Holander, situata mund të duket e paqartë për kalimtarët. Por nga ana tjetër, njerëzit ndihen të detyruar të ndërhyjnë. Por ata kanë frikë nga pasojat e mundshme të ndërhyrjes së tyre.

Në një gjendje të tillë, Darlej dhe Latan thonë se “prania e spektatorëve të tjerë, zvogëlon ndjenjat individuale të përgjegjësisë personale, dhe e ul shpejtësinë e reagimit”. Ja cilat janë rezultatet e eksperimentit:pa ndonjë ndryshim midis burrave dhe grave, 85 për qind e njerëzve ndërhyjnë nëse janë vetëm përballë një emergjence.

Në praninë e më shumë njerëzve, përqindja e atyre që ndërhyjnë në një gjendje emergjence bie në vetëm 31 për qind. Studiuesit shtojnë se shpjegimi i fenomenit ka të bëjë me shumë me reagimin e secilit individ ndaj sjelljes së të tjerëve të pranishëm, sesa me indiferencën e tij personale ndaj viktimës.

Pra është sjellja e grupit ajo që e përcakton reagimin e individëve, duke e ngadalësuar dhe dobësuar atë. Kjo ndodh pasi përgjegjësia për ndërhyrjen në një situatë, duket të jetë e përhapur në mesin e shumë njerëzve, dhe për këtë arsye perceptohet si më pak e domosdoshme nga të gjithë.

Kjo dukuri është me e shpeshtë, kur sjellja e të tjerëve të pranishëm në vendngjarje, nuk mund të vëzhgohet drejtpërdrejti, dhe për këtë arsye të gjithë mund ta arsyetojnë mosveprimin e tyre duke thënë:“dikush tjetër me siguri që do të bëjë diçka”.

Ndërkaq vlen të përmendet se në një eksperiment të mëvonshëm, Darlej dhe Latan lëshojnë tym, si tregues të një zjarri që sapo ka rënë, në dhomën ku ndodhen një ose më shumë vullnetarë. Rezultati:nëse njerëzit janë vetëm në dhomë, në 75 për qind të rasteve ata dalin menjëherë nga dhoma dhe shkojnë të lajmërojnë zjarrfikësit.

Nëse janë në grup, dikush shkon të lajmërojë zjarrfikëset vetëm në 10 për qind të rasteve.

Fakti që ekziston “efekti i spektatorit”, i vërtetuar nga disa eksperimente, nuk përbën një justifikim për ata që nuk ndihmojnë të tjerët që janë në një rrezik të madh për jetën.

Por kuptimi i arsyeve, na ndihmon për ta kundërshtuar këtë dukuri. Siç shprehen Darlej dhe Latan në fund të studimit të tyre:”Njerëzit nuk janë domosdoshmërisht  “jo-ndërhyrës” për shkak të personalitetit të tyre” (indiferentë ose të tjetërsuar). “Nëse njerëzit i kuptojnë presionet e situatës, që mund t’i bëjnë ata hezitues dhe mos-ndërhyrës, ata mund t’i kapërcejnë këto ndjesi”.

Këtu do të doja të theksoja se “efekti i spektatorit”, mund të ndodhë në vendet dhe kontekste nga më të ndryshmet, dhe në situata shumë të ndryshme të emergjencës. Për shembull në vendin e punës, mund të kemi episode publike të ngacmimit seksual apo diskriminimit.

Duke folur për ngacmimet seksuale, Xhulia Shou e Kolegjit Universitar të Londrës raporton se viktimat e ngacmimeve seksuale dëshmojnë se në 93 për qind të kohës ngacmimi ndodh në praninë e të tjerëve.

Në shkollë, “efekti i spektatorit” mund të jetë bullizmi. Në spital, mund të ndodhë për shkak të një ekipi mjekësor të shumtë në numër, ku asnjëri nuk kujdeset realisht për pacientin. Do të doja të theksoja edhe një fakt:mediat sociale, të cilat në fakt na bëjnë të gjithë neve spektatorë, i shtojnë dy dimensione të reja dhe të shëmtuara “efektit të spektatorit”.

E para, dhe më e tmerrshme, ka të bëjë me indiferencën, apo edhe aprovimin e akteve të dhunshme të shpërndara në Facebook, Tëitter, Instagram. E dyta, më pak e frikshme por më shumë zhgënjyese, ka të bëjë me faktin se ekziston prirja për të shkëmbyer një “like”, që i atribuohet kësaj apo asaj kauze të mirë, me një ndërhyrje konkrete në favor të asaj kauze të mirë. Por gjërat nuk funksionojnë kështu, dhe këtë na e kujton një fushatë e UNICEF-it në Suedi:”Like-t nuk shpëtojnë jetë!”. / “Internazionale” – Bota.al