Limoz Dizdari del nga spitali, vajza e tij shkruan një postim prekës

Limoz Dizdari

Kompozitori i njohur Limoz Dizdari ka dalë nga spitali, pasi ishte shtruar prej disa ditësh në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila falënderoi mjekët për punën dhe impenjimin e tyre.

“Mirënjohje mjekëve tanë të mrekullueshëm. Faleminderit Alda Dizdari për vlerësimin e stafeve tona mjekësore. Shërim të shpejtë mjeshtër”, shprehet Manastirliu në rrjetet sociale.

Kompozitori Limoz Dizdari
Ndërkohë vajza e tij, Alda Dizdari, nëpërmjet një mesazhi ka shprehur falënderimin për mjekët duke theksuar se të gjithë si ekip dhanë çdo gjë, punuan natë e ditë dhe pacienti i tyre reagoi dhe filloi të përmirësohet.

“Nuk kam fjalë të falënderoj mjekët dhe gjithë stafin në reaminacionin e spitalit “Shefqet Ndroqi”, (Sanatoriumi). Të cilët si heronj të vërtetë luftuan dhe sollën në jetë babin tonë Limos Dizdari.

Ai ishte i intubuar që nga data 2 Maj dhe shumë shpejt u pa se kishte jo vetëm mushkëritë pa funksion, po edhe një zemër që kishte bërë infarkt akut të përgjithshëm. U vendos me shumë shpejtësi që zemrës t’i viheshin katër unaza për të bërë të mundur funksionimin e saj dhe në datë 13 maj ne familjarët nënshkruam lejen që ai të futej në operacion i intubuar.

Unë bleva biletën dhe u përgatita për një funeral. Por mjekët bënë mrekulli atë ditë, mjekët por edhe shpirti i pamposhtur i tim eti. Ata e përmbushën me sukses operacionin dhe ai jetoi. Një staf i tiri iu dedikua për javë të tëra. Me shumë dashuri, entuziazëm, bënë çdo gjë, bile edhe e mbushën sallën e reaminacionit me muzikën e tij, që t’i ngrinin humorin”, shprehet Dizdari.

Alda Dizdari thekson se “një ndër njerëzit më të spikatur, që sa herë hynte në sallë përçonte dritë, forcë dhe shpresë ishte doktoreshë Alma Cami, e papërkulur, asnjëherë e ndrydhur nga momentet delikate ku jeta e pacientit ndodhej. Ajo i dha forcë atij, stafit të saj dhe gjithë neve.

Ishin shumë njerëz që takova ato ditë, nga doktoresha e zemrës Nevila Caushi, Doktor Agroni, doktoreshë Marjeta, kryeinfermieria Klementina, Infermieret Ana, Mira, Eneida, Sametin. Fizioterapistët Sergio dhe Bruno dhe sanitaret Moza dhe Etleva.

Të gjithë dhanë çdo gjë, punuan natë e ditë dhe pacienti i tyre reagoi, ai filloi të përmirësohet. Dhe unë, e përgatitur për një funeral. Pashë me sytë e mi si babin e ngritën dhe shëruan këta heronj te heshtur. Për të cilët nuk para duam të mendojmë, se na kujtojnë momente të vështira. Por për mua ata do të mbeten përherë në mendjen dhe zemrën time”.

“Ju faleminderit pa fund të gjithëve! Një ditë do të vij dhe do të luaj një koncert vetëm për ju. Dhe të shpreh mirënjohjen time me të vetmen mënyrë që di, me muzikë”, tha Dizdari./ATSH

ObserverKult

Lexo edhe:

IKE PIRO MANI E NA LE NJË BOSHLLËK QË NUK MBUSHET…