Ka muaj që në median e shkruar, ka një sulm të paparë kundër Agron Tufës, një mësymje që nuk ka lënë skutë biografike e antibiografike pa nxjerrë nga terri, si një situatë që të sjellë ndërmend, ankthin e Kroçes, ku tjetri shihet si pengesë për t’u kapërcyer, madje gjer në asgjësimin e plotë.
Nga Behar Gjoka
E pra, tashmë Tufa, shihet si një “kokë turku”, që duhet sakrifikuar, ku vihet re se goditja dhe linçimi lidhet me dy momente:
E para: Goditje për shkak të detyrës, si drejtor Institutit për studimin e krimeve të komunizmit, kur në fakt ka vepruar me një ligj të qeverisë së mëparshme, e mazhoranca, u sul për ta ndryshuar situatën, me ligj për ta kufizuar veprimin e insitutit te lufta, sepse fitimtarët janë fitimtarë të përjetshëm, e të mundurit janë po ashtu të mundur të përjetshëm. Pra, goditje për shkak të deyrës, me gjasë për shkak të shpërdorimit të dytyrës. Sa ironike, Saimir Tahiri, gjithnje simbas gjykatës, megjithëse ministër i brendshëm, nuk e pa se si u kanabizua vendi, se si policia ishte syri që ndiqte se si shtohej e shumohej prodhimi i saj, pra “dënohet” vetëm për shpërdorim detyre. Edhe Tufa, ndonëse pati raste që me sa duket u shkeli në kallo fitimtarëve të komunizmit, u ndëshkua për shkak të detyrës, ndryshe nga Tahiri, u linçua dhe vijon me po atë zell të linçohet në media.
E dyta: Goditja profesionale, për plagjiaturën, e cila është vetëm maja e Ajsbergut ku noton doktoromania e këtyre moteve, ku gradimi, me tepër u pa si akt punësimi se sa si proces kërkimi shkencor. Nëse do hapej kapaku, i gradim-zhgradimeve, nuk e di se kush do të shpëtonte, ata që e masivizuan, ata që e legalizuan, ata që i kanë kthyer institucionet në qendra të përjashtimit të mendmit ndryshe, aq sa të duket se ka më shumë prof. dr se sa lexues. Plagjiatura po shihet si thembra e Akilit, e në fakt Agroni nuk ka nevojë për atë titull, si dhe institucionet që e pagëzuan, ata që e zbuluan, lënë anash, jashtë vëmendjes, pjesën më të rëndësishme, shkrimtarin Agron Tufa.
Agron Tufa nuk hyri në letërsi se mori gradën, ai është në letërsi për shkak të veprës letrare dhe përkthimore. Në kohën e monizmit Ismail Kadare jepte mësim te letërsia, vetëm pse ishte shkrimtar, pa patur nevojë për asnjë gradë.
Mjafton të shohim disa prej titujve: “Aty te portat Skee” (Elbasan, 1996), “Rrethinat e Atlantidës” (Tirana, 2002), “Dueli (Tiranë 2002), “Fabula Rasa” (Tiranë 2004), “Mërkuna e zezë”, “Tenxherja”, “Gurit të varrit ia rrëfej” etj. , ku shohim përvojën e poetit dhe prozatorit. Pra ai është në letërsi për arsye të veprës, sepse ka të tjerë që nuk kanë asnjë libër të botuar dhe janë graduar prof e dr.
Po kaq, do të mjaftonte përkthimi i disa autorëve rusë Agron Tufa ka përkthyer disa autorë rusë, mes të cilëve Joseph Brodsky, Anna Akhmatova, Osip Mandelshtam, Boris Pasternak, Andrei Platonov, Mikhail Bulgakov, Vladimir Nabokov, dhe Vladimir Sorokin.
Si dikur, në motet e fillimit të komunizmit, të fillimit të rrumpallës demokratike, ka nisur gjuetia e shtrigave, ku shkrimtarët dalin tepër, në varësi të interesave të partisë në pushtet. Agron Tufa ka vendin e vetë në letrat shqipe që nuk varet nga goditjet jashtëletrare dhe jashtëtekstore./ ObserverKult