Analfabeti, në kuptimin e skajshëm shoqëror, nga Linda Agolli
(Duke dëgjuar në TV një të ashtuquajtur figurë të “rëndësishme” në fushën publike, përkatësisht atë politike)
Nuk është analfabet ai që thjesht nuk di të shkruajë e të lexojë.
Analfabet është edhe një që di të shkruajë e të lexojë por që nga kjo nuk ka brendësuar asgjë. Analfabet është një që nuk arrin të rritet me dhe në asnjë kusht të dhënë. Nuk arrin të bëhet.
Analfabeti i tillë, në konceptin tim, është thjesht një injorant.
Dhe, injorant është ai që nuk di të shprehet me terminologjinë e fushës së cilës i ka dalë për zot. Për shembull, i ka dalë zot dijes, por shpreh injorancë në formë, mënyrë e përmbajtje; i ka dalë zot krijimtarisë letrare por nuk njeh gjuhën e lartë të të shprehurit me art; i ka dalë zot shkencës por nuk njeh ligjet elementare të natyrës dhe shoqërisë (fizike dhe shoqërore); i ka dalë zot politikës, por shprehet me fjalë boshe, pa projekte dhe pa fakte konkrete; i ka dalë zot diplomacisë, por shprehet pa elokuencë, jobindës, në mos qesharak; i ka dalë zot vendit por nuk është zot as i veprimeve të veta; i ka dalë zot pushtetit por nuk ka dhe as ushtron dot pushtet; i ka dalë zot drejtësisë, por e fsheh me djallëzi dhe e përdhos atë, ndërkohë që mbështet dhe trumbeton të padrejtën.
Ky është analfabeti!
Analfabeti, të cilin vetëm i ngjashmi i vet e mbështet dhe e duartroket. Ai i ngjashëm që nuk ka asnjë dëshirë ta fshijë nga skena shoqërore sepse nuk i intereson; ai i ngjashëm që është gati të shkelë mbi vetveten, mjaft të ketë mbi krye të tillë zaptonjës të paskrupullt: analfabetë politikë e shoqërorë!
ObserverKult
Lexo edhe: