Linda Agolli: I mbetet vetëm t’i gëzohet Diellit…

Po sonte kur të zhdukemi bashkë Do zhdukemi bashkë? Përmbi shkëmbinj majë gishtash të qëndrojmë Nën ujë të puthemi pa frymë Përtej shtatë qiejsh të shtegëtojmë.

Nga: Linda Agolli

Zgjatet dhe mbërthen duart pas hekurave të dritares së vogël. Tërheq zvarrë majat e gishtërinjve nëpër mur derisa i dhembin thonjtë dhe hop, gjendet me hundën mbi parvazin e ngushtë. Hedh vështrimin jashtë. Në fillim s’ia del të orientohet në atë bardhësi të njësuar, ku nuk mund të shquash dot as konturet e figurave përreth. Mbyll një çast sytë dhe i hap përsëri.

Që andej nuk dallohet gjë tjetër përveçse një copëz shkëmb i bardhë, skalitur me maja të mprehta të mëdha, të shkëputura vende-vende, që krijojnë të çara të thella a ndonjë shteg që të nxjerr kushedi ku. Masivi i papërcaktuar shkëmbor duket të jetë afro dhjetë metra larg murit të dhomës, por në kornizën e dritares me hekura krijohet përshtypja se po të zgjatësh dorën do mund ta prekësh. Qëndron gjatë ashtu, varur pas hekurave, derisa i nxihen gishtat e këmbëve dhe i mpihen pëllëmbët e duarve.

Në mëngjes e nxjerrin në oborr. Është po ai shkëmb i bardhë, i lartë e i thepisur dhe po ajo dritare, ato që kanë vënë në mes hapësirën e tij.

Ditën tjetër ai gjen diku një kazmë dhe fillon t’i bjerë shkëmbit. E pastron nga gurët atë pjesë që të ze syri nga dritarja dhe krijon një shesh afër dy metër gjatë e gjerë. Çdo ditë nga pak, me një daltë të vjedhur, fillon të gdhendë faqen e shkëmbit para sheshit. Vetëm tri ditë dhe dallgët e qeta të një bregdeti fillojnë të valëzojnë mbi brezaren e parë të shkëmbit. Dielli reflektohet në gurin e bardhë dhe bën të vezullojnë piklat e ujit të kripur. Ndjen t’i zgjerohen mushkëritë nga era e detit, kraharori ulet dhe ngrihet sipas ritmit të valëve, ndërsa mendimi i bëhet pulëbardhë dhe fluturon mbi vise të pashkelura.

Më tutje, deti sa vjen e bëhet njësh me horizontin. Fluturimi shkon drejt tokës. Në brezin e dytë të shkëmbit do të gdhendë, sikurse në retinën e syrit të tij ka mbetur prej kohësh, një varg kodrash e malesh. Bën hartën e ndarjeve duke gërvishtur thellë, merr daltën dhe fillon të latojë më parë luginën, rrëpirat dhe shpatet e maleve. Mandej, dalëngadalë shfaqen brezaret e dy kodrinave plot gjelbërim. Rrokulliset brenda një sekonde me dhjetra herë teposhtë, si dikur fëmijë, dhe ndjen lagështinë e barit që arrin deri mbi gjunjë. Harrohet nëpër kollotumbat e lirisë…

Dielli përvëlon dhe ai dëgjon si në jerm kambanën që lajmëron drekën.
Tre mëngjeset e tjerë vijnë të freskët përzjerë me aromë pishash. Diku mes kodrinave e ka pak vështirë të gjejë një shteg për në pyll. Nxjerr daltën e fshehur nën zhele dhe ajo fillon të gdhendë për të, dhuratën e tri ditëve të fundit; pemët e një pylli që ndoshta e pat shkelur a ndoshta dikur do ta shkelte patjetër.

Ditë dhe Netë! Ditë që gdhendin ajrin e tij. Netë që kapërcejnë muret. Ditë dhe Netë që shqyejnë dyert e hekurta dhe flakin përtej deteve zinxhirët e rëndë.
Bie përmbys në shtratin e drunjtë me mendimin se tashmë e ka kryer punën e tij. I mbetet vetëm t’i gëzohet Diellit… Diellit?! Ku? Ku është Dielli?!
Befas kujtohet se gjithë atë botë të skalitur me aq mund, e ka lënë pa Diell.
Nuk ndjehet i lodhur, aspak i lodhur. Brof.

Roja gërhet me kokën lëshuar mbi tryezë si mbi gijotinë. Zgjat dorën me kujdes, ngadalë, dhe si zakonisht ato ditë, tërheq çelsat. Del pa zhurmë jashtë. Nata shndrit nga Hëna e argjendtë, ndërsa atje tej, bota e tij ka mbetur pa Diell. Si mund të harrojë Diellin?! Duhet ta ndriçojë botën e tij, ta bëjë të dukshme.

Aty, në tavanin shkëmbor, duhet gdhendur medoemos Dielli. Një Diell i madh, i zjarrtë. Gdhendur pikërisht mbi atë Hënë kryeneçe e mendjemadhe. Gdhendur me ritmin e tëmthave që pulsojnë ëndrrën. Godet pareshtur shkëmbin me kazmën e vogël derisa krijon një të thelluar në formë rrethi të plotë ku gjendet lugina, kodrat, pylli. Punon për gjithë natën e, ndaj të gdhirë, i lumtur për Diellin e tij, lëshohet i tëri nën të për t’u çlodhur.

Gardiani lajmëron mëngjesin. Hap portat e oborrit nga ku dalin të burgosurit për të bërë shëtitjen e paraditës dhe shtanget. Nën një copë shkëmb rënë prej lart, nderet një dorë njeriu e hapur sikur të dojë të mbajë Qiellin në pëllëmbë…

*Titulli i origjinalit: “I lirë”

ObserverKult


Lexo edhe:


LINDA AGOLLI: NUK ISHTE MË…