Nga Linda Agolli
Ju deshët të kishit folezën time dhe netëve sulmonit të ma pushtonit atë derisa një ditë prej ditësh, unë vendosa t’jua lë juve. Në heshtje e pa zhurmë, i hipa makinës time të lashtë, dhe u nisa. Për ku nuk e dija, por dija që po ikja. Për këtë, ju u xhindosët dhe më ndoqet pas.
Vrapuat më shpejt nga sa mund të vrapojë një koloni strucësh nëpër Savanë, derisa më arritët. Me pretë udhën, më morët makinën dhe më shtytë nëpër rrugë duke m’i bërë këmbët gjak. Këtë herë kisha vetëm ato, pikërisht vetëm ato: këmbët e gjakosura me të cilat duhej edhe të mendoja. Të mendoja me këmbë! Ishte detyrë e tyre të më çonin diku. Arsyen pse më urrenit dhe donit të më shkatërronit, ende nuk po e gjeja.
Një mëngjes, teksa Dielli derdhej me gjoks mbi qenien time, u gjenda krejt papritur para një shtëpize të bukur, si ato të përrallave. Rrethuar me pemë e gjelbërim dhe brenda kaq çlodhëse; në çast mendova e gëzuar se aty më në fund, do gjej paqë. Nuk u desh shumë dhe më gjetët edhe aty. A thua kishit mbirë nga dheu befasisht, dhe me kazma në duar po u binit fort mureve të shtëpizës… Po tani?! Tani që më vodhët dhe i keni të gjitha, folezën, makinën, rrugën, shtëpizën, sendet e mia e gjithçka tjeter, tani çfarë kërkoni?! Çdo gjë e imja u bë juaja. E për këtë as urrej, as hakmerrem dhe as kërkoj çmim a kthim. Apo, mbase kërkoni tjetër gjë dhe unë nuk e di?! Thomëni, përse më urreni?!
Kujtohem! Një urrejtje e tillë vjen ngase nuk mund të më vidhni Veten. Nuk mund të më bëni pis. Nuk mund të më vidhni dashurinë, ngjarjet, përjetimet, gëzimet. Nuk mund të më bëni si veten tuaj: të gjorë e dashakeq, të vegjël e gojëlig. Nuk mund të më vidhni zemrën e luanit dhe mendjen e mbarë të gjyshërve, trashëguar në mua. Nuk mund të më vidhni jetën e jetuar dhe atë që do të jetoj. Nuk mund të më vidhni besimin dhe fuqinë që ai besim më jep. Në të vërtetë ju urreni lartësitë, ju merren mendtë prej saj. Ngase jeni të dashuruar me rrëzimin.
Ja pse gjithë ajo urrejtje! Ndoshta ngase të gjitha këto, jo vetëm që nuk mund t’i keni por as nuk mund t’i gjeni gjëkund e kurrë. E sidomos Dashurinë dhe dijen për Të. Sepse Dashuria dhuron Dije . Këto nuk do mundeni kurrë të m’i vidhni!
ObserverKult
Lexo edhe: