Linda Agolli: Ora

Po sonte kur të zhdukemi bashkë Do zhdukemi bashkë? Përmbi shkëmbinj majë gishtash të qëndrojmë Nën ujë të puthemi pa frymë Përtej shtatë qiejsh të shtegëtojmë.

Nga: Linda Agolli

Ora qëndron aty midis nesh, dystuar dhe kontrolluese. Me syrin e milingonës përshkon cep më cep tavolinën ku jemi ulur. Ballë për ballë dhe sy më sy, unë flas pothuaj gjatë gjithë kohës. Jam shumë e ngazëllyer nga ky takim dhe me dëshirën për të thënë plot gjëra për veten time, dërdëllis e dërdëllis pa ia vënë veshin aspak tiktakut monoton të asaj gjësë rrethore me fushë të bardhë dhe rrema të sinkronizuara që, në çdo hap lëshojnë një tingull bezdisës së tepërmi të terezitur.

Euforike dhe me një frymë, brenda pak sekondave, rrëfej ngjyrën e krehërit dhe modelin e flokëve, format e preferuara të thonjve, si më pëlqen të vishem në dimër, e plot nga këto. Në fakt, mendja vërtit tjetër: duhet thënë diçka që të ekspozojë spektrin e dijeve të mia në fushat më dinjitoze, dije për të cilat ndjej një krenari gati gati monumentale, si për shembull në atë të konfidencës gjatë përqafimit.

Ai më dëgjon me vëmendje, ose ndoshta me vëmendje. Nuk harron asnjë çast që herëpashere, t’ia hedhë sytë rremave tiktakse, të cilat i ndjek që se kamerieri mori porosinë për dy çaj relaksues aromatikë. Kontrollon ai orën apo ora atë, nuk mund ta di. Tektuk, fati sjell ndonjë fjalë me zërin e tij, por më shumë ai ka veshë.

Distanca e barabartë mes meje dhe orës si dhe mes orës e atij, na i thith fjalët si me magnet. Ndërsa, distanca mes meje dhe atij vetë, na jep kohën e duhur për t’u menduar. Një burrë kështu duhet të jetë; pa fjalë, i qetë, me një shprehje të pandryshueshme të fytyrës e të cepave të buzëve ku doemos, buzëqeshja duhet t’i vidhet dukjes, e sidomos sidomos, i vëmendshëm ndaj një gruaje edhe pse ajo mund të thotë broçkulla.

Pak nga pak dhe krejt instiktivisht, unë filloj të ndjek sytë e tij e kështu, i gjej këmbët e mendimeve të çapiten me ritmin e tiktakut. Heshtëm pak sekonda. Ai, dikur dikur, thotë përsëri nja dy fjalë. Nuk e di fare pse i thotë dhe kujt ia thotë. Ç’është e vërteta, as më pas nuk ua gjej dot kuptimin.

Vazhdoj me shkëputje, ashtu si ai, të them gjëra që as vetë nuk di pse i them.
Më këputet, më plaset në tokë nga qielli dhe më goditet shpend’ i dëshirës për të folur, dhe kërcej nga një temë në tjetrën. Them se ndoshta po t’i bëj pyetje, do ta nxis të angazhohet ngrohtë e të thotë diçka për veten. Pyetjet e mia nuk ia dalin. Ato, pra pyetjet, me siguri duhen shprehur ndryshe, por unë nuk njoh teknika në përpunimin e burimoreve.
Tiktak tiktak tiktak.

Zakonisht, i bëj pyetjet sikur përqafoj. Një i panjohur habitet. Një i njohur trembet. Një i afërt më përgjigjet siç pyes. Një i largët nuk ma ve veshin. Me sa shoh, përqafimet dhe asgjë tjetër si ato, nuk funksionojnë nën diktatin e tiktakses si kjo mes nesh, që ai vazhdon ta shohë e ta shohë pa shkëputje. Marr guximin të them që duhet të ngrihem e të shkoj, sepse gjoja nata paska rënë e bën cazë si fresk, gjoja kam punë, gjoja u kënaqa ngaqë m’u la hapësirë pa kufi për t’u shprehur e në fund, gjoja vlerësoj kohën e vyer që m’u dha prej tij… gjoja, gjoja, gjoja.

Ai nuk pret sa të mbaroj fjalën, madje e shoh çuar në këmbë pa e filluar atë. Rrëmben orën nga tavolina dhe e vendos në dorë. Thotë ca fjalë kortezie, më përqafon me kortezi, thotë me po aq kortezi se mund të takohemi një herë tjetër. Dihet që jo.
Fryn një erë e lehtë dhe fshin nga tavolina faturën që solli kamerieri, ndërsa në tavllën e duhanit mbeten fjalët që thashë, hiri dhe goditjet e tiktakses.


Lexo edhe:

LINDA AGOLLI: I MBETET VETËM T’I GËZOHET DIELLIT…

ObserverKult