Lindita Kadriu: Bota duket aq e bukur sa duam ta shohim

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar para pak kohe nga Shtëpia Botuese “Syth”.

__________________-

Flasim përhanshëm me publicisten Lindita Kadriu

Nga: Xhemazije Rizvani

Lindita Kadriu leu ditën e parafundit të një viti. Ka qenë shtatë vjet gazetare televizive, shtatë vjet ligjëruese në fakultet dhe shtatë vjet bashkëshorte. Punon si kolumniste.

Tash jeton e lirë, vetëm shkruan dhe dashuron.

Më mirë s’ka ku shkon. 

Çka të boshatis si një gotë pesimisti?

Anksioziteti. Vjen si mysafir i paftuar dhe e kthen gjithçkanë në kotësi.

Në rrafsh të gjerë bashibozuku në shtetin që më duket si lodër plastike, assesi të fitojë atributet e shtetit. Them se adoleshentëve t’ua jepnin Maqedoninë, para 30 viteve kur ajo u pavarësua, do ia dilnin mbanë ta zhvillojnë si duhet këtë territor të vogël, me popullsi punëtore dhe solidare, me natyrë të bukur për turizëm klasik dhe alternativ, me tokë pjellore dhe klimë të përshtatshme për prodhime organike (paramendoni ç’kishte bërë një Britani apo Zvicër me domatet tona të shijshme si molla, a ne edhe keçapin e importojmë (!!). Për gjynah jemi se ku jetojmë, çfarë tipash jotipa, si me i ba një nan’, na udhëheqin).

A ndihmon një kapele për të ikur nga njerëzit? Si duket bota prej asaj “nënstrehe”?

Aman me këto kapela, je bërë si Kalosh Çeliku, thoshte nëna Nurka. Për t’ia bërë qejfin asaj, por edhe nga dëshira, prej kaçketëve kalova edhe në sheshira dhe forma tjera kapelesh. Pa ato ndjehem si e zhveshur.

Ikjen nga njerëzit që energjetikisht nuk më konvenojnë e ndihmon profesioni, çohem nga tavolina me preteksin Kam të lexoj…Kam të shkruaj, dhe ulem pak më tutje, nuk ka nevojë as lokalin ta ndërroj nga mirësjellja. Ashtu do doja edhe të tjerët të jenë të lirë me mua, p.sh kur flas shumë (deformim nga puna para kamerave dhe studentëve) më mirë tjetri të çohet, sesa të ndjehem fajtore që ia kam prishur kohën. Bota duket aq e bukur sa duam ta shohim. Kjo tek unë, po, lidhet edhe me kapelet. Unë, pasi përmbylla periudhën e post-divorcit, kisha një restart mendor, emotiv, madje dhe stilistik. Bota prej nënstrehave të mia duket e bukur dhe joshëse. Por, për këtë ka një çmim. Asgjë e mirë nuk vjen pa çmim.  

Si zbutet zhgënjimi? 

Duke e vetëdijësuar atë. Duke punuar me veten. Me psikoterapi. Duke praktikuar urtësinë e vjetër O Zot, më jep kurajo të duroj atë që nuk varet prej meje, guxim të ndryshoj atë që varet prej meje dhe mençuri që t’i dalloj këto të dyja.

Kundër mosdisponimit ndihmon edhe zgjedhja e njerëzve me të cilët kalojmë kohë, duke u treguar dorëlirë kur kënaqemi, apo përparojmë me njerëz të duhur dhe kopracë kur duhet t’u falim kohë psiko-vampirëve, siç i quan literatura psikologjike. Koha, siç e dimë, është resurs i çmuar që nuk ripërtërihet dhe në këtë sens duhet hapur sytë.

Nuk është përherë i keq zhgënjimi. Ndonjëherë është mësues, që ç’ke me të. 

Cilët janë shkrimtarët tu të preferuar?

Heminguej, Remarku, se ma kujtojnë zbulimin e parë të letërsisë kur isha në  gjimnaz dhe kur i qepesha një autori ia lexoja tërë krijimtarinë: ashtu bëja asokohe me Perl Bak, Selimoviçin, Andriçin, boemin beogradas Momo Kaporin (dy të fundit u korritën me pikëpamjet politike; nuk harroj, p.sh deklaratën e Kaporit Pse aq zhurmë për rrënimin e Vukovarit, ai nuk ishte ndonjë qytet i vjetër barok që ta vajtojmë). Kadareja, kjo kujtoj se as që duhet apostrofuar; sa me fat jemi që e lexojmë në gjuhën në të cilën Ai krijon.   

Poezia, ose proza?

Proza. Poezinë kryesisht e preferoj në amplituda, kur jam poshtë ose lart.  

Libri më i bukur që keni lexuar ? 

Tingëllon klishe, por vërtet e vështirë për t’u përgjigjur.

Si e re, Krug nga Selimoviçi. Si e moshuar haha, romani Hours nga Majkl Keningman. Shumë i mire edhe në simbiozë me filmin me Meril Strip, Xhulijan Mur dhe Nikol Kidman në rolin e Virxhinija Vulfit.

A jetohet me letërsi?

Me letërsi jetohet super. Paramendoni një jetë me 8 orësh në ndonjë zyrë!? Unë për vete nuk mundem as ta paramendoj, e as ta bëj, për asnjë rrogë. Kurrë nuk kam pasur një punë që të shkoj përditë dhe kështu do mbetet, se paratë asnjëherë nuk i lidh/a me lumturinë. Vërtet janë vetëm mjet, i domosdoshëm, por prapë vetëm mjet. 

Për çka shkruani ju?

Për çkamos, nga politika, deri te dashuria.

Gjërat ndoshta më të frymëzuara i kam shkruar për dashurinë platonike që me vite më ishte inspirim kulmor në përpjekjet për të qenë versioni më i miri i vetvetes. Por, tash tjetërkush, jo veç në aspektin shpirtëror, është për mua Ndriçim, Inspirim, Falenderim. Mesazhet dhe emailet tona, një ditë duhet të ulem t’i kthej në libër.   

Ç’ka të padurueshme mbi dhe?

Egoizmi, se nuk kemi ardhur në këtë botë që të jemi egoistë, thotë G, nuk ia tregoj emrin se bëhet nervoz kur e citoj. Kopracia, se njeriu i kursyer në para është i kursyer edhe në emocione, thotë V. Korrupsioni, se të gjithëve na merr në qafë ajo lakmi pas parave tona, parave publike. Vetmia, nëse nuk është zgjedhje se atëherë është e lezetshme, bile për shumë veta është luks i paarritshëm. 

A ka të ardhme të gjatë libri? 

Ka.

Përse njerëzit duhet të lexojnë më shumë shkrime eseistike?

Në përgjithësi duhet lexuar më shumë se të mprehen shqisat, bëhesh më empatik, më tolerant se mësohesh të hysh në këpucët e tjetrit dhe ta kundrosh një problem nga më shumë këndvështrime, pastaj është edhe ndjesia unikale estetike që ta jep loja e gjuhës.

Duke lexuar letërsi apo eseistikë të mbetet realisht më pak kohë për statuse fejsbuku, kotësira në rrjet, apo televizion etj.

Çka ta prish magjinë?

Magjinë e krijoj vetë. Unë kam pasur edhe periudha fantastike kur kam qenë vetëm, kur rreth meje kanë ndodhur fërkime shoqërore që nuk kanë mundur t’më shkëpusin nga ndjesitë e mira, ose kur financat nuk i kam pasur për mësysh, e unë kam qenë si me flatra.  

Ç’do thoshte Barleti për Lindin?

Kur ishte i vogël:

“Ti je nani më i madh.”

Mendonte më e gjata? (183 cm)

Joo, më e madhja.

Deri para disa vitesh:

Dua ta kem një punë si jotja, të duket sikur nuk punoj.

Kur të rritem, dua të jetoj si ti.

Tash:

“Po doli që jam  i adoptuar, nuk do isha çuditur.” Vërtet B. ka veçori që unë tash, sidomos pas moshës 30-vjeçare, kur dominon nënshenja e horoskopit (peshk) nuk i kam, e që lidhen me seriozitetin, përgjegjësinë, qetësinë absolute në reagime, por hajde mos ta lavdëroj shumë, se vërtet nuk i ka hije nënës ta lavdërojë fëmijën e saj. Edhe vetë do turpërohem me kontrastet tona, se tanimë tregova çka deklaron B, haha.

Çfarë ka Tetova që nuk e ka Shkupi dhe anasjelltas? 

Tetova ka qerthull të njerëzve të veçantë krijues me një koncentrim që Shkupi nuk e ka. Ka guximin dhe energjinë ndërmarrëse të verifikuar ndër dekada. Kodrën e Diellit që njëlloj si qyteti shkon në regres që kur qeveriset nga shqiptarët. Ka dy librari shqiptare, kryeqendra asnjë, ndërkohë që dy ministrat e fundit të kulturës ishin shqiptarë. Isha e bindur se që të dy do merren studiozisht edhe me Çarshinë e Shkupit, më e madhja në Ballkan, nga që e kanë pasur më lehtë të investojnë aty, jo vetëm buxhet shtetëror, por edhe fonde turke. Asgjë nuk bënë; duhet të kesh lodra në bark, thoshte gjyshja. Tetova ka “Shend e verë”…që është komunitet, siç thotë njëri nga njerëzit e veçantë që dalin këtu ku u përgjigjem këtyre pyetjeve. Kafenë gjithmonë e pi në këtë ambient inspirativ, jo vetëm për bisedime me veten, me tjerët, por edhe për shkrime.

Shkupi ka Çarshinë e vjetër, e cila po ashtu shkatërrohet që kur qeveriset nga Komuna e Çairit. Politikanë shqiptarë, kryesisht, çka prekin bastardojnë dhe hala nuk e kam të qartë si ka mundësi këto struktura të vjetra mos t’i humbasin zgjedhjet në mënyrë katastrofike? Ti që e lexon këtë a e ke të qartë!?

Shkupi ka edhe shtigje biçikletash, pishina në qytet, salla kinemaje.

Cilat tema të intrigojnë për shkrime?

Temat politike për arsyet që përmenda deri tash. Prefektët shqiptarë, me në krye mbretëreshën ilire, që bëjnë të jetojmë në as qytete, as katunde.

Temat nga kultura pasi janë pjesë e përditshmërisë sime, por edhe merrem me to nga vitet e ’90 (sa shumë kohë ka kaluar!).

Për dashurinë që është shtytës absolut.

Për miqtë që po ashtu i japin kuptim jetës, dhe flasin për ne. Miqtë e mi zakonisht janë më të mire se unë. “Nani shumë t’fortë i ke shokët” , thoshte B; ende thotë, vetëm se tash “Nani” zëvendësohet me “Lindi”.

Shkrimi yt më i lexuar? 

“Koncentrat gëzimi”, letër dashurisë platonike, në fakt kompilim emailash që ia kam dërguar me disa sebepe. Teksti ka thyer rekorde lexueshmërie në gazetën maqedone “Dnevnik”, pëlqime, ndarje, gjëra që unë nuk i ndjek se nuk jam në rrjete sociale. Fakti që kjo i takonte kolumnistes shqiptare, më bënte të ndjehem mirë.

Përse e doni karantinën?

Se Corona vrullshëm ma hodhi Kreshnikun në përqafim. Sytrazuarin, shpirtlirin, meditativin. Është kombinim fatal i fjalëmblit dhe burrërisë. Sikur ta përshkruaja më gjatë, do kaloja në kiç ndoshta, haha.

Mes tjerash, kjo është arsyeja pse libri im i fundit, përmbledhje letrash, titullohet E “dua” Coronën.

Ç’është më lehtë se të merresh me shkrime?

Të rrish pa punuar. Por “N” thotë: “Lodhuni duke punuar, mos u lodhni duke ndenjur.” 

Unë shkruaj lehtë. Ende nuk është bash letërsi, nuk kam guxim t’i qasem fiksionit letrar, por i jam falemnderuese Zotit që m’ka dhënë mundësinë të shkruaj kollaj.

Cili është kryemëkati?

S’di. Kam më shumë se sa një. 

ObserverKult