Jeta nuk është vetëm fjalia të jetosh. Është një art i madh i realizimit të vetës. Është një art i madh kronologjie se si ditët tona i strukturojmë për të bërë atë që duhet, ajo çfarë na duhet. Nuk do të ishte askush tjetër, që do t’i thoshte këto, pos mendja ime, që ishte kalitur nga kujtesa, dëshira për të luftuar për atë që dua. Sepse, gjithçka që del nga përpjekja, është e plotësuar po aq sa edhe vet rruga deri te ajo…
Ah, sa e dobët, sa jo filozofike do të dukej e gjithë e kaluara ime, po mos të kisha ardhur në këtë vend. Nuk do të arrija të njihja botën e vërtetë, njerëz dhe jo njerëz. Zaten, është e vërtetë se të gjitha gjërat ndodhin për një arsye. Madje edhe vijmë në jetë nga këto.
Është ditë e zymtë sot, shiu veç sa s’ka filluar. Kafeneja duket e heshtur nga larg, me pak njerëz. Bie neë vesh vetëm e qeshura e tre burrave që zgërdhijnë në tavolinën në një qoshe.
Aty mund të dëgjosh shumë çka, madje edhe për vetën tënde, histori të kaluara gojë më gojë, e vesh më vesh, e do të çuditesh edhe vetë për saktësinë, detajet e asaj kush dhe çfarë je, bënë dhe ku rri, ha e pi. Pse, kur dhe ku, më së kureshtur si?
Sapo të dëgjosh këto, ke rrënuar një pjesë të integritetit qe ke menduar se nga një kohë dhe vend tjetër e kishe ndërtuar. Po ndoshta e kishe ndërtuar ndryshe, ndryshe nga çfarë do ta bëje në këtë kohë e vend. Nuk mund ta mbroj dot, sepse forca e asaj që shtyen është më e madhe se sa forca për ta pritur.
Përpjekjet të quhen përtaci, mungesë aftësie dhe asnjëherë kurajo. Do të dëgjosh dhe shumë më tepër, edhe sikur mos t’i japësh vesh për të dëgjuar. Pastaj brenda vetës sërish përpiqem, të rregulloj balancin, mendje realitet, shesh dhe luftë.
E shijoj kafenë e në një moment s’më bënë përshtypje asgjë, as edhe nëse edhe kjo kafe është një koncept kot për kohën që i kushtoj. As edhe nëse tjetri-tjetra të tregojnë frytet e të tjerëve si më të mirat nga çfarë je ti. Se ti je ajo çfarë të tjerë të shohin, ajo çfarë ata-ato të përkufizojnë, ajo je e vërteta, nuk je ti, “Ti”. Ajo “Ti” jote, është shtirje, asgjë më shumë.
Sepse në këtë shoqëri, nuk mund të jesh ti, përveç rastit kur është e përshtatshme.
– Mami, do të blejmë një lëng? U dëgjua zëri i të voglës, si thirrje për t’u kthyer te e vërteta. Dhe unë për ta rrënuar mitin e mos-kurrit, përgjigjem me një po, të madhe./ ObserverKult