Me një vendim gjykate të vitit 1948 u shpallën të ndaluar një varg veprash të autorëve shqiptarë por edhe të huaj. Në këtë vendim, urdhërohej që “duhej të hiqen nga qarkullimi një sasi librash e të përkohshmesh të dëmshme për shoqërinë”.
Vendimi u publikua më 27 mars në gazetën “Bashkimi”, i shoqëruar me një artikull që argumentonte përse ishin ndaluar veprat e atyre autorëve, në krye të të cilëve qëndronte Gjergj Fishta, të cilit iu hoq e gjithë vepra nga qarkullimi, për të vazhduar me autorët: Mid’hat Frashëri, Kristo Floqi, Hamit Gjylbegaj, Pjetër Gjini, Mehdi Frashëri, Terenc Toçi, Ernest Koliqi, Gjon Shllaku, Anton Harapi, Mitrush Kuteli, Mustafa Kruja, Justin Rrota, Tajar Zavalani, Kristo Dako e të tjerë.
“Jo vetëm që nuk ndihmojnë në edukimin dhe zhvillimin e popullit, por përkundrazi, janë pengesë në këtë drejtim dhe u shërbejnë vetëm armiqve tanë. Vepra të tilla nuk përputhen me frymën e re të demokracisë; me traditat e Luftës Nacionalçlirimtare, mbi të cilat ecën populli ynë; janë kundra punës dhe vullnetit të masave; kundra vëllazërimit me popujt përparimtarë dhe në radhë të parë me demokracitë e reja”, thuhej në artikullin e gazetës “Bashkimi” të vitit 1948.
Ndërsa Gjergj Fishtën, Gjon Shllakun, Anton Harapin etj. i cilësojnë si “agjentë të huaj, që kanë shtrembëruar realitetin historik të vëllazërimit dhe bashkëpunimit që ekzistonte në mes popullit tonë dhe popujve të tjerë të Ballkanit”.
Ernest Koliqi, Tajar Zavalani, Terenc Toçi, Vasil Alarupi, Selaudin Toto, Fiqiri Llagami etj. cilësohen “agjentë intelektualë të kalbur në shërbim të të huajve; njerëzit e lekut dhe të njëqind flamurëve, shkrimet e të cilëve u kanë shërbyer gjithnjë armiqve të popullit tonë”.
Pas këtij spastrimi masiv ideologjik, regjimi vazhdoi të mbante në kontroll letërsinë, si çdo fushë tjetër. Urdhrat tashmë vinin drejtpërdrejt nga Partia. Sektori i edukimit të Komitetit Qendror i niste urdhrin Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës.
Nuk ndaloheshin vetëm vepra, por mund të mohohej plotësisht e drejta e një shkrimtari për ushtrimin e profesionit të lirë, siç ndodhi me Petro Markon në vitin 1967. Edhe pse mund të ketë pasur periudha kur dukej se ishte lënë ndonjë dritare hapur nga hynte pak ajër, duart e censurës nuk vononin të mbyllnin me dryn veprat që ngjallnin dyshime.
Ministria e Arsimit dhe Kulturës, sipas urdhrit, i kërkonte Bibliotekës Kombëtare heqjen nga qarkullimi të librave, që kishin për autor, përkthyes apo redaktor, emra që kishin hyrë në listën e armiqve.
Kjo listë nuk ishte asnjëherë bosh, sepse partia kërkonte dhe zbulonte vazhdimisht armiq, si u bënë Kasëm Trebeshina, Mustafa Gërblleshi, Fadil Paçrami, Bilal Xhaferi etj.
Veprat mbylleshin menjëherë në Fondin Rezervat të Bibliotekës, të vulosura me damkën R (Rezervat), ShR (Shumë i rezervuar), RA (Autor i rezervuar).
Mund të kishte edhe autorë që vazhdonin të lirë krijimtarinë, por iu censuroheshin vepra të caktuara, si ka ndodhur me autorët: Dritëro Agolli, Vedat Kokona, Haki Stërmilli, Sabri Godo, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, e të tjerë.
Edhe Ismali Kadare, kishte disa vepra në burgun e fondit rezervat: “Dasma”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëntori i një qyteti” dhe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. Ndodhte edhe që veprat lejoheshin të dilnin në dritë, por vetëm pasi mbulohej me terr emri i ndaluar i cili fshihej me vijë të zezë.
Në shumë raste këta emra jo thjesht u fshinë, por u zëvendësuan me të tjerë, që merrnin publikisht meritat e punës së atyre që ishin të detyruar të qëndronin në hije. Në një letër që Dhimitër Pasko, i shkruante Mustafa Gërblleshit, i flet pikërisht për këtë përvetësim të veprës së armiqve, nga profesorët e nderuar që bëheshin palë me sistemin në këtë plaçkitje. “Para ca kohësh botoi “Gjorg Golemin” që bje erë Lef Nosi”, shkruante Mitrush Kuteli për njërin prej tyre.
Sa e sa vepra madhore u përkthyen nga të dënuarit politikë, në tavolinat e masagjerisë së Tiranës, në burgje e internime, apo pas periudhës së dënimit, por kur përkthyesit ende jetonin nën kërcënimin e dënimeve që mund t’i rikthenin te birucat dhe puna e rëndë. Përkthyesi që çoi Kadarenë në Francë, Jusuf Vrioni, ulej në tryezën e përkthyesit pasi kishte lënë kampet e punës së detyruar. Guljem Deda nisi ta përkthejë “Orlando i çmendun” në kampin e Kuçit, siç Pashk Gjeçi kishte bërë me “Komedinë Hyjnore” në vendet e dënimit të tij.
Është prej tyre dhe grupit të përkthyesve të shkëlqyer që diktatura i dënoi, që lexuesit shqiptarë kanë pasur në dorë në shqip “Odisenë”, “Iliadën”, “Komedinë Hyjnore” dhe shumë kryevepra. Disa prej tyre u botuan me emra të tjerë, të tjera nuk arritën të botohen fare në diktaturë. Komunizmi i përvetësonte pronat, edhe ato intelektuale. 23 prilli është Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit, një ditë që diktatura nuk e njohu, ndaj ndoshta shqiptarët duhet ta respektojnë më fort domethënien e saj.
Veprat e ndaluar me vendim gjykate, publikuar në gazetën Bashkimi, me titujt e të përkohshmeve dhe librave me autorë dhe përkthyes të konsideruar armiq:
E shtunë, 27 mars 1948
Gjykatorja Popullore e Tiranës vendos heqjen nga qarkullimi të librave e të përkohëshmeve të dëmëshme për shoqërinë. Ky vendim aplikohet në gjithë Shqipërinë.
Librat e të përkohëshmet në fjalë janë:
– At Gjergj Fishta, Amerika (Botim i veçantë për Ballkanin).
– Kristo Floqi, Administrata ose e drejta sundimore.
– D. Zadeja, At Fulvio Cordignano në gjyq.
– Piro Floqi, Bajram Curri (Vjershë).
– Mehdi Frashëri, Arben lajmëron.
– Mehdi Frashëri, Hylli i Dritës.
– Mehdi Frashëri, Aventurat e Tom Miksit.
– Mehdi Frashëri, Aveniri i Shqipërisë.
– Skënder Guri, Antologji dashurije.
– Hamit Gjylbegaj, Agimet e fillozofisë.
– S. Paparisto, Bojskautizma.
– Pjetër Gjini, Besniku.
– Bendo Shapërdani, Çudi me Zotin.
– Bendo Shapërdani, Çupat e Vançit.
– Hamit Gjylbegaj, Cikrime Fillozofije.
– Shefqet Dauti, Çeta e të treve.
– Buffallo-Bill, Cila ka qenë Sadije Zogu.
– Buffallo-Bill, Çeta e Tigërve.
– Vasil Xhaçka, Ç’duhet të dijë çdo i ri.
– Prof. Lorenzini, Çështja agrare Shqiptare.
– Mark Çuni, Çudija e ligjëratës.
– Luigj Thaçi, Doktrina fashiste e shpjeguar popullit.
– Luigj Thaçi, Don Gjon Vata, prift me kobure.
– Kristo Floqi, Djelmërija shpresë e s’ardhmes.
– Kristo Floqi, Drejt një politike shoqërore ekonomike.
– Hamid Gjylbegaj, Drita e së vërtetës.
– Alen Bernard, Djali i Myftisë.
– De la Grande, Ditët e prapme të Jeruzalemit.
– A. Mille, Dashuri në Hong-Kong.
– Kristo Floqi, Dëshmorëty e rilindjes.
– A. Diery, Dy të vdekur në një qivur.
– F. M. Angoni, Dora e Fatit.
– Mikel Zevako, Doktrina e madhe.
– Mikel Zevako, Dashnorët e Venedikut.
– Hasan Kaloshi, Dedektivi.
– Hasan Kaloshi, Detyrat e komandantit.
– Jani Gjëmbi, Dashurija e Anmes moderne.
– Terenc Toçi, E drejta ndëshkimore.
– I. B., E vërteta mbi ndodhjen në Spanjë.
– Hamit Gjylbegaj, Flutura ndër lule.
– Pjetër Gjini, Fletorja e Klerit Katolik.
– Pjetër Gjini, Fashizmi.
– Pjetër Gjini, Fjalimi i Patër Anton Harapit.
– Pjetër Gjini, Fjalimi i Kontit Çiano.
– Pjetër Gjini, Flamuri i shënjtë.
– Pjetër Gjini, Frushullime.
– Terenc Toçi, Gramatika Italisht.
– Lumo Skëndo, Gijom Telli.
– Ernest Koliqi, Gjurmat e Stinëve.
– Bendo Shapërdani – V. Alarupi, Gesa prej Rugove.
– Conan Doyle, Gjarpëri me pika.
– Conan Doyle, Gracka e vdekjes.
– E. Vallace, Gruaja e katër katrorët.
– D. Dumas, Gjakmarrja e kusarit.
– P. Gjon Shllaku, Hylli i Dritës.
– P. Gjon Shllaku, Historija flet kështu.
– Vill Durant, Herojtë e mendimit.
– Fiqiri Llagami, Hitleri.
– Historija dhe psikollogjia e fashizmit.
– Historija politike ushtarake.
– Dh. Fallo, Harun-el Rashit.
– Mitrush Kuteli, Havadan më havadan.
– Dr. Kristo Dako, Hyrja në historinë e Shqipërisë.
– Kr. Dako, Jeta dhe veprat e Zogut.
– Java (revistë).
– Piro Floqi, Kosova e lirë.
– Hamit Kokalari, Kosova djepi i shqiptarizmës.
– Fulvio Corgignano, Këshilla nga Nëna Mbretneshë.
– Fulvio Corgignano, Kush janë Jezuitët.
– Mehdi Frashëri, Koka e Ali Pashës.
– Ramo S. Frashëri, Kriza dhe bota.
– Pjetër Gjini, Këngë të reja.
– Pjetër Gjini, Kurtha e Dashurisë.
– Teki Selenica, Kalendari Shqipënija e ilustrueme.
– “Hylli i Dritës”, Kulturë kundër kulturës.
– Aqif Domini, Konferenca patriotike për djelmoshat.
– Hamid Gjylbegaj, Kunora e Lavdisë.
– “Hylli i Dritës”, Letër e hapur e Hilë Mosit.
– “Meshtari Shqiptar”, Kombësija e Klerit Katolik.
– Vasil Xhaçka, Kalendari enciklopedik.
– Nexhat Hakiu, Kënga e gjakut.
– Ernest Koliqi, Kushtrimi i Skënderbeut.
– Prej Irineut, Lordi Listër.
– Prej Irineut, Libra Feta e kl. I, kl. II, kl. III, kl. IV, kl. V.
– M. Frashëri – Përkthim, Maksime.
– M. Frashëri, Liga e Prizrenit.
– P. A. Harapi, Ligjëratë.
– P. Gj. Fishta, Libër i pëvjetshëm.
– P. Gj. Fishta, Lahuta e Malsis.
– De Monfe, Maska e zezë.
– Pjetër Gjini, Malsori në Paris.
– Villy Forst – T. Zavalani, Mazhurka.
– Dh. Fallo, Mata-Hari.
– K. Doyle, Mbretëresha e Pareve.
– “Minerva” – revistë.
– G. Petroff, Mësuesi idealist.
– M. Kruja, Mussolini.
– L. Skëndo, Mbi një udhëtim në Zvicër.
– A. Bernard, Misteri i Luvrit.
– Sh. Vendresha, Novella.
– T. Zavalani, Nogi.
– E. Wallace, Ndëshkimi i spiunit.
– Shaban Vranishti, Ndjenja e Malcorit.
– Nebil Çika, Njëmëndësija Shqiptare.
– V. Koça – N. Çika etj., Neoshqiptarizma.
– Clifford Ralch, Nat Pinkerton, Njeriu i padukshëm.
– Fulvio Cordignano, Një tjetër filozof.
– Dh. Fallo, Një mijë e një net.
– Kr. Floqi, Një predikim mbi patriotizmin.
– Mis Durham – S. Toto, Njëzet vjet Ngatëresa Ballkanike.
– E. Koliqi, Ugo Foscolo, Vjersha të zgjedhura.
– Mentor Sojli, Nisem.
– A. Marlaska, Një monument historik.
– M. Frashëri, Një polemikë mbi kulturën greke në Shqipëri.
– Hubdard, Një mandat për gjeneral Gareia.
– J. N. At Ilia, Një përgjigje të shkurtër shkencës.
– F. Vokopola (Revistë), Njeriu.
– Dh. Beduli, Orthodhoksia.
– K. Maloki, Oriental apo oksidental.
– P. Gjini, Ora e dishërueme.
– Sh. Vendresha, Organizata e djelmërisë.
– Sh. Vendresha, Poezitë e Ali Asllanit.
– Hamid Gjylbegaj, Pasqyra e së vërtetës.
– M. Frashëri, Problemet shqiptare.
– L. Skëndo, Pritmi i Shqipërisë.
– Ismet Toto, Platoni.
– E. Koliqi – Manzoni, Pesë Maj.
– “Drini” (revistë), Perëndija ka folur.
– A. Tennysen, Eno ch Arden.
– Kr. Floqi, Elementa të ekonomi-politikës.
– F. Cordignano, Epopeja kombëtare e popullit shqiptar.
– Kr. Floqi, Qerthulli Politik.
………………………………………..
– Kr. Floqi, Shkëndija.
– G. Progri, Shqipëria dhe bijt e saj.
– L. Skëndo, Shkurtabiqi i verdhë.
– Dh. Pasku, Tri probleme në lidhje me Bankën Kombëtare.
– M. Arësimi, Triumfi i legalitetit.
– M. Arësimi, Te praku i jetës.
– Tradhtia e (Mehdi Frashërit).
– Pjetër Gjini, Tridhjet e dyshi.
– G. Petroff, Ungjilli si bazë e jetës.
– P. A. Harapi, Vlerë shpirtërore.
– E. Koliqi – U. Foscolo, Vjersha të zgjedhura.
– P. Frashëri, Viktimat e fatit.
– E. Koliqi – Ugo Foscolo, Vorret.
– V. Monti – E. Koliqi, Vjersha.
– Selaudin Blloshmi, Zëri i fronit.
– Fulvio Cordignano, Zëri i misionit.
– M. Kruja, Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha.
– At Gjergj Fishta, Vallja e Parizit.
– Dhe të gjitha veprat e At Gj. Fishtës si Anzat e Parnasit, Gomari i Baba Tasit etj.
ObserverKult
Lexo edhe:
KUSH JANË 28 GRATË QË U NDOQËN NGA SIGURIMI/U ARRESTUAN, TORTURUAN, VDIQËN…