Librin më të ri të autorit Bislim Ahmetaj “Kangët e Babës” botuar nga Shtëpia Botuese Littera, nga sot lexuesit mund ta gjejnë në librari.
Për librin/ Bit Gecaj, recensent:
Bislim Ahmetaj, është një ndër poetët e shquar të brezit të tij. Metaforat dhe mitemat që krijon, shpesh të kujtojnë autorët e antikitetit! Kjo e bën Ahmetajn dhe krijimtarinë e tij letrare të veçantë në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Libri “Kangët e Babës“, nuk na vjen vetëm si befasi e këndshme e ligjërimit poetik, por edhe si dëshmi e një identiteti të formësuar letrar e kulturor. Në poezitë e një stili imazhist, të përcjellura me një gjuhe të fuqishme e të pasur stilemash poeti shfleton kujtime dhe refleksione nga jeta, aso që rrjedhin nga thellësitë e zemrës, ku prania e babait shfaqet jo vetëm si një kujtim i mbushur mall e dhembje, por edhe si një forcë frymëzuese që vazhdon të ushqejë krijimtarinë e tij.
Çdo rrëfim këtu flet për dashurinë, humbjen, por edhe shpresën.
Libri është një udhëtim emocional brenda kozmosit poetik që sfidon lexuesin, duke reflektuar mbi rëndësinë e lidhjeve familjare dhe ndikimin e tyre të pashlyeshëm në formimin e identitetit, jo vetëm personal. Ahmetaj, na kujton se rrëfimet e marra nga prindërit, tingëllojnë si një shkollë e veçantë jetësore, dhe si të tilla janë e mbesin thesari më i çmuar që mbajmë me vete e bartim përtej vetes.
Për autorin:
Bislim AHMETAJ u lind në Bajram Curri me 17 Gusht të vitit 1967.
U diplomua në Universitetin Bujqësor të Tiranës për Veterinari dhe Ekonomi.
Në vitin 1990 u përfshi në politikë si organizator dhe drejtues i protestave studentore.
Është anëtar themelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, pjesëmarrës në grevën e urisë së shkurtit 1991, drejtues ndër vite i Grupimit “Dhjetor ‘90”, përherë i angazhuar në kauza me fokus patriotizmin qytetar dhe interesin publik.
Është specializuar në fushën e politikave ekonomike dhe marketingut në Austri , Angli, Spanjë dhe Japoni. Mban gradën shkencore Doktor i Shkencave Ekonomike dhe prej 2013 është lektor me kohë të plotë pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Gjithashtu ka qënë profesor i ftuar në Universitetin e Tiranës, Wisdom University, Albanian University, Universitetin Luarasi etj.
Ahmetaj ka një karrierë profesionale të larmishme, duke mbajtur poste të ndryshme në administratën e lartë publike të vendit. Mes vokacionit politik, interesit për administratën dhe jetën akademike, Bislim Ahmetaj e ruan të pa prekur pasionin e tij letrar. Shkruan poezi, publicistikë dhe prozë.
Ndër vite ka botuar këta libra:
“Lot Dreri”, poezi, 1994
“Unë Amërika, bin Ladeni e të tjerët”, ese, 1999
“Trishtim blu”, poezi, 2000
“Kthimi i peshkatarëve” , tregime, 2009
“Dhjetor ’90-Mbaj mend”, kujtime, refleksione, bashkëautor, 2011
“Gjuetar ëndrrash”, poezi, 2012,
“Edhe zogjtë i mashtrojmë”, poezi 2017.
“Jorgoja i Tropojës”, tregime, 2021
Është i përfshirë në antologji poetike me poet të zgjedhur në Rumani dhe Gjermani
Poezi nga libri
Andërr e pame me sy çelë
Kam dalë me mbledhë yje,
po na zë frymën terri në tokë –
njerëzia kanë nevojë për ma shumë dritë.
Hëna ma ndrit udhën
që të mos shkel mbi fole rrufesh,
kur eci mbi kreshta malesh që zbardhojnë.
Yjet që mbledh i vë
lehtshëm n’nji krozhën,
si të ishin vezë shqiponjash.
Druaj që veç hënës
dhe ndonjë zane të vetmuar
askush s’e ndjek ritin tim të vjeljes së yjeve.
Ata, pronarët e errësirës,
jetojnë në qytete të ndotura
dhe nuk shohin aq larg, aq më pak qartë.
Edhe pse një re katran t’zezë
si lëkurë hiene ia kanë lshue qiellit
do me ma mblue hanën e yjet me m’i mshefë.
Ngrihem maje gishtash
ndër ma të naltat kreshta malesh
dua t’ia vjel yjet nji nga nji Arushës së Vogël.
Kur ta mbushë krozhnen plot yje
druaj se do t’jetë mshefë hana,
do t’ketë mbrritë drita,
do t’jetë fshi reja,
do m’dalë gjumi
dhe yjeandrra
do m’digjet
ndër sy.
Vegim mëngjesi
Dy a tri cukla mendimesh të çiltra
fluturuan mbi vesën e barit,
bash si ëndrrat naive të mëngjesit.
Më pas ato avulluan
si hije pa ngjyrë,
u rrasën
në zhguallin e përditshmërisë plot zhurmë,
u mbytën në pluhurin e burokracisë,
në gojën e thashethemeve,
në trupin e teknologjisë,
në vrimën e ozonit.
në hiç.
Si të mos ishin menduar kurrë.
Bijtë e etërve
Ata
blejnë
shpresë,
shesin liri,
përtypin çamçakëz
dhe vjellin demokraci.
Mbledhin
shpirtra të lirë,
zemra të plasaritura,
ndërgjegje të shprishura,
hekurishte, shishe qelqi dhe mbetje plastike.
Ndërtojnë
burgje moderne,
mbyllin shkolla nëpër fshatra dhe
i mbajnë hapur me tre turne nëpër qytete.
Montojnë sisteme kontrolli të mendimeve,
indoktrinojnë qenie të pafajshme,
prodhojnë monstra politike,
mbjellin kaos,
mallkime,
korrin vdekje,
hapin përditë varreza të reja
djegin pyje dhe shtjerrin lumenj
lindin shkretina dhe male me gjarpërinj.
Klorofilin e brishtë
të botës së ëndërruar
që njerëzit e dritës duan ta mbjellin,
ne bijtë e etërve pinjoj të botës së ferrit
betohemi se terr-ferr do ta bëjmë ATDHEUN
për këdo që guxon ta çmojë lirinë, jetën dhe dritën.
Dashnorëve të betonit
Në fund të rrugës së betontë
ka mbërritur vjeshta e vonë.
Unë s’i druhem vjeshtës,
por i frigohem
betonit të acartë
që kanë projektuar në përtej-vjeshtë
dashnorët e betonit që drejtojnë stinët e qytetit tonë.
Reforma…
Në Livadhin e Pleshtave
ka lulzue hashashi.
Pusi i Strakave
asht’ betonizue e
Logu i Kuajve
asht’ ba truell për kishë,
Fusha e Mëllenjave
i asht’ dhanë me konçension
nji investitori të huaj që s’u pa kurrë.
Lumin e Kaltër e kanë ngujue n’tuba të zi,
troftat pikaloshe janë ba bjonde,
Ndërsa Ariu i murmë i Ahishtës
krejt asht’ thi.
Për librin u kujdesën redaktorët Elvana Zaimi dhe Arbër Ahmetaj, recensentët Mark Simoni dhe Bit Gecaj, korrektorja Fatmira Ahmetaj , dhe dizajneri Arber Murturi.
Botimi i librit u përkrah nga Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.
ObserverKult