Shtëpia Botuese Littera sjell për lexuesit librin më të ri me poezi të Enver Visokës “Në fund të verës”.
Librin e gjeni nga nesër në librari.
Për librin:
Sadik Krasniqi: Shkrimtari Enver Visoka si krijues është i veçantë. Veçantia e tij është e çuditshme, e çuditshmja e tij ka hije tekanjoze. E gjithë kjo determinohet nga rrethanat e përgjithshme të së përditshmes sonë dhe inkuadrimit të tij në këto rrethana si individualitet dhe krijues.
Këso vetish, historikisht patën shumë krijues, e posaçërisht ata të shquarit.
Kjo premisë, si konstatim për këtë krijues, argumentohet përmes opusit të tij letrar, që përfshin librat e botuar (edhe në gjuhën gjermane) dhe atyre në dorëshkrim, të cilët gjatë presin që të botohen.
Edhe libri me poezi “Në fund të verës“ ecën në vazhdën e arsenalit letrar të këtij autori, që me gamën tematike dhe omegën figurative do të jetë një prurje në aktualitetin e atmosferës sonë letrare. E themi këtë duke pasur parasysh tërësinë e kësaj përmbledhje të strukturuar bukur, përmes një vargëzimi të konstruktuar me shumë kujdes
dhe të pajisur me një figuracion të dendur poetik përmes gjuhës së pasur dhe një stili të lartë.
Arif Molliqi: Epiqendra e poezive të këtij libri të Enver Visokës qëndron në sfidat e njeriut ndaj jetës. Por aty gjen edhe sfidën karshi vdekjes, karshi vjeshtës ose karshi fundit të një stine, të lules kamilje që për autorin simbolizon një dashuri universale, pse jo edhe të një zëri që autorit sikur i vjen nga universi.
Por, shpeshherë edhe kujtimet i shërbejnë si shembull për ta pasuruar poezinë.
Autori nëpërmes atyre rrafsheve kujtimesh, shpreh më shumë kujdes ligjërimin poetik duke e përcjellë me një gjuhë të pasur, më një strukturë të bukur vargëzimi, me shumëllojshmërinë e motiveve, dhe me stil të veçantë… Po e themi pa hamendje, poeti me “goditje” poetike s´bën kompromis për asgjë, fillim e mbarim e mbanë zjarrin ndezur, që nënkupton se mbretëria dhe forca e fjalës është e pa kufij.
E jashtmja më të brendshmen ndërlidhen dhe gërshetohen nëpërmjet shpërthimeve, por me një emërues të përbashkët; poeti e urren të shëmtuarën dhe të padrejtën që çdo ditë i kanoset njeriut për t’ia rrënuar shpirtin.
Rrëfim I
detari tha:
mua ma hedhni pluhurin e eshtrave në det,
atje kam kaluar pjesën më të mirë të jetës,
kaq!
unë thash:
jo, jo mua ma shpërndani pluhurin e eshtrave në
vargje,
me to kam kaluar pjesën më të dhimbshme të jetës,
dhe e tëra nuk ishte kjo…
ngritëm gotat
para se ai të ikte …
në fund
krejt në fund
fryu veriu
dhe të gjitha i ngriu…
detari humbi në varrezat e panjohura
e unë, unë atje diku në një shpat
mbeta i varur në drurin e pemës së vargut
Enver Visoka u lind më 1961 në Podujevë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin, kurse studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe i mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Që nga rinia e hershme u mor me krijimtari letrare. Shkroi poezi dhe prozë dhe i botoi ne periodikun letrar të viteve te tetëdhjeta.
Disa prej tyre u shpërblyen nëpër konkurset letrare të asaj kohe. Si student ishte bashkautor i antologjisë “Rrjedh e lë gjurmë”, të botuar nga “Bota e re”, gazetë kjo në të cilën ai punoi edhe si gazetar.
Ka botuar:
„Dhe ëndrrash“, poezi, Rilindja, 1986,
„Kodi i vdekjes“, poezi, Faik Konica, 2008
„Dimensioni i panjohur“, Faik Konica, Prishtinë, 2008
„Die unbekannte Dimension”/”Die erstarrte Passion|“, roman, Boks on Demant, Norderstedt-German, 2010
“Nata e përjetshme”, roman, Koliqi, Prishtinë, 2022
Që nga vitet e nëntëdhjeta, Enver Visoka jeton në Stade të Gjermanisë veriore.
Botimin e librit e mbështeti Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
ObserverKult
Kliko edhe:
LITTERA SJELL PËR LEXUESIT LIBRIN MË TË RI TË HALIL MATOSHIT “THE LIL’S POEM”