Loer Kume: Radio-Delevizion: Publiku ushqehet me llucë

Loer Kume: Radio-Delevizion: Publiku ushqehet me llucë loer kume


Publiku ushqehet me llucë

Rëndom në botën shqiptare sa herë flitet për kulturë, libra, piktura, art shqiptar tërë njerëzit kanë bindjen që jemi të mbytur nga injoranca, që s ka kulturë të përgjithshme. Autorët, piktorët, skulptorët tanë janë kot. Nuk kemi mendim dhe filozofi sociale.

Bindja, dhe mbase dhe realiteti, është që njerëzit nuk lexojnë. Artet në përgjithësi në Shqipëri, por sidomos letërsia nuk ka rëndësi dhe nuk ka rol social. Artistët dhe shkrimtarët nuk ndikojnë në jetën e përditshme, se njerëzit janë të uritur, me halle, kokën e kanë plot me stres dhe nuk ka vend aty për art e lexim. Kjo është logjika popullore sot.

Dhe mua më lind pyetja, në këto koka paska vend për gjak, dhunë, vrasje, ngjarje kriminale të shpjeguara me detaje, tryeza, foltore, haltore politike, thashetheme kryetarësh, nënkryetarësh, zarësh politikë, analistësh, pre e post arësh, përdhunime në cepa të Shqipërisë, cepa të botës, vuajtje-uri-katastrofa natyrore e njerëzore në cepa të tjerë të botës?

Në ambientin e punës sime dëgjoj thuajse vetëm radio Capital Italia ose radio te tjera te ketij formati. Dhe çdo javë aty, Daria Bignardi ka një shkrimtar të ftuar. Çdo ditë drejtuesit e tjerë flasin për art sidomos italian, por dhe ndërkombëtar. Spikerët italianë ndajnë informacione që nuk vijnë nga prapanicat e artisteve dhe paranicat e artistëve botërorë, por info shumë interesante me shumë klas e me një standart të lartë artikulimi gjuhësor.

Dëgjoj humor të hollë ironik, dhe trajtime çështjesh sociale dhe rrallë dhe politike me shumë finesë, vetëpërmbajtje. Shoh që kokat e konduktorëve janë me orientime të kultivuara dhe vetëdije të kultivuar sociale që lexohet lehtë në të folurit e tyre të qetë, të sigurt, të pjekur prej njerëzish që radion e quajnë profesion.

Dhe dëgjoj radio Capital italiane, sepse jam arratisur prej vitesh nga radiot shqiptare mbushur me kakofoni, me tërbim folësish kryesisht coming of age, midis pubertetit dhe adoleshencës, me emisione kryesisht injorante, mbushur me të qeshura histerike në grup, zhurmë boshe, muzikë të tmerrshme, informacione humbamenosh, dhe që kryesisht reflektojnë injorancën e tmerrshme të sferës shqiptare të ekzistencës. Me përjashtime shumë të rralla të shumë pak emisioneve interesante.

Kudo reflektohet fjala lek. Çdo gjë matet me lekë, duke krijuar shoqëri mjerane e të topitur që nuk nuhat, shijon, prek asgjë që nuk është lekë.

Radiot e televizionet shqiptare krijojnë role models skandalozë, injorantë, vipa të mbushur me ajër, të pakuptimtë, tema periferike, diskutime infantile. Radiot e televizionet kanë kryefjalë vetëm dhunë, gjak, vdekje, vrasje, aksidente, tmerre nga vendi dhe bota, histori dhimbjesh, sikletesh, vuajtjesh, që njerëzit e vuajtur I shohin duke u identifikuar e vuajtur me shumë.

Në radiot e televizionet tona nuk ka empati, por shitje mëshire. Gjithçka shitet, gjaku mbi të gjitha. Kujtoni skenat e aksidenteve me detajet e gjakut në fokus të parë.
Dhe kjo është politika e medias. Nuk ka naivë sot, dihet që shumica e orëve televizive e radiofonike janë të blera e janë lobime politike e interesash.

Por, lajmi i habitshëm është që jo çdo gjë është e vlerësuar me lekë. Dhe jo çdo gjë kushton. Dhe po flas këtu për hapësirat radio dhe tele të keqpërdorura.

Në vendin tonë ka art, ka letërsi, ka shkrimtarë, piktorë, skulptorë, mendimtarë, teoricienë, muzikantë. E dikur kishte emisione te prime time, si Top Show i Dudushit, apo dhe emisione periodike të Fevziut, që ofronin cilësi dhe standart. Sot është shpretëtirë.

Më së paku, nuk ka një emision radiofonik të marrë çdo jave një shkrimtar shqiptar ne fokus per veprën e re, nuk ka nje diskutim letrar apo artistik, nuk ka emisione televizive ciklike për artin dhe letërsinë. Shkrimtari dhe artisti nuk kanë hapësirë në foltoren mediatike e nuk kanë vëmendje. Publiku ushqehet me llucë. Sepse po të ushqehet mirë, ndoshta zhvillohet, e ndoshta rrit pretendimet.
Ne jo vetëm vazhdojmë të jetojmë nën terapi shocku, por e kemi kthyer këtë në drogën e re të hutimit helmimit e nënshtrimit të shqiptarëve.

Faji nuk është i njerëzve që nuk lexojnë, faji është i kanaleve të informacionit që helmojnë.

ObserverKult

Lexo edhe:


HISTORIA E HYEDA EL SAIED, SI E RRËMBEU ZEMRËN E PUBLIKUT