Ndonëse jeton prej vitesh larg, nuk harron të kthehet në Tiranë. Edhe këtë herë ka sjellë me vete si dhuratë për lexuesit shqiptarë një libër, një vepër plot këngë dashurie. Si manifestim ka zgjedhur ta prezantojë me miq, dashamirës të vargjeve të tij.
Në Qendrën e Librit dhe Leximit, kryefjala është Skënder Sherifi. Po pse një poezi aktive këtë herë, pse këngë dashurie, pas “festivalit të pasioneve”? A ka edhe ky vëllim letrar një burim frymëzimi prej kulturës ku jeton Sherifi?
Sipas autorit, këngët shqiptare nuk kanë tekste të bukura, nuk i kushtojnë vëmendje vargjeve, madje në tri dekadat e fundit, ai nuk gjen këngë të bukura të shkruara në shqip. E ndërsa i ftoi të pranishmit t’i përgjigjen nëse ka apo jo tekste të bukura në këngët shqipe, Mimoza Ahmeti u sigurua t’i tregonte disa prej atyre që i kanë ngelur në mendje, sepse ndonëse 100 këngët e dashurisë së Skënderit vijnë për ta pasuruar muzikalitetin, duhet thënë se këngë të bukura, gjithsesi kemi.
Zhani Ciko, si njohës dhe studiues i muzikës, pranon gjithashtu se këngët që nisin rrugën e tyre artistike nga teksti janë më të mira, ndaj edhe fton kompozitorët e këngëtarët t’i japin tingujt e tyre për këto vargje të Skënder Sherifit./a2news.com