Luan Rama: Shkruajmë për të ndërtuar një botë më të drejtë, më humane, më solidare…

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Luan Rama.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

Takimi i parë me letërsinë ka qenë i rastësishëm. Sigurisht që fëmijë dhe adoleshent lexoja librat për fëmijë si “Djemtë e rrugës Pal”, “Pinoku”, “Tom Sojeri”, “Martin Iden” etj, por nuk e dashuroja letërsinë. Ishte nëna ime që lexonte shumë, veçanërisht romane dashurie, sociale apo dhe historike siç mbaj mend romanet ”Një tragjedi amerikane”, “Lufta dhe Paqja”, “Cifutja e Toledos”, tregimet e Zvajg, të Çehov apo Turgenievit, librat e Pirandelos, Moravias, etj.

Por atëherë unë isha një filatelist i vogël, një koleksionist, dhe bota ime ishin pullat postare që më jepnin dëshirën për udhëtime imagjinare nëpër botë, në vende të panjohura të Azisë së Largët, të Afrikës, vendeve koloniale, Amerikës Latine, etj. Madje kisha një korespondent dhe në Trinidad Tabaco apo në Ghana. Por pak të holla kisha si fëmijë dhe adoleshent, edhe pse kisha korespondentë të shumtë filatelistë në vende të ndryshme të botës. Pikërisht atëherë, merrja fshehurazi romanet e nënës dhe i shkëmbeja me një tregëtar që shiste pulla.

Kjo shpejt ra në sy, pasi romanet filluan te zhdukeshin nga shtëpia. Por letërsinë e dashurova në fakt në vitet e para të universitetit kur studioja për Gazetari. Pëlqeja shumë poezinë dhe lexoja me etje poetët e mëdhenj si Ricos, Lorka, Eluard, Prevert, Aragon etj.

Kur ratë në “grackën” e saj?

Ishte një vëllim i plotë i veprave të Paul Eluard, botuar nga Gallimard në Francë që më bëri rob të poezisë. Ishte një libër në «index» fisha e të cilit kishte të shënuar «R» (Rezervat) si shumë libra të tjerë të Bodler, Verlen, Edgar Poe, etj., pra libra që s’mund t’i lexonte kushdo.

Unë e pëlqeja shumë poezinë e Eluard të përkthyer në shqip, por ishte vetëm poezia e tij revolucionare, si poet komunist që ishte dhe figurë e Partisë Komuniste franceze, dhe ajo ajo tjetra, poezia më e lirë, apo surrealiste, dadaiste etj. Ishte ilustruar mjeshtërisht nga franko-amerikani Man Ray. Atëherë i thashë vetes se duhej ta lexoja poezinë tjetër të Eluard, atë të ndaluarën dhe kështu nisa të mësoj frëngjisht me një fjalor në dorë.

Ishte një aventurë e bukur. Kjo ishte që dhe më futi vërtet në botën e poezisë dhe të letërsisë në tërësi. Fillova të shkruaj poezi dashurie dhe të parat ia kushtova asaj që sot është gruaja ime pas 50 vjetësh. Kur mbarova studimet kërkova të punoja si kineast, pasi filmi më pëlqente shumë meqë unë u rrita pranë një kinemaje në qendër të Tiranës dhe netët e verës i kaloja para ekranit të kinemasë njëqind metra më larg, aq sa dialogjet e filmave dëgjoheshin në dritaren time.

Në atë kohë krahas skenarëve si skenarë me aktorë apo dokumentarë dhe për filma vizatimorë unë shkruaja dhe reportazhe, portrete apo kritikë letrare dhe kinematografike në gazetat dhe revistat e kohës si Drita, Les Lettres albanais, Skena dhe ekrani, etj.. Megjithatë, fryma që përçonte krijimet e mia kishte tendencë poetike. Po kështu dhe shkrimi i skenarëve, meqë atëherë shikoja shumë filma të ndaluar si të neorealizmit italian, ekspresionizmit gjerman, romantizmit poetik francez në Arkivin e Flmit ku i kisha dyert e hapura falë drejtorit Abaz Hoxha.

Mbaj mend një film çek “Ekstaza” e bazuar mbi një poemë të mrekullueshme të poetit Viçeslav Nezval. Por dhe pikëtakimi me filmin “Hiroshima mon amour” ishte një ngjarje në jetën time artistike. E dashurova tërësisht këtë film të ndaluar pasi ishte pushtuesi gjerman që binte në dashuri me një franceze, çka për regjimin ishte një pajtim me teorinë e “bashkëkzistencës paqësore”, çka ishte e dënueshme.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

Pas periudhës kinematografike unë u angazhova në diplomaci. Ishin dy vitet e fundit të viteve ’80. Nën presionin e ngjarjeve ndërkombëtare edhe dominoja e fundit totalitare, Shqipëria, më së fundi do të binte. Në vitin 1991 u dërgova me mision diplomatik në Paris, çka ishte një fat i papritur që të gjendesha në vendin e letërsisë së madhe, të Hygoit, Balzakut, Mopasan, Dymas, Bodler e Verlen dhe një plejade të tërë letrarësh nga më të mëdhenjtë në botë. Kjo kohë më shërbeu për shkrimin më pas të librit “Parisi letrar”.

Pas një ndërprerje të misionit diplomatik në vitin 1993, ku më pas punova si redaktor në revistën prestigjioze “Courrier international” dhe deri në caktimin tim si ambasador në vitin 1997, (pra pas ngjarjeve tronditëse në Shqipërinë e “demokraturë”-s), unë u mora me kinematografinë franceze, kohë kur dhe shkrova librin “Shkëlqimi i meteorëve” për aktoret më të mëdha franceze në kinemanë e pas Luftës së Dytë Botërore, portrete për Jeanne Moreau, Simonne Signoret, Catherine Deneuve, e deri tek Isabelle Huppert apo Monica Beluci.

Ishte koha e ngjarjeve dramatike në Shqipëri si ajo e vitit 1998, një tentative e grushtit të shtetit, e veçanërisht ngjarjet e Kosovës çka nuk më lanë kohë dhe asnjë hapësirë të merresha me krijimtari. Në në vitin 1999 munda të botoj kronikën diplomatike për Kosovën “Nën hijen e bombave”, pjesë të së cilës nisën të botoheshin çdo ditë në gazetat e Prishtinës. Krijimtaria letrare do të fillonte në fakt në fundin e misionit tim si ambasador, edhe pse vazhdova me misione të tjera si përfaqësuesi shqiptar në Organizatën e Frankofonisë, në UNESCO, etj.

Por udhëtimet e shumta më dhanë mundësi të njihja më shumë botën njerëzore dhe kulturat e popujve. Botova kështu vëllimin poetik në Francë “Mbulomëni me nje copëz qiell”. Pas kësaj botova dhe “Krushq të largët” mbi pikëtakimet franko-shqiptare përgjatë historisë, librin “Shqipëria dhe Frankofone”, librin tjetër “Shtëpia e Shpresës », pra Shqipëria në Unesco etj. 

Në këto vite, edhe pse fillova si lektor i gjeopolitikës dhe historisë në Institutin francez të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale, fillova të shkruaj dhe botoj libra historikë si «Bujtës të largët», mbi udhëtarët francezë gjatë shekullit XIX në Shqipëri, «Shqipëria gjatë luftës normando-bizantine», «Tek Frankët», mbi emigracionin shqiptar në Francë, një libër mbi konsullin francez në Janinë Auguste Dozon, i cili ishte i pari që botoi «Përrallat shqiptare» në Francë si dhe një manual të gjuhës shqipe, etj. Historia mori prioritet tek unë pasi ishin tema të patrajtuara dhe historia më pëlqente shumë.

Megjithatë krahas tyre vazhdoi botimi i librave poetikë si «Territoret e shpirtit» botuar në Francë dhe në Greqi dhe ilustruar mjeshtërisht nga piktori i njohur i Kosovës Salih Lutolli të cilin e kam njohur në Paris në kohën e eksodit të madh. Po kështu dhe përmbledhja poetike «Porto Palermo-fjalët e gurit» i botuar dhe në greqisht, libri tjetër poetik «Poezi dashurie në kohë të vonët», etj.

Romani erdhi tek unë më vonë, pas disa librave me tregime. Udhëtimet e shumta më kishin mbarsur me përjetime jetësore, fate njerëzish dhe ngjarje tepër të veçanta. Kështu botova romanin e parë për balerinën franko-amerikane Isadora Dunkan dhe qëndrimin e saj në Shqipëri në vitet 1913-1914 gjatë Luftës së Dytë Ballkanike, kohë kur shumë muhaxhirë shqiptarë vinin nga Epiri në Sarandë dhe jugun shqiptar për ti shpëtuar vdekjes dhe për të mbijetuar.

A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

Edhe më parë i jam përgjigjur kësaj pyetje: Përse shkruaj? Padyshim është themeli i gjithçkaje tek një letrar. Shkruaj pasi për mua është një pasion, por jo vetëm pasion, por edhe nevojë, pasi shkrimtari nuk shkruan për vete, ai kërkon të dialogojë me lexuesin, të shtrojë një problem social apo politik, një problem të shoqërisë në evolucionin e saj permanent.

Vetëm letrarët që kanë ngritur probleme të mëdha të kohës në letërsinë e tyre, ata i kanë qëndruar kohës. Për shkrimtarët revolucionarë si Ricos, Nazim Hikmet, Breht, arti është një armë, pasi ata kanë shkruar në kohë të trazuara, kanë përjetuar regresin shoqëror, trusnitë totalitare, burgimet, kanë luftuar për të drejtat njerëzore. Pra ne shkruajmë për të ndërtuar një botë më të drejtë, më humane, më solidare, më të hapur ndaj tjetrit, fqinjit.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

Është interesant fakti se disa tregime të shkruara më pas do të bëheshin bazë e disa romaneve që janë botuar si «Një mungesë e gjatë», i botuar dhe në Francë, «Kthimi i flamandëve» i botuar dhe në maqedonisht, apo romani i fundit i botuar nga Onufri «Mëkati i Justinës». Kjo ndodh pasi në disa tregime unë kapem gjithnjë pas një subjekti të fortë, dramatik apo tragjik, i cili më jep mundësi pastaj që duke u shtrirë në kohë e hapësirë, apo duke u thelluar në psikologjinë e personazheve kryesorë tu japë formën e romanit.

Edhe romani që sapo kam mbaruar këto ditë, «L’Albanais» («Shqiptari») është rezultat pikërisht i këtij procedimi artistik. Një shënim, një tregim për një emigrant shqiptar të takuar në Paris në mesin e viteve ’90, historia e tij (emigruar që nga vitet ’30) u kthye në një subjekt romani.

Përgjithësisht letrarët përqendrohen në një lloj krijimtarie, në një gjini apo dy, në romanin apo poezinë, dramën, skenarin, etj. Kadare ka shkruar shumë pak poezi në krahasim me opusin e tij romanesk të jashtëzakonshëm. Lasgushi shkroi vetëm një vëllim me poezi, Kuteli, floberian siç ishte, nuk u muar me poezinë, as me dramën, etj.

Duke parë krijimtarinë time dhe proçesin krijues vë re se nuk jam besnik i vetëm një apo dy gjinive, i një «të dashure», siç mund ta quaja, pra të shkruaja vetëm poezi, meqë kam botuar katër vëllime poetike dhe i pesti, «Toka, një portokall blu», është dërguar në shtëpinë botuese. Shumë lexues më konsiderojnë poet lirik por unë mendoj se poet është ai që jeton gjatë gjithë kohës me poezinë, që i ka dhënë shpirtin e tij poezisë, që i është falur asaj. Bodler, Rembo, etj, ishin të tillë.

Po kështu Neruda, Eluard, Majakovski, Nazim Hikmet, Prevert e shumë të tjerë poetë të botës. Cummings gjithashtu shkroi vetëm poezi. Pra, duke parë krijimtarinë time ndjej se kam «shumë të dashura» dhe shkoj me të gjitha, ndoshta një “mëkat”. Krahas një libri me ngjarje historike, shkruaj një roman, ndërkohë që paralelisht punoj me një vëllim poetik apo shkruaj një libër kritik ose një skenar.

Punoj kështu, avancoj, rikthehem herë tek njëri dorëshkrim e herë tek tjetri gjersa arrij ti përfundoj kur shumë pak kohë i ndan nga njëri tjetri. Ndërkohë që ju shkruaj, një roman tjetër ka përfunduar: «Gruaja që vinte nga mjegulla» dhe që dëshiroj ta botoj brenda vitit. Pra jeta letrare vazhdon me etje, çdo ditë, çdo pauzë me jep mundësi të shtoj episode të reja në këtë apo atë zhanër. Vallë më prishin punë apo më ndihmojnë alternime të tilla. Nuk e di, edhe pse për mua është bërë një “modus viventi”.

Në Francë njihet «Princi i poezisë» Jean Cocteau, poet, romancier, dramaturg, skenarist, piktor, regjisor. Shkrimtari dhe miku i tij Paul Morand e cilësonte si një ekuilibrist apo si një balerin që kërcen mbi shumë tastiera. Dhe ai kërcente padyshim mrekullisht në të gjitha lëmet që krijoi, madje dhe si aktor.

Padyshim, kjo tërësi vizionesh poetike, figurative, muzikale, kinematografike, etj, i jepnin mundësi që ta shikonte botën dhe njeriun me një optikë të gjerë por dhe të hynte më thellë shpirtit njerëzor. Nga ai kemi dramën e shkëlqyer «Zëri njerëzor» interpretuar nga aktoret më të mëdha të botës si dhe nga aktoret shqiptare. Pra të shkruaj njëherësh dhe në mënyrë alternative në disa gjini përbën mendoj, një veçanti në krijimtarinë time.

Sigurisht nuk i jam drejtuar dramës edhe pse drama dhe skenari janë shumë pranë njëri-tjetri, ku dramën e dallon mungesa e hapësirës, lëvizjes, ndryshe nga kinematografia ku jemi në jetën e përditëshme, të gjallë, në realitetin jetësor dhe ku mënyrat shprehëse janë të jashtëzakonëshme.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

Në letërsinë time kam thënë së pari se njeriu duhet të jetë së pari human; se ai vjen në këtë botë për t’i kontribuar së ardhmes. Kam thënë se ne duhet t’i shërbejmë gjithashtu historisë, pasi një komb pa histori është kollaj ta zhdukësh. Kam thënë gjithashtu se duhet të jemi modern, të ecim me hapat e një shoqërie të re, të jemi kozmopolit dhe jo ksenofobë, të duam.

Të duash sot duhet të jetë një mision fisnik pasi jo pak janë ata që bien në grackën e atij që do të përfitojë nga puna e të tjerëve, që i pëlqen të shfrytëzojë të tjerët dhe të arrijë qëllimet e tij të vogla me çdo kusht.

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

Më ka mbetur shumë për të thënë. Së pari të bëj një letërsi ku gjithashtu të sjell ehon e një mitologjie popullore që pak e përdorim në krijimtarinë tonë. Zakonet e dikurshme, supersticionet, besimet, mitet, aq të pasura për popullin tonë mund të na japin dorë për të bërë një letërsi të re, pse jo në fyrmën dhe të realizmit magjik…

Gjithashtu kam dëshirë që kohën e Mesjetës, ku ka shumë ngjarje të mëdha dhe shumë origjinale ta sjell në romane. Kjo padysim kërkon punë studimore të atmosferës së kohës. Le të punojmë siç studioi Flober për shkrimin e romanit Salambo apo Zola për «Germinal» e shumë autorë të tjerë…

Do vazhdoj të shkruaj i prirur gjithnjë nga imazhi. Ndoshta qenia ime dhe kineast më ka bërë që romanet që shkruaj, ti shoh, pra i kam imazhet e ngjarjeve në sy. Po kështu dhe poezia, ku shumë poezi janë imazhe të poetizuara. Të shpresojmë. Sigurisht, është fjala për një letërsi modeste.

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

Po i besoj. Pa frymëzim nuk mund të bësh letërsi. Nuk mund t’i caktosh vetes si detyrë se do shkruaj një roman dhe pastaj të ulesh dhe ta shkruash atë. Do ishte diçka pa ndjesi. Do një ngasje, një ngazëllim apo vuajtje të brendshme. Nuk mund, të jem i përvuajtur në punë.

Shumë poezi i kam shkruar në tren apo avion. Është një çështje frymëzimi, të prekesh nga diçka. Njëherë në tren në një vagon bosh, në sediljen më tutje, ishte një vajze e bukur që flinte. Dhe unë menjëherë duke e parë shkrova një poezi. Një ditë në metro një mik më telefonoi për vdekjen e nje shoku poet. Menjëherë po aty shkrova poezinë « Poetët vdesin si zogjtë». Është shpirti që trazohet dhe që kërkon të flasë.

Sa jeni sistematik në të shkruar? 

Mendoj që jam sistematik në punë pasi nuk kam periudha bosh kur nuk shkruaj. Gjithnjë do të jetë diçka që më tërheq.

Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

Po të filloja nga e para? Sigurisht që do të doja të isha shkrimtar, ndoshta të isha vetëm poet. Por kjo do më ishte e vështirë. Të jesh poet është një dehje dhe vuajtje e përhershme.

ObserverKult


kënga Luan Rama: e dashuruar

Lexo edhe:

LUAN RAMA: LE TA LEXOJMË SENEKËN PËR TË MËSUAR DIÇKA PËR VETEN DHE BOTËN NJERËZORE!

LUAN RAMA: NE NUK PATËM KOHË TË FLISNIM, E DASHUR…

PYETËSORI I PRUSTIT/ LUAN RAMA: TË DUASH NJERIUN, KUSHDO QOFTË AI NË RANGUN SHOQËROR ËSHTË DIÇKA E MADHE!